Italia: Trafiku i mbetjeve, me miratimin e qeverisë shqiptare

Janë zhdukur apo jo 1300 konteinerë me mbetje urbane ku dyshohen se janë futur edhe mbetje të rrezikshme toksike që janë djegur në landfillet e Shqipërisë? Lajmi i botuar nga “Pianet Italia”, në fillim u mundua të injorohej nga ana e kryeministrit, por duket se ditën e djeshme ai ka bërë xhiron në disa nga mediat më të njohura të Italisë. Gazeta më e vjetër atje, “Roma” e dalë në botim që në vitin 1862, flet për zhdukjen në Shqipëri të 1300 konteinerëve që janë nisur sipas saj nga Italia e Jugut  për t’u ricikluar drejt Maqedonisë, duke hedhur dyshime të forta se ky trafik ndodh me miratimin e qeverisë. Po ashtu dhe rrjeti i televizionit “SkyNews”, apo “Rainews24” e kanë trajtuar këtë çështje në edicionet e tyre informative. Dje qeveria angazhoi konsullatën tonë në Itali, për të shantazhuar portalin, i cili sipas saj po dëmton  imazhin politik të qeverisë shqiptare (nuk dihet kur e ka pasur ndonjëherë të të padëmtuar në këto tre vjet).  Ndërkohë në Shqipëri kanë dalë dhe doganat shqiptare që kanë thënë se nuk është vënë re ndonjë gjë e dyshimtë në trailerët që janë dërguar drejt Maqedonisë, duke na thënë se janë evidentuar vetëm mallra ushqimorë dhe veshmbathje drejt vendit fqinjë. Por nga ana e saj, firma e mbetjeve në Maqedoni nuk ka reaguar në lidhje me këtë çështje. Nuk është i fshehur fakti tashmë se firma e vendosur në Dresia të Shkupit, importon mbetje nga Italia për riciklim në landfillin e ngritur atje. Dhe rruga më e shkurtër mbetet Shqipëria. Doganat shqiptare mohuan dhe faktin që këto konteinerë kanë kaluar qoftë dhe tranzit nëpër vendin tonë, por ama doganat e vendit fqinj, në dokumentet e publikuara nga portali italian thonë ndryshe. Ato janë nisur nga protet e Puglias, Campagnias dhe Ligurias drejt vendit tonë.

Alarmi

Në brigjet e vendit fqinj, është ngritur me kohë alarmi se mbetje të rrezikshme po kalojnë drejt Shqipërisë për t’u groposur apo ricikluar në vendin tonë. Në verën e vitit të kaluar në Portin e Barit u sekuestruan rreth 8.5 tonë mbetje të riciklueshme, përfshirë bateri makinash, vaj makinash, kabllo elektrikë që prisnin të kalonin nëpër Shqipëri. Eshtë një biznes që në rang botëror kap miliarda dollarë, dhe  ku targeti kryesor i trafikantëve janë vendet e varfëra dhe ato në zhvillim. Shqipëria duke mos qenë anëtare e BE-së, jo pak herë sipas medieve italiane është bërë dhe rrugë kalimi për mbetjet toksike, me destinacion vendet afrikane apo dhe ato aziatike. Dhe dihet që mafia italiane është në krye të këtij trafiku. Jo në pak herë, ajo shfrytëzon lidhjet me trafikantët shqiptarë për të kryer këtë llooj trafiku në vendin tonë. Një prakttikë e hershme, kjo që nga koha e diktaturës kur shteti shqiptar i asaj kohe pranoi të fuste rreth tonelata mbetje toksike në vendin tonë, praktikë të cilën Edi Rama do e sillte në vendin tonë sërish pas 26 vjetësh të rënies së komunzimit. Dyshimet janë se këto mbetje asgjësohen kryesisht në aksin Tiranë, Elbasan, Durrës si pikat më të afërta, të cilat ulin dhe kostot e transportit, duke përdorur landfillet e ngritura për këtë qëllim.

