Gerti Bogdani
Projekti i Veliajt për parkun është tradhti ndaj qytetarëve dhe një shkelje e gjithanshme e ligjit sepse;
Nuk ka bërë asnjë konsultim publik ashtu si e parashikon ligji.
Nuk ka një projekt përfundimtar, por një projekt që ndryshon sipas rastit, kundër çdo parimi ligjor.
Nuk ka leje mjedisore e as studim mjedisor.
Gënjeu kur tha që s’do pritet asnjë pemë, sepse pemët u prenë.
Gënjeu kur tha s’do ketë beton, sepse 31 betoniera janë derdhur deri tani m’u në zemër të parkut.
Gënjeu për lokalin, sepse lokali ishte tenderuar dhe ishte i publikuar në faqen publike të tenderave.
Mashtron njerëzit dhe veten nëse mendon se shkarpat dhe fidanet 500 lekësh që mbjell poshtë e lart me 100 media nga mbrapa, do munden ta mbulojnë shkatërrimin me beton të mushkërisë së vetme të Tiranës.
Shkarpat dhe fidanet 500 lekësh as nuk i mbulojnë dot dhe as nuk i zëvendësojnë dot pemët 60-vjeçare dhe natyrën që po masakron!
Shkarpat dhe fidanet 500 lekësh nuk do mbulojnë dot as pallatet që do ndërtohen tek Garda e në anë të Universitetit. Sepse është pikërisht për t’i hapur rrugë pallateve brenda parkut, që ky i ashtuquajtur “kënd lojërash” kalë troje, po hedh beton në zemër të Parkut të Liqenit.
I bëjmë thirrje të përsëritur Prokurorisë, të veprojë për denoncimet e njëpasnjëshme që janë bërë për këtë çështje nga PD dhe nga qytetarët.
I bëjmë thirrje çdo institucioni përgjegjës që të mos bëhet palë në këtë mashtrim antiligjor dhe shkeje flagrante ligji nga të gjitha anët!
Rezistenca dhe beteja e qytetarëve të Tiranës për Parkun e tyre do të jetë edhe më e fortë dhe më e vendosur.
I bëjmë thirrje çdo qytetari të Tiranës të bashkohet në luftën ndaj kësaj padrejtësie, për fëmijët tanë, për veten tonë, për të ardhmen tonë!
Sa më shumë thellon paligjshmërinë e tij në Parkun e Liqenit, aq më shumë Erion Veliaj shton dhe dhunën ndaj qytetarëve të Tiranës që kanë dalë në mbrojtje të pasurisë së tyre.
Partia Demokratike e dënon ashpër dhunën brutale ndaj protestuesve dhe aktivistëve të Shoqërisë Civile, dy netë më parë, nga drejtuesit e policisë së Veliajt, dhe i siguron ata se do të mbajnë përgjegjësi për paligjshmërinë ku janë zhytur, për zbatimin e urdhrave politike të shefit të tyre, për mbrojtjen e betonit dhe jo të qytetarit!
Tirana është e qytetarëve, jo e arrogancës së pushtetarëve!