Kur të shkruhet historia e drejtësisë shqiptare apo biografitë e mamuthit të korrupsionit Koço Kokëdhimës, emri i Sokol Berberit do të shkruhet me shkronja të arta në analet e Partisë Socialiste. Është i vetmi kunat që bëhet copash dhe e ha turpin me bukë kur vjen puna tek porositë që i jep Fatmir Xhafa, ylli i familjes dhe i partisë. E paprecedentë, por me një shërbim prej berberi të pushtetit, Sokoli i Gjykatës Kushtetuese ishte i vetmi që doli kundër kolegëve të tij, kundër provave të pakundërshtueshme që implikonin Koçon në përfitimin e milionave të fondeve publike, duke shkelur statusin e deputetit. Berberi është i vetmi gjykatës që e gjen Koçon të pafajshëm.
Ky rast justifikon plotësisht shqetësimin e Partisë Demokratike dhe të publikut për mënyrën se si Partia Socialiste i është qasur Reformës në Drejtësi. Në draftet e Xhafës, në të gjitha rastet ishin hartuar një sërë kriteresh që klasifikonin si drejtues të institucioneve të drejtësisë kunatin e Fatmir Xhafës dhe një sërë juristësh, militantë të Partisë Socialiste dhe më e keqja ata që kanë hetuar, gjykuar dhe dënuar gjatë kohës së komunizmit.
Në draftin e Xhafës, sipas disa neneve të kundërshtuara me forcë nga PD dhe Komisioni i Venecias, kryetari i ardhshëm i Gjykatës së Kushtetuese ishte projektuar të vihej kunati i tij, Sokol Berberi. Berberët e pushtetit kërkohen të mbahen dhe të vihen në krye të institucioneve të reja të drejtësisë për të bërë avokatin e kriminelëve dhe të korruptuarve të pushtetit, sa herë që ligji i drejton në dyert e drejtësisë.
Nëse Gjykata Kushtetuese do të ishte e mbushur me berberë të pushtetit, sot Koço Kokëdhima do të ishte ende deputet. Po kështu, shpresa do të kishte edhe për lokomotivën e qeverisë, Valentina Leskajn, Rakip Sulin, Sadri Abazin, Pjerin Ndreun. Njësoj të mbrojtur do të ishin të gjithë anëtarët e tjerë të bandës së Edi Ramës, që mbajnë në kurriz një mal me krime dhe afera korruptive.
Mbrojtja e Berberit për Koçon
Vendimi i gjykatës ka pasur vetëm një votë kundër, atë të gjyqtarit Sokol Berberi. Ai është i vetmi anëtar që iu kundërvu tetë kolegëve të tij të trupës së Gjykatës Kushtetuese në vendimin lidhur me vlefshmërinë e mandatit të deputetit Koço Kokëdhima. Sokol Berberi në vlerësimin e tij shprehet dakord me shumicën e anëtarëve të gjykatës vetëm në lidhje me legjitimimin e Partisë Demokratike për të kërkuar interpretimin e nenit 70 të Kushtetutës. Por, nga ana tjetër, Berberi thekson se argumentet që ka përdorur shumica për të arritur në konkluzionin e shprehur në vendim niset nga një premisë e gabuar, duke e konsideruar vendimmarrjen e Kuvendit, sipas pikës 4, të nenit 70 të Kushtetutës, me natyrë politike. Sipas Berberit, Kuvendi, ndryshe nga premisa mbi të cilën bazohet shumica e anëtarëve të gjykatës, ngarkohet nga Kushtetuta për të ushtruar disa funksione. “Është e qartë se, funksioni ligjvënës dhe funksioni kontrollues ndaj qeverisë janë me natyrë politike dhe Kuvendi i ushtron ato si organ përfaqësues i sovranitetit të popullit. Përveç funksioneve klasike, ky institucion ushtron edhe disa funksione, të cilat nuk konsiderohen me natyrë politike”, argumenton Berberi. Duke vijuar më tej mendimin e tij të pakicës, Berberi thekson se në rastin konkret, Kuvendi, gjatë ushtrimit të kompetencave të tij të parashikuara në pikën 4, të nenit 70 të Kushtetutës, ka marrë një vendim, duke u mbështetur në interpretimin që vetë ai i ka bërë normës kushtetuese. “Papajtueshmëria me mandatin e deputetit është një çështje që hyn në sferën parlamentare dhe është një element i natyrshëm i së drejtës parlamentare, çka mbështetet edhe nga doktrina juridike kushtetuese. Rrjedhimisht, Kuvendi si organ kushtetues që përfaqëson një pushtet të caktuar, në frymën e parimit të autonomisë dhe vetërregullimit, brenda kufijve kushtetues, ka një rol vendimmarrës në procedurën e konstatimit të papajtueshmërisë me mandatin e anëtarëve të vet, siç është përcaktuar nga Kushtetuta në pikën 4, të nenit 70 të saj”, shprehet ai. Sipas Berberit, shumica e anëtarëve, me qëndrimin e tyre, është përpjekur të evidentojë ekskluzivitetin vendimmarrës që Gjykata Kushtetuese ka në proces, duke e reduktuar rolin e Kuvendit në një rol krejtësisht formal. “Gjykata, si rregull, është një organ që ka funksion rishikues, si dhe bën interpretimin përfundimtar të Kushtetutës. Ajo nuk bën vlerësimin fillestar të çështjes në themel, por kontrollon, në aspektin kushtetues, vendimmarrjen e institucioneve kushtetuese, pasi këto janë shprehur. Në këtë kuptim, edhe në rastin konkret ajo rishikon vendimmarrjen e Kuvendit, sipas pikës 4, të nenit 70 të Kushtetutës, pasi Kuvendi ka marrë vendimin t’ia dërgojë çështjen për konstatim të papajtueshmërisë”, shprehet anëtari i vetëm që është shprehur kundër vendimit të Gjykatës Kushtetuese lidhur me mandatin e deputetit të PS-së, Koço Kokëdhima.