Telefonata, Rama presion edhe Manjanit të lirojë Çakon

Presionet për të liruar me çdo kusht drejtorin e Përgjithshëm të Policisë, Haki Çako dhe oficerët e përfshirë në skandalin e përgjimeve, Rama i ka shtrirë edhe ndaj ministrit të Drejtësisë, Ylli Manjani. Një denoncim i një qytetari i publikuar dje nga ish-Kryeministri Berisha tregon se si Rama i ka kërkuar përmes një telefonate Manjanit që të ndërhyjë tek Gjykata e Apelit për të rrëzuar vendimin e pezullimit të drejtorit të Përgjithshëm të Policisë, Haki Çako. “Një burim 100% i sigurtë më thotë se Edi Rama ka marrë ministrin e Drejtësisë, Ylli Manjani në telefon dje dhe i ka kërkuar me insistim të madh të ndërhyjë te Gjykata e Apelit për të prishur me çdo kusht vendimin e pezullimit të Çakos nga detyra dhe të arrestit të shtëpisë të paktën të njërit prej oficerëve në arrest shtëpie, me sa di unë Xhelilit. Sipas këtij burimi ministri Manjani i ka thënë Ramës se si do të ndërhyjë në një proces gjyqësor, Rama ka reaguar duke i thënë atij se ti je i qeverisë dhe me qeverinë dhe jo i Berishës dhe gjykatësve vrasës dhe se duhet të ndërhysh patjetër për të prishur vendimin e Gjykatës të Tiranës. Po ushtrohet presion i madh ndaj gjykatësve të Apelit. Me shumë respekt S.D.”. Po në një tjetër denoncim, një qytetar tregon po të njëjtën ngjarje mbi kërkesën e Ramës ndaj Manjanit për të ndërhyrë tek Gjykata e Apelit për të liruar Çakon. “Zhvillimet e fundit të aferës Edvin Gate! Qytetari dixhital informon: – Edvin Shullazi pas ultimatumit që mori nga Çako: ‘më kthe në detyrë ose do të flas’, po ushtron presion dhe terror me tel dhe me anë të sekserit të tij, sekretarit të Përgjithshëm të mafies shtetërore, Agaçi, mbi gjykatësit e Gjykatës së Apelit. Kështu, ndër të tjera ai i ka kërkuar ministrit të Drejtësisë Manjani të ndërhyjë në Apel për anulimin e masave të Gjykatës së Shkallës së Parë ndaj mercenarit Çako, që Rama, ky manjak i metodave të Sigurimit të Shtetit, e keqshfrytëzoi dhe e keqpërdori në skandalin më të madh të përgjimeve që regjistron historia dhe që mediat po e quajnë ‘Edvin Gate’, për të realizuar krimin e shëmtuar të përgjimit antikushtetues dhe antiligjor të Presidentit të Republikës, të kryetarit të opozitës, krerëve të institucioneve shtetërore, ministrave, deputetëve, të të gjithë spektrit, diplomatëve të huaj, gazetarëve, analistëve, artistëve, deri dhe qindra qytetarëve të thjeshtë. I bëj thirrje Prokurorisë së Shtetit të marrë menjëherë tabulatet e bisedave telefonike të Edvin Kristaq Ramës me ministrin Manjani dhe gjykatës dhe prokurorë Apeli, si dhe të ushtrojë kontroll ligjor mbi të gjitha telefonatat dhe lëvizjet dhe takimet e sekserit Agaçi me gjykatësit e Gjykatës së Apelit”.

Exit mobile version