Fernando Torres ka rinovuar edhe me një vit kontratën e tij me Atleticon e Madridit. Në një intervistë të dhënë për faqen zyrtare të klubit, sulmuesi u shpreh shumë i lumtur që do të vazhdojë të jetë pjesë e kësaj skuadre. Entuziazmi i tij shkon edhe më tej, duke deklaruar se do të donte të luante përgjithmonë tek Colchoneros.
Valencia po përgatit një tjetër goditje në merkato. Drejtuesit e klubit spanjoll kanë vendosur në qendër të vëmendjes, mbrojtësin e Zenitit, Lusi Neto. Për portugezin, Valencia ka ofruar 5 milionë euro. Objektivi duket i arritshëm, pasi tekniku i ekipit rus, Roberto Mançini nuk e sheh 29-vjeçarin si pjesë e planeve të tij.
Real Madridi ka njoftuar se Theo Hernandez, që u transferua ditë më parë nga Atletico Madridi për 26 milionë euro, ka kryer me sukses testet mjekësore gjatë ditës së djeshme. Lojtari ka nënshkruar kontratë pesëvjeçare me Los Blancos.
Mediat spanjolle raportojnë se gjatë ditës së sotme Reali do të zyrtarizojë edhe një tjetër lojtar. Bëhet fjalë për talentin spanjoll, Dani Ceballos, që thuhet se i ka kushtuar 18 milionë euro dhe lojtari ka nënshkruar kontratë deri në vitin 2023 me kampionët e Evropës.
Celta Vigo kërkon transferimin e Emre Mor. Talenti 19-vjeçar i Borussia Dortmund ka tërhequr vëmendjen e spanjollëve. Turku tek verdhezinjtë nuk ka mundur dot të gjejë shumë hapësira, për shkak të rivalitetit të madh brenda skuadrës, gjë të cilën duket se ia ofron Celta Vigo.
Barcelona vazhdon kërkimet për një emër cilësor në repartin e mesfushës. Pjaniç, Vidal, Javi dhe Paulinho janë këta disa nga emrat që pëlqejnë drejtuesit katalanas. Në ditët në vazhdim pritet të zhvillohen dhe disa takime me menaxherët e tyre.