Një aksident tragjik ndodhi në orët e para të mëngjesