Barcelona, tërmet 8 ballësh!

Barcelona tërmet 8 ballësh në Riazor, Atletiko s’i ndahet sipas mënyrës së tij me një fitore të rëndësishme në San Mame, ndërsa Reali nuk fal në “Bernabeu” përballë Villarealit. Vijon e ethshme gara për titullin në La Liga me tre skuadrat e kreut që i ndan vetëm një pikë edhe pas javës së 34, duke premtuar spektakël deri në fund.
Në Riazor Deportivo u kthye në viktimën e shfryrjes së dufit nga Barcelona që vinte pas 3 humbjeve radhazi dhe me kryesimin në fije të perit, me blaugranat që nuk u kursyen për t’u kthyer në shtëpi me një fitore 8-0 për t’i treguar botës se kanë mbetur të njëjtët dhe nuk kanë ndërmend të lëshojnë pe në garën për titullin.  Te Barca shënojnë të gjithë, por ishte mbrëmje e veçantë për Luis Suarez autor i një katër golëshi që e kandidon si rivalin kryesor të Ronaldos në garën për titullin e kryegolashënuesit. Ishte pikërisht urguajani që hapi festivalin në minutën e 11, në të 24 sërish bis nga El Pistolero që këtë herë i duhet të falënderojë Lionel Mesin për këtë vertikalizim klasi me argjentinasin që i shërben pa e parë fare për golin e 2-0.
Në të 47, Suarez veshi dhe kostumin e njeriut asist për t’i shërbyer Rakitiç topin e 3-0  më ndeshjen që tanimë luhej vetëm me një portë. 6 minuta më vonë tjetër vertikalizim i mrekullueshëm i Mesit për Suarez që i vetëm përballë portierit shënon golin që i jep topin e ndeshjes, ndërsa për ta ekzagjeruar krejtësisht El Matador shënoi dhe golin e katërt personal në të 64.
30 gola për Luis Suarez në La Liga, Cristano Ronaldo është i paralajmëruar ka konkurencë për Këpucën e Artë dhe për t’ia shpërblyer asistet e mrekullueshme Suarez i dhuron argjentinasit një penallti në aksion me Mesin që thjeshtë dhe pastër shënon golin e 501 të karrierës. Makthi për Deportivon ende nuk kishte përfunduar, pasi 5 minuta më vonë Marc Bartra bëri gjithçka vetë duke avancuar dhe gjuajtur edhe pse me vështirësi për të vendosur emrin në tabelën e rezultatit dhe kush kishte mbetur pa shënuar? Vetëm Neymar dhe ja ku është në të 80 teksa merr pasimin nga Suarez shmang dhe portierin dhe shënon golin e tij të 22 në kampionat. Mbrëmje ilaç për Barcelonën që fiton 8-0, 3 asiste dhe katër gola për Suarez, shënon Mesi, shënon dhe Neymar që mungonte në takimin me golin prej 5 ndeshjesh.
Gjithsesi Atletico nuk i ndahet katalanasve, edhe pse jo me bujën e formacionit blaugrana. Los Colchoneros fituan me rezultatin minimal 1-0 një ndeshje të një shkalle vështirësie shumë më të lartë, pasi u imponuan në San Mames përballë Athletic Bilbaos. Ndeshje e vendosur në minutën e 38 nga Fernando Torres, po kalon një rini të dytë El Nino, që shënoi me kokë pas asistit të Antuan Griezman.
1-0 dhe kaq i mjafton Atleticos për të qëndruar në të njëjtën kuotë pikësh me Barcelonën në krye të klasifikimit, duke mbajtur nën presion katalanasit. Mbetet vetëm një pikë pas Realit të Madridit që nuk dështon në provimin me Villarealin, ndeshje e fituar me rezultatin 3-0 nga skuadra e Zinedine Zidane. Los Blancos në avantazh në minutën e 41 me Karim Benzema që nuk fal me kokë.
Në formë francezi që jep dhe asistin e dyfishimit për Lucas Vazques që vë fitoren në kasafortë në minutën e 69. Padyshim i etur për të shënuar Cristiano Ronaldo. Domethënëse pamjet kur shtyn topin në rrjetë me dorë, pasi ka lënë dhe copa bluze në duelin me mbrojtësit e Villareal. Gjithsesi goli i tretë vjen nga Luka Modriç, dhe çfarë goli madje, me kroatin që shënon fluturimthi në krosimin nga e djathta të Danilos.
3-0 dhe mjafton edhe pa golin e Ronaldos, që mbetet në kuotën e 31 finalizimeve, vetëm një më shumë tanimë se Suarez, me Spanjën e futbollit që përjetoi një tjetër mbrëmje spektakolare.

Exit mobile version