Thaçi: Kosova dhe Serbia të zbatojnë marrëveshjet e Brukselit

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka deklaruar se Kosova dhe Serbia pa kushte duhet t’i plotësojnë obligimet nga marrëveshjet e arritura në Bruksel, në kuadër të dialogut për normalizim të raporteve. “Institucionet e Kosovës po e zbatojnë agjendën e planifikuar. Zhvillimi i raporteve ndërmjet Kosovës e Serbisë nuk mund të vendoset me kushtëzime dhe vështirësim të punës së njëra-tjetrës. Kosova do t’i plotësoj obligimet e veta dhe njëherësh Serbia do ta bëjë të njejtën gjë. Ky është proces, i cili ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian”, tha presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, në intervistë për agjencinë beogradase të lajmeve, Beta. Mëtutje, zoti Thaçi ka vlerësuar se situata aktuale politike dhe e sigurisë në Kosovë është e mirë dhe se Kosova është në rrugën e thellimit të reformave në politikë, ekonomi dhe sundim të ligjit. “Kosova është në rrugën e forcimit të rendit dhe ligjit, forcimit të luftës kundër krimit të organizuar dhe dukurive të tjera negative, fundamentalizmit fetar dhe terrorizmit dhe njëherësh punon në forcimin e demokracisë. Mendoj se Kosova po ndërmerr hapa të rëndësishëm në rrugën e vet evroatlantike”, tha Hashim Thaçi. Ai, pastaj i tha agjencisë Beta se së shpejti pret formimin e Forcave të Armatosura të Kosovë, që janë forca multietnike, të cilat do ta hapin perspektivën për proces për anëtarësim në NATO. “Po flasim me përfaqësuesit e bashkësisë serbe që edhe ata të integrohen në procesin e formimit të Forcave të Armatosura të Kosovës, pasi këto forca nuk janë në dobi të njërës palë e në dëm të komunitetit tjetër”, tha presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi. “Këto do të ishin forca shumëkombëshe sipas standardeve të NATO-s. Jam optimist se kjo do të ndodhë”, tha Thaçi.

Exit mobile version