Terror në Vlorë, maskat dhunojnë qytetarët e qëllojnë me armë

Disa zona të Vlorës nuk janë më nën kontrollin e shtetit. Pas atentatit të ndodhur mbrëmjen e dy ditëve më parë, ku një person u shpëtoi për mrekulli plumba, një tjetër ngjarje e rëndë ka ndodhur në zonën e Llakatundit në Vlorë.
Një automjet me disa persona të maskuar brenda saj i kanë zënë pritë 2 personave të tjerë nën thirrjen “Ndal policia”. Menjëherë më pas, sipas burimeve të policisë, dy personat kanë tentuar të futen forcërisht në makinë, por refuzimi i tyre ka çuar në përleshje mes njëri-tjetrit ku për pasojë një prej personave që është ndal u godit në kokë me qytën e armës si dhe grushte në trup.
Gjatë përleshjes personat e armatosur kanë qëlluar me armë në ajër, por fatmirësisht plumbat nuk kanë prekur askënd.
Në vendngjarje kanë mbërritur forcat e policisë, që nuk ishin në atë zonë edhe pse një ditë më parë duhej të hetonin se kush ishin njerëzit që qëllonin me armë. Policia ka marrë dëshmitë e dy të dhunuarve, por nuk ka mundur të zbulojë autorët e kësaj ngjarje të rëndë. Dyshohet se prita e mëngjesit është një shenjë hakmarrjeje për atentatin që ndodhi pasmesnatëne  e të hënës. Shtetasi me inicialet P.S., banues në fshatin Llakatund, ishte duke udhëtuar me automjetin “Benz”, me targë AA 029 LV, kur papritur është sulmuar me armë. Në një moment, ai ka dëgjuar disa të shtëna me armë zjarri, por nuk ka ndaluar. Sapo ka arritur në banesë, ai ka konstatuar se mjeti i tij kishte marrë 4 goditje të dyshuara me armë zjarri, por vetë nuk ka pësuar asnjë lëndim.
Rendi ka dalë jashtë kontrollit të policisë, ndërsa ligjin e bëjnë maskat. Dy ditë më parë, maskat sulmuan me armë një kambist në Korçë, duke i marrë çantën plot me lekë. Burime nga policia thanë se, ngjarja ka ndodhur mëngjesin e djeshëm në lagjen numër 18 në Korçë, tek rruga “Petraq Shomo”. Sipas policisë, dy persona të maskuar i kanë dalë në rrugë dhe i kanë marrë me dhunë shtetasit me inicialet A. I., një çantë brenda së cilës kishte një shumë të madhe lekësh. Maskat kanë ushtruar dhunë ndaj kambistit dhe më pas i kanë vënë pistoletën në kokë, duke e detyruar që të dorëzojë çantën me para.
Nga të dhënat e para, rezulton se dy personat, pasi i kanë marrë çantën kambistit janë larguar me shpejtësi në drejtim të paditur për policinë. Policia nuk bëri të ditur për shumën e parave që i janë grabitur kambistit, por dyshohet se kanë qenë më shumë se 100 milionë lekë. Bëhet e ditur se kambisti do t’i kthente kartmonedhat shqiptare në euro ose dollarë.

Exit mobile version