Thyhet “mallkimi”

Stadiumi “Anoeta” ishte kthyer në një makth për Barcelonën, e cila nuk fitonte në fushën e Real Sociedad prej 10 vitesh. Por katalanasit më në fund kanë buzëqeshur mbrëmjen e të enjtes duke thyer këtë mallkim dhe duke marrë një fitore që i vendos në pozita të favorshme për kalimin në turin tjetër të Kupës së Mbretit.
Skuadra e Luis Enrikes dhuroi një paraqitje shumë të mirë dhe gjeti shumë shpejt golin që i nevojitej, falë një kundërsulmi të Nejmar që u ndalua në mënyrë të parregullt në zonën e rreptësisë. Mesi vendosi të lejonte brazilianin të gjuante nga pika e bardhë penalltinë që u akordua dhe Nejmar nuk gaboi, duke i dhënë avantazhin Barcelonës.
Skuadra katalanase provoi në të gjitha mënyrat që të gjente një tjetër gol, duke sulmuar me ngulm edhe pse pa sukses, ndërsa Real Sociedad rrallë herë u shfaq para me Cilesen, i cili ishte praktikisht një tifoz në këtë duel. Megjithatë, me këtë fitore minimale 1-0 në sfidën e parë, Barça shkon e qetë në ndeshjen e kthimit, të cilën e luan në javën e ardhshme.
Ndërkohë, Ivan Rakitiç ka deklaruar se dëshiron të qëndrojë gjatë tek Barcelona. Mesfushori kroat, Ivan Rakitiç, nuk është i “brengosur” për reduktimin e ndeshjeve nga trajneri Luis Enrike, i cili është i gatshëm të nënshkruajë kontratë të re, shkruan “Goal.com”. “Shpresoj të vazhdoj këtu edhe për shumë vite. Dua të rinovoj kontratën me Barcelonën”, deklaroi kroati.
Edhe Atletiko Madrid ka fituar pa vështirësi ndeshjen e parë në Kupën e Mbretit kundër Eibar, në një sfidë të dominuar plotësisht nga skuadra e Simeones. Mendohej se ekipi do të shfaqte probleme pas zërave të fundit për transferimin e lojtarëve si Grizman e Karrasko që janë shumë të kërkuar në merkato. Por në fushën e lojës, madrilenët dominuan plotësisht dhe ndëshkuan Eibar në gabimin e parë që kreu, duke gjetur avantazhin pikërisht me Grizman.
Korrea dhe Gameiro realizuan dy gola të tjerë në pjesën e dytë, duke siguruar një fitore 3-0 që kthen në formalitet kualifikimin e Atletikos në turin tjetër.
Për të tretën ndeshje radhazi, Keidi Bare ishte përsëri mes 18 lojtarëve të gatshëm për këtë ndeshje. Pas debutimit me ekipin e parë në Kupën e Mbretit në javën e kaluar, mesfushori ka qenë në stolin e rezervave si në ndeshjen e kampionatit në fundjavë ndaj Betis, ashtu edhe në sfidën e djeshme, edhe pse Simeone zgjodhi të mos e aktivizonte.

Exit mobile version