Lefteria është prekur shumë nga zbardhja e një pjese të formularit të dekriminalizimit të Elvis Roshit. Që në orët e para të mëngjesit të ditës së djeshme, Lefteria ka urdhëruar një hetim të brendshëm për të gjetur njerëzit që kanë dekonspiruar përgjigjet e baronit të krimit që drejton Bashkinë e Kavajës.
Pasi ka urdhëruar hetimin, Lefteria ka ushtruar personalisht presion ndaj punonjësve të administratës, duke u deklaruar se do t’i shkarkojë nga puna dhe se do të mbajnë përgjegjësi për formularin e botuar në “RD”. Ligji në fakt e detyron Lefterinë që të bëjë transparencë për të gjithë formularët e depozituar në KQZ. Deri tani, ajo nuk ka pranuar që të zbardhë asnjë nga përgjigjet që kanë dhënë politikanët, duke refuzuar edhe ato pak kërkesa që kanë mbërritur në komision.
Shërbimet e fundit të Lefterisë për të inkriminuarit lidhen me disa probleme të rënda që Lefteria ka dhe që gazeta do t’i botojë gjatë ditëve të ardhshme. Ajo po kërkon t’i shërbejë pushtetit të krimit për të mbyllur një vrimë të zezë korruptive në atë institucion.
Asnjë formular i vetëdeklarimit nga zyrtarë dhe punonjës të administratës, nuk është dorëzuar në Prokurori për verifikim.
Edhe pse kanë kaluar 5 ditë nga hyrja në fuqi, asnjë titullar institucioni nuk ka dërguar në Prokurori ndonjë formular për të verifikuar, nga grupi i prokurorëve i ngritur enkas për këtë detyrë. Zyrtarisht, thuhet se Prokuroria nuk ka marrë ndonjë kërkesë nga institucionet përkatëse për të verifikuar gjendjen gjyqësore të zyrtarëve të lartë apo punonjësve të administratës.
Burimet thonë se më datë 4 maj, të gjithë zyrtarët dhe punonjësit e administratës duhet t’i dorëzonin formularët pranë titullarëve të institucionit. Pas dorëzimit të këtyre formularëve, mbetet në dëshirën e titullarit të institucionit për të dërguar formularin e vetëdeklarimit të ndonjërit prej punonjësve të tij Prokurorisë.
Me urdhër të kryeprokurorit, është ngritur grupi që kryen këto verifikime dhe drejtohet nga dy prokurorët Madrid Kullolli dhe Alfred Progonati si dhe tre hetuesve të Prokurorisë. Ky grup, sipas Prokurorisë, ka të drejtën e verifikimit të emrave konkretë për të kaluarën kriminale të subjekteve të ndryshëm, në rrugë zyrtare në institucionet ligjzbatuese shqiptare, si polici, prokurori dhe gjykata. Ku mund të kërkoi ndihmë edhe nga Shërbimi Informativ Shtetëror, zyra qendrore e Interpolit apo institucioneve të tjera ligjzbatuese në vendet e ndryshme me anë të letër-porosisë.
Mësohet se vetë prokurorët i kanë dorëzuar formularët e vetëdeklarimit në Prokurori të Përgjithshme, e cila i ka dërguar në Presidencë, ndërsa gjyqtarët pranë Këshillit të Lartë të Drejtësisë, e deputetët pranë Komisionit Qendror Zgjedhor.
Në formularin e vetëdeklarimit, çdo i zgjedhur apo emëruar në funksione publike duhet të plotësojë të dhënat personale dhe më pas t’i përgjigjet pyetjeve të renditura në këtë formular, ku mes tyre edhe nëse subjekti i plotësimit të këtij formulari ka qenë i dënuar ndonjëherë brenda dhe jashtë territorit shqiptar.