Në mbledhjen e fundit të Komisionit të Ekonomisë, Nënkryetarja demokrate e Komisionit Jorida Tabaku tha se qeveria është tërhequr nga Ligji për Teatrin, duke qenë se ka vendosur të mos presë dekretin e Presidentit.
Afati i fundit që Presidenti të vendosë për kthimin pse jo të ligjit në Parlament është 30 korriku, por parlamenti e mbyll sesionin të hënën, në 23 korrik.
“Më në fund qeveria i thirri mendjes, vendosi të mos presë dekretin e Presidentit dhe të mbyllë Parlamentin para se të vijë dekreti i Presidentit”, tha Tabaku, e cila i kërkoi qeverisë që, me nisjen e sesionit të ri parlamentar, “pas pushimeve të gushtit, t’i thërrasë mendjes përfundimisht për ta tërhequr plotësisht ligjin e shembjes së Teatrit Kombëtar”.
Vendimi i qeverisë për të mbyllur Parlamentin pa pritur dekretin e Presidentit vjen pas denoncimit nga opozita dhe artistët të ligjit korruptiv të teatrit, prej të cilit Edi Rama përfiton 205 milionë Euro.
Tabaku i kërkoi Artan Shkrelit të flasë një herë të vetme për Teatrin, pasi si një “mbrojtës i trashëgimisë kulturore”, duhet të flasë për godinën simbol të Trashëgimisë Kulturore në Shqipëri.
Gjatë një debati në Komisionin e Ekonomisë Tabaku tha se “Zoti Shkreli, nqse keni diçka për të komentuar unë besoj se është rasti që të flasësh edhe për Teatrin. Dole për kangjellat e Kryeministrisë, mendoj se ka ardhur dita se si një adhurues i Trashëgimisë kulturore dhe identitetit kombëtar, të dalësh dhe të flasësh për Teatrin”, iu drejtua zv/ministrit të Transporteve, deputetja e opozitës.