Totti i kundërpërgjigjet drejtuesve

Një legjendë si Francesco Totti nuk vdes kurrë dhe këtë gjë e dinë shumë mirë tifozët e Romës. Pavarësisht moshës së madhe dhe vështirësive që ka kaluar së fundmi, në sfidën e së mërkurës ndaj Torinos, Totti tregoi edhe njëherë tjetër se sa vlen. Ajo që bëri ndaj skuadrës Granata mund të konsiderohet edhe si një fitore personale e kapitenit kundër trajnerit të verdhekuqve, Luciano Spalletti dhe jo vetëm. Mjaftuan pak minuta në fushën e blertë, ku falë dy golave të tij Totti i dha  skuadrës një trepikësh shumë të rëndësishëm. I ndodhur me shpatulla pas murit, teknikut Spalleti nuk i mbeti gjë tjetër veçse të komplimentonte 39-vjeçarin.
Përpara mikrofonëve Spalletti përsëriti sërish se është ai që vendos në lidhje me formacionin. Diçka normale kjo, por kur behët fjalë për skuadrën e Romës dhe numrin 10 të saj situata bëhet disi më e veshtirë. Nga ana tjetër, drejtuesit e Romës vazhdojnë të jenë të mendimit për të mos i rinovuar kontratën Tottit por, paraqitjet në takimet e fundit mund t’i japin një tjetër rrjedhë të ardhmes së kapitenit. Pas asistit për Salah ndaj Bolognës, golit kundër Atalantës erdhi dhe dygolëshi ndaj Torinos. Në vetëm 20 minuta të luajtura në dy takimet e fundit, idhulli i tifozerisë verdhekuqe ka arritur të realizojë tre gola, duke i dhuruar ekipit 4 pikë. Shifra të kënaqshme këto për një futbollist të moshës së tij. Francesco Totti e ndjen ende veten të gatshëm të luaj dhe stoli për të duket i papranueshëm. 39-vjeçari për momentin nuk e sheh veten të ulur në një tavolinë, duke bërë rolin e drejtuesit.
Pas kësaj fitore, e cila pothuajse ia ka siguruar vendin e tretë, trajneri i romakëve, Luciano Spalletti, ka lavdëruar ikonën e klubit, Tottin. “Ishte një fitore e rëndësishme sidomos në lidhje me rezultatet e tjera të kësaj mbrëmjeje”, ka thënë Spalletti prë Premium Sport. “Unë isha duke shpresuar se Totti mund të na frymëzojë. Ishte diçka e madhe për të dëgjuar ulërimë në stadium. Ai e bërë atë që ka bërë edhe herëve të tjera, dhe është një burim i rëndësishëm për ne”, ka theksuar ai.

Exit mobile version