Myrteza Çaushi ose i njohur ndryshe si Zani i Vlorës është një emër i njohur për Shqipërinë, pas rrëmujave që përjetoi vendi në konfliktin civil në vitin famëkeq 1997.
Emri i tij jehon në opinionin publik edhe sot, sidomos për faktin që tashmë nipi i tij kandidon për këshilltar bashkie në Vlorë.
Dje në Vlorë që është zona elektorale e Kryeministrit, janë prezantuar edhe kandidatët për Këshillin Bashkiak, ku shkëlqeu nipi i Zani Çaushajt.
Ervis Çaushaj, u bëri thirrje të gjithëve të votojnë për Edi Ramën.
Sigurisht që ai nuk mban përgjegjësi për xhaxhain dhe nuk do të binte në sy nëse nuk do të kishte një karrierë të shpejtë në administratë, menjëherë sa PS erdhi në pushtet. Në përshkrimin që ka çuar në Komisionin Qëndror të Zgjedhjeve, e thekson me krenari që ka hyrë në PS që kur ishte minoren, ne 2003, vetëm 14 vjeç.
Në 2011 ka mbaruar shkollën për Shkenca Politike, por u punësua vetëm 2 vjet më vonë. Në 2013, sapo PS erdhi në pushtet, filloi punë si specialist në Institutin e Sigurimeve Shoqërore, megjithëse diploma nuk përkonte më këtë funksion.
Aq shumë shkëlqeu në 2 vjet aty, nipi i Zani Çaushit, sa u emërua në 2015 shef i terminalit të Portit të Vlorës, një funksion i lakmuar nga të gjithë. Pasi u emërua në një punë që nuk ka lidhje me profesionin e tij, sigurisht me konkurs, tani ka vendosur të ndjekë profesionin për të cilin është diplomuar.
E fillon politikën nga Këshilli Bashkiak. Kështu një ditë, nipi i Zani Çaushit, mund të bëhet edhe kryetar i Bashkisë Vlorë, deputet, pse jo edhe Kryeministër. Brenda PS tani ka shumë njerëz që mund të votojnë për të, mjafton që xhaxhai të lobojë pak në qelitë përreth. /Fastnews.al