Sulmi ndaj portalit

Pasi lajmi u bë publik në shumë media prestigjioze të vendit fqinj, Edi Rama natyrisht nuk mund të mbështetej vetëm në lajmet e injektuara nga këshilltari i tij Fuga, nëpër portalet apo mediat e kontrolluara prej tij. Fakti se portali ishte në pronësi të një senatori të dënuar për korrupsion atje, nuk mund të hidhte poshtë ato çfarë ai kish nxjerrë. Ditën e djeshme ka angazhuar konsullatën tonë në Itali, Anila Bitri për t’i kërkuar sitit në fjalë të bëjë përgënjeshtrim për atë çfarë ka shkruar. Në fakt në letrën e saj zonja Anila Bitri nuk jep ndonjë të dhënë të veçantë për këtë çështje, por i referohet vetëm deklaratave zyrtare të organit të hetimit. Duket se në letrën e saj, zonja konsulle ka hallin e imazhit të Kryeministrit, se sa të asaj çfarë po ndodh. Në fakt, letra e zonjës Konsulle, nga fillimi deri në fund ngjan me një kërcënim që i bëhet portalit italian, që ka premtuar t’i shkojë deri në fund këtij skandali, që rrezikon siç thotë ajo “jetën e njerëzve të vendit të shqiponjave”. Ja se çfarë thotë zonja Bitri në reagimin e saj. “Mediat shqiptare i dhanë rëndësi negative dhe në mënyrë kritike kanë stigmatizuar sjelljen e paligjshme që ia kanë atribuar drejtpërdrejt qeverisë dhe në veçanti Kryeministrit, me pasoja të rënda për bilancin politik dhe social në vend. Edhe më e rëndë është humbja e imazhit të Republikës së Shqipërisë dhe njëkohësisht fyerje për vendin që ambasadori i nënshkruar ka nderin të përfaqësojë. Dëmi që pasoi, kërkon të njëjtin intensitet reagimi dhe ka legjitimuar kërkesën aktuale për korrigjimin e informacionit të rremë. Duke ju ftuar përfundimisht të kontrolloni, siç është e drejta juridike, se si është vërtetësia e lajmeve. Ju japim paralajmërimin formal për publikimin me të njëjtat karakteristika tipografike, një rregullim të qartë se çfarë është thënë në mënyrë të gabuar nga gazetari, në përputhje me dispozitat e ligjit italian dhe ligjeve ndërkombëtare. Në këtë rast neni. 8 L 48/1948, i ndryshuar, i jep detyrimin ndaj drejtorit përgjegjës për të futur, jo më vonë se dy ditë nga dita në të cilën kërkesa është bërë “në të njëjtën faqe, e cila ka raportuar lajmin, korrigjimet dhe deklarata të referencës, që do të duhen të  publikohen në tërësinë e tyre me të njëjtat karakteristika tipografike. Pa kaluar në rezultatat e duhura dhe/ose ndryshe pa vënë në vend përshtatjen e kërkuar në mënyra dhe forma që kërkohen, do merren të gjithë masat e duhura për të mbrojtur imazhin e Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së saj aktuale”, thuhet në letrën drejtuar sitit në fjalë. Por konsullja jonë atje, do bënte mirë që përpara se të kërcënonte gazetarët e një vendi Sovran, të kërkonte të vihej në dijeni për dokumentacionin që disponon kjo gazetë. Dhe në rast se nuk e di, po ja mësojmë që në rast se shkrimi është i shoqëruar me faksimile të dokumentave origjinalë, atëherë në gazetari merret si katërcipërisht i vërtetë. Por me sa shihet zonja Bitri ka zbatuar vetëm një urdhër të kryeministrit.

Berisha: Në krye të trafikut të mbetjeve qëndron Edi Rama

Ndërsa mediat italiane vazhdojnë të raportojnë për zhdukjen në Shqipëri të 1300 konteinerëve me mbetje të rrezikshme, që ishin nisur për në Maqedoni, së fundi vjen një reagim edhe nga ish-kryeministri Berisha. Përmes një postimi në faqen e tij në Facebook, Berisha thotë se në qendër të këtij superskandali qëndron vetë Edi Rama. Berisha i bën thirrje Prokurorisë të nisë menjëherë hetimet. Më poshtë postimi i plotë i tij, shoqëruar me faqen e parë të gazetës “Roma”. Edi Rama në qendër të superskandalit të groposjes së mbi 30 mijë tonelatave helme të rrezikshme në Shqipëri! Të dashur miq, superskandali i mbi 1300 konteinerëve me helme të rrezikshme të nisur për Maqedoni, por që u “zhdukën” në Shqipëri, ka mbushur dje dhe sot faqet dhe ekranet televizive të Italisë. Kështu “Rai News 24”; “SkyTg 24”; emisionet e lajmeve të “Mediasetit”; gazeta më e vjetër e Italisë “Roma”, jepnin alarmin për zhdukjen në Shqipëri të mijëra konteinerëve me helme të rrezikshme në Shqipëri. Në Parlamentin italian ka nisur hetimi për këtë superskandal. Burime të sigurta njoftojnë se Rama drejtoi vet direkt operacionin e futjes së tyre sekret nga doganat e Shqipërisë! I bëj thirrje Prokurorisë së Përgjithshme të nisë menjëherë hetimin për këtë superskandal që mund të ketë pasoja katastrofike për shqiptarët!

“Pianet Italia”: S’është faji jonë që keni kryeministër Ramën

Por jo më pak epike dhe ironizuese ka qenë përgjigja e portalit “Pianeta Italia”. Redaktorët e saj i kanë kujtuar zonjës në fjalë, se deri një ditë më parë mediat e kontrolluara nga qeveria e saj shpreheshin se ishte një site inekzistent, atëherë si ka mundësi që një zyrtare përfaqësuese e një vendi atje i jep përgjigje një diçkaje që nuk ekziston. Më poshtë, po japim të plotë përgjigjen që redaksia e “Pianet Italia”, i kthen konsulles, por edhe shefave të saj në Tiranë.

“Një përgjigje për shqiptarët

Të paktën kështu thonin disa televizione shqiptare që trajtuan hetimin tonë dhe duke u shprehur për rolin e papërfillshëm të një pune gazetareske investigative për të zbardhur një prej ngjarjeve më të rrezikshme dhe të frikshme në lidhje me krimin ndaj ambientit në “vendin e shqiponjave” në Ballkan. Dhe më pas, një interesim shumë të madh, nga ana e televizioneve dhe gazetave dhe më shumë se 30 mijë klikime brenda 48 orëve për një artikull jo shumë të rëndësishëm për ne, në Itali, por për një çështje shumë të ndjeshme në Shqipëri në lidhje me dyshimet se dikush në politikë ka bërë ose ka ende interesa për të favorizuar “trafikantët e plehrave’. Një shtyp i lirë në një vend të lirë, nuk bën asgjë më shumë se detyrën e tij, atë të informimit. Nuk është “luftë politike” nëse kryeministri i Shqipërisë Edi Rama shkon në parlament dhe paraqit një ligj, duke kërkuar që të lejohet importimi i mbetjeve dhe plehrave urbane e industriale, pasi mori votat e popullit të tij, duke u shprehur me të madhe se “Shqipëria nuk do të bëhej tualeti i Europës”. Dhe nuk është  nevojshme që të flitet e të bërtitet për një “komplot” me prapavijë politike, kur faktet dhe dokumentet flasin vetë. Ambasadorja e Shqipërisë në Itali i ka shkruar një letër redaksisë së “Pianeta Italia News” dhe është një nder i madh për ne që të kemi këtë lloj vëmendje. Më shumë se paralajmërim ne ishim duke pritur një solidarizim dhe në fakt edhe një falënderim. Gjithsesi ne kemi detyrën që të publikojmë letrën e saj, duke ruajtur pozicionet dhe shkrimet tona. Këtë po e bëjmë edhe për drejtësi, por edhe për të respektuar rregullat e lirisë së shtypit. Por ne duhet t’i themi zonjës ambasadore se dikush – në këtë çështje – ka përgjegjësi politike të rëndësishme dhe ndoshta ato 1300 konteinerëve të zhdukur janë edhe preteksti se pse Republika e Shqipërisë nëpërmjet përfaqësuesve të saj të Parlamentit duhet të ngrejë një komision për të hetuar trafikun e plehrave, në të shkuarën, të tashmen dhe në të ardhmen, sepse siç duket nuk ka pasur shumë vigjilencë në këtë punë.

A.Maho

Exit mobile version