Tomorri: Pastrimi i parave çon në kriminalizimin e biznesit

Gazetari i ekonomisë, Klodian Tomorri, thotë se skemat e pastrimit të parave mund të çojnë në kriminalizimin e biznesit. Sipas tij, fakti që ngjallin më pak dyshime i shtyn shumë prej kompanive ekzistuese të përfshihen në skema të pastrimit të parave.

“Në këtë lojë mund të hyjnë edhe kompani që kanë një background. Ti e ke më të lehtë të diktosh një kompani që del nga hiçi, thjesht me qëllimin për të bërë pastrimin e parave. Por kur ky infeksion përhapet edhe te bizneset e tjera, kjo është më problematike sepse çon në kriminalizimin e biznesit. Nuk janë vetëm paratë e korrupsionit, janë edhe para që burojnë nga krimi, trafiqet, pra industria kriminale në tërësi.”

Tomorri tha se kriminaliteti i eksportuar jashtë gjeneron të ardhura që më pas kthehen në vend për t’u pastruar. Ai përshkroi një prej skemave klasike të pastrimit të parave.

“Jemi në kontekstin e sekuestrimit, jo të konfiskimit. Edhe në këto përmasa është pak, sepse siç e pranon SPAK në raportin e vet drejtuar Parlamentit, fenomeni i pastrimit të parave është masiv. Shqipëria është një vend me kriminalitet të lartë, jo vetëm brenda territoreve por me kriminalitet të eksportuar. Ky kriminalitet gjeneron të ardhura që vijnë në Shqipëri dhe pastrohen. Përballë këtij fenomeni, lufta duhet intensifikuar sepse goditja më efikase ndaj krimit është goditja financiare. Prandaj vendet e zhvilluara i japin rëndësi të veçantë luftës kundër pastrimit të parave.

Korrupsioni është në nivele të larta, por edhe kriminaliteti i eksportuar është ne nivele të larta. E kemi parë që bandat shqiptare po dominojnë tregjet e narkotrafikut. Do të ishte spekulim të thoshe nga gjenerohen më shumë para nga industria e krimit në Shqipëri. Kemi një industri të pastrimit të parave, SPAK na ka listuar edhe mënyrat sesi këto para pastrohen.

Një zyrtar publik që ka në dorë të japë një tender apo një koncesion, ia jep atë shoqërisë X. Ndërkohë ai vetë ose të afërm mund të zotërojnë një kompani jashtë vendit. Pasi i jep tenderin kompanisë këtu e detyron atë të transferojë para te shoqëria që kontrollon jashtë. Këtë mund ta bëjë përmes blerjes së mallrave me diferenca të larta në çmim. Mënyrat për këtë janë të shumta. Por gjithmonë ka nevojë për kompani që kryejnë transaksionet me njëra-tjetrën. Ne kemi parë se si paratë e korrupsionit pastrohen përmes shoqërive tregtare. Kemi rastin e koncesionit të sterilizimit.”

Sipas Tomorrit, lufta kundër pastrimit të parave duhet intensifikuar.

“Ka vende në botë, që edhe kontrabandën e cilësojnë si kërcënim të sigurisë kombëtare. Sepse këto para që gjenerohen nga ky aktivitet, blejnë pushtet. Pra, kapin funksionarët publikë dhe diktojnë rregullat e lojës. Kur krimi dhe pushteti bëhen bashkë, ajo që prodhohet në atë vend është kriminalitet dhe varfëri për qytetarët. Mjafton të shohim rastet e narkorepublikave.”

Exit mobile version