Tenderi i uniformave u denoncua nga një letër anonime brenda policisë

Një letër anonime, me detaje të tenderit të uniformave të Policisë së Shtetit, ka shtyrë Prokurorinë të nis hetimet kryesisht. Në fillim të këtij viti, në adresë të Prokurorisë, kishte shkuar një zarf brenda të cilit ishin të dhëna konkrete të procedurave të tenderit të uniformave të policisë të zhvilluar nga Ministria e Brendshme.
Sipas Abc News në zarf, dërguesi ishte një person gjeneralitetet e të cilit janë verifikuar dhe ka rezultuar se është me emër fiktiv. Por në brendësi të zarfit janë gjetur kopje të materialeve të të gjithë procedurave të tenderit. Mësohet se dërguesi anonim, ishte kujdesur që të dokumentonte të gjitha shkeljet e kompanisë shqiptaro-turke “Marsi & AL” & “Yakupoglu Tekstil”, e cila ishte shpallur fituese nga Ministria e Brendshme për dizajnin dhe qepjen e 27 mijë e 900 copë uniforma të ndryshme të policisë.
Në zarf, thonë burimet nga Prokuroria, është evidentuar se Komisioni i Vlerësimit të Ofertave e ka shpallur fituese kompaninë pa çertifikatën e cilësisë, ka njoftuar se uniformat janë të një cilësie shumë të dobët dhe që nuk janë prodhuar në Turqi. Gjithashtu, letër dërguesi ka dorëzuar edhe kartëvizitat që kompania shqiptare “Marsi & AL” ka dorëzuar pranë komisionit për bashkëpunimin me kompaninë turke, duke pretenduar se ata ishin të falsifikuara.
Prokurorët, pasi janë përballur me të gjitha këto detaje, ku janë renditur shkeljet e Komisionit të Vlerësimit të Ofertave në Ministrinë e Brendshme dhe kompanisë fituese, e ka regjistruar hetimin penal, duke kryer një sërë veprimesh hetimore në mbledhjen e provave. Burimet thonë se nga hetimet e kryera, rezultojnë se të gjitha pretendimet e ngritura në letrën anonime kanë rezultuar të sakta, çka janë ngritur dyshime se kjo letër është përpiluar nga ndonjë person brenda institucionit të Policisë së Shtetit.
Në ditët në vazhdim, thonë burimet, pritet marrja në pyetje e të gjithë anëtarëve të komisionit që shpallën fitues kompaninë shqiptaro-turke “Marsi & AL & “Yakupoglu Tekstil”. Nga ana tjetër, 9 muaj pas shpalljes së fituesit, pas marrjes në dorëzim të mijëra uniformave për policinë dhe faktit që ka nisur një hetim nga Prokuroria e Tiranës, Ministria e Brendshme ka njoftuar ndërprerjen e kontratës me firmën fituese dhe anulimin e tenderit me kompaninë fituese.

Exit mobile version