Mark Vilmots duket se nuk ka ndërmend të japë dorëheqjen nga drejtimi i Belgjikës pas dështimit të radhës me një brez shumë të talentuar lojtarësh. Por largimin e tij mund ta dekretojë në javët në vijim Federata belge, e cila ka bërë të ditur se do të ulet në tavolinën e bisedimeve me trajnerin.
“Pas konsultave mes drejtuesve të lartë, kemi vendosur të mos ndërmarrim asnjë vendim të nxituar, por të punojmë disa javë mbi një vlerësim të hollësishëm të paraqitjes së ekipit kombëtar.
Një vendim rreth kësaj çështje do të jepet kur të merret, por nuk duhet pritur në ditët në vijim”, ishte qëndrimi zyrtar i Federatës Belge, i publikuar nga “Sky Sport”.
Të gjitha mediat belge kanë cilësuar Vilmots si shkaktarin kryesor të humbjes së kombëtares me Uellsin dhe kërkojnë shkarkimin e tij, ndonëse ai ka edhe dy vite kontratë në drejtimin e Belgjikës.
Shumë mund të prisnin një lojë të mirë, por pak kush mund ta kishte imagjinuar që një skuadër debutuese si Uellsi të arrinte deri në gjysmëfinalen e Euro2016, duke mundur me rezultatin 3-1 Belgjikën e yjeve si Hazard, Lukaku apo de Bruyne. Edhe pse të gjendur në disavantazh prej minutës së 13’, kur Nainggolan kaloi në avantazh Belgjikën, djemtë e drejtuar nga trajneri Chris Coleman nuk u stepën, por arritën të gjenin golin e barazimit përmes kapitenit Ashley Williams në minutën e 31’.
Ashtu edhe si në pjesën e parë, edhe në të dytën loja mes dy ekipeve ka qenë thuajse e barabartë mes dy ekipeve, por ata që arritën të bënin diferencën kanë qenë uellsianët, të cilët arritën të shënonin dy herë. Goli i avantazhit për britanikët e Uellsit u shënua nga Hal Robson-Kanu në minutën e 55’. Por edhe pse të gjendur në avantazh skuadra e Coleman ka vijuar të sulmojë dhe në minutën e 86’ me anë të Sam Vokes i ka dhënë goditjen e nokautit Belgjikës, e cila për minuta të tëra nuk arriti të gjente sërish rrjetën.