Më telefonoi Duka, kërkonte Tramexanin

Paolo Tramexani ishte zgjedhja e parë e FSHF-së për të marrë drejtimin e kombëtares shqiptare të futbollit pas largimit të Xhani de Biazit. Konfirmimi ka ardhur nga presidenti i klubit të Sionit, Kristian Konstantin, i cili ka zbuluar se vonesa e firmës me Tramexanin ishte pikërisht pasojë e ndërhyrjes së presidentit të FSHF-së, Armand Duka.
Në një intervistë të dhënë për të përditshmen zvicerane “Blick”, ai ka sqaruar të gjithë çështjen e vonesës disa ditore deri në firmën me teknikun italian. “Ne arritëm shumë shpejt një akord mbi gjërat thelbësore. Kishin mbetur vetëm detaje. Por pastaj Federata shqiptare i bëri një ofertë që të bëhej trajneri i kombëtares pas dorëheqjes së Xhani de Biazit. Më telefonoi edhe presidenti i Federatës, për të mësuar nëse unë do të hiqja dorë nga Paolo”, shpjegoi Konstantin.
Pak ditë më parë, edhe Paolo Tramexani tha për mediat italiane se i kishte mbërritur një ofertë e tillë nga Federata shqiptare e Futbollit dhe se me Dukën kishte diskutuar edhe në muajt e kaluar për mundësinë që ai të bëhej pasardhësi i De Biazit në stolin kuqezi.
Por ai kishte preferuar që të mos thyente premtimin që i kishte bërë Sionit ndaj telefonata e Dukës ka qenë vetëm tentativa e dëshpëruar për t’i ndryshuar mendjen të paktën presidentit Konstantin.

Exit mobile version