Tokio shpall gjendjen e jashtëzakonshme, rrezikohen Lojërat Olimpike

Autoritetet japoneze shpallën gjendjen e jashtëzakonshme në Tokio pas një vale tjetër të koronavirusit, me masat që do të hyjnë në fuqi të hënën, dhe do të vazhdojnë deri në 22 gusht, dy javë pas përfundimit të Olimpiadës.

Japonia është në pozitë të vështirë, pasi vetëm 7% e qytetarëve janë vaksinuar, në krahasim me rreth 25 për qind në vendet e tjera të zhvilluara. Shefi ekzekutiv i Lojrave Olimpike, Toshiro Muto, kishte parashikuar që të kishte të paktën 50% tifozë nëpër impiante, me limit deri në 10, 000 spektatorë, por tashmë gjërat kanë ndryshuar.

Autoritetet vendase kanë deklaruar se edhe ky numër i kufizuar publiku nuk duhet të jetë në gara pas orës 21:00, duke e bërë më pak të mundshme praninë e tifozëve. Kryekëshilltari japonez për koronavirusin, Shigeru Omi, këshillon se është më mirë që Lojërat të zhvillohen me dyer të mbyllura.

Qeveria qendrore dhe pushteti vendor është në pozitë të vështirë sepse opinioni publik japonez është kundër mbajtjes së Olimpiadës, jo vetëm kundër pranisë së tifozëve. Mungesa e tifozëve pritet të rrisë kostot për organizatorët, sepse nuk mund të merren të ardhura nga biletat, ndërsa shpenzimet janë tepër të larta.

Exit mobile version