“L’Espresso”: Sacra Korona Unita te droga

Revista italiane “L’Espresso” ka bërë një investigim për kanabisin në zonat e Kampanias dhe Kalabrisë në Itali, si dhe për trafikun e drogës nga Shqipëria. Gjatë investigimit, gazetari Giovanni Tizian ka biseduar edhe me Kolonelin Maurizio Muscarà, që bashkë me njerëzit e tij është ndër më të zotët në luftën ndaj drogës. Koloneli Muscarà ka treguar se sa lekë blihet një kilogramë kanabis në Shqipëri dhe sa shitet në Itali ky produkt “Made in Shqipëria”.
Gjithashtu, ai tregon edhe se si i kapin trafikantët shqiptarë në det. “Një kg e blerë direkt nga plantacionet në Shqipëri kushton maksimumi 200 euro dhe shitet në Itali për 10 mijë euro. Kjo do të thotë se me një ton, banda fiton 10 milionë”, shkruan “L’Espresso”.

Si trafikohet droga nga Shqipëria në Itali

Është natë e errët në kanalin që bashkon Otranton me Borshin, 90 km nga qyteti i Vlorës, në Shqipëri. Vetëm hëna ndriçon atë pjesë të detit dhe vihen re gjurmët që lë një motor uji i lëshuar me gjithë shpejtësinë drejt brigjeve pulieze. Ai që e drejton është një djalosh, pak më i madh se 18 vjeç, i punësuar nga bandat kriminale shqiptare. Në çdo anë të motorit të ujit ka 200 kg hashash i rritur në malet e Gjirokastrës. Ai e di që ka vetëm 50% mundësi për të përmbushur misionin për të cilin është ngarkuar. Shumë nga bashkatdhetarët e tij ia kanë dalë. Vetëm se atë natë, patrullat detare të “Guardia di Finanzas” së Barit,  Departamenti ajror-detar-mbikëqyrin bregdetin me motoskafë të fuqishëm, që dikur ishin në duart e kontrabandistëve të cigareve. Është edhe një “Corbelli” i vjetër me katër motorë 500 kuaj fuqi secili, që arrin 120 km/h.
Një helikopter i “Fiamme Gialle” fluturon mbi zonën nga e cila zakonisht vijnë skafistët e marijuanës dhe i duhet vetëm pak për tw pikasur motorin e ujit të ngarkuar me hashash. Më pas, ia komunikon koordinatat “Corbelli-t”, që nis ndjekjen. Akrobaci, evolucion, manovra shumë të shpejta. Pastaj, më në fund, djaloshi i jep fund ndjekjes së çmendur. Skena të tilla përsëriten vazhdimisht.
Efektivët e udhëhequr nga kolonel Maurizio Muscarà janë mes më të përgatiturve në Itali. Ata ndjekin trafikantët në det që nga koha e kontrabandës së “biondeve” (cigareve). “Në tre vitet e fundit, ne kemi sekuestruar me këto operacione më shumë se 11 ton drogë”, tregon Muscarà, i cili jep disa shifra të rëndësishme: “Një kg i siguruar direkt nga plantacionet shqiptare kushton maksimumi 200 euro. Në Itali, shitet 10 mijë euro. Kjo do të thotë se me një ton, klani ka fituar 10 milionë”.
Reparti i drejtuar nga koloneli ka vlerësuar biznesin vjetor në 4-5 milionë euro. Prodhimi, për më tepër, në Shqipëri është shumë i lartë: 900 ton çdo vit. “Grupet shqiptare kanë baza italiane, dhe janë të lidhur, kanë zbuluar hetimet, me bandat e Salentos të Sacra Corona Unita. Gjithmonë e më shpesh ndodh të zbulohen edhe karabinierë të vjetër, e marinarë ekspert, të ricikluar me këtë trafik”, shkruan “L’Espresso”.

Exit mobile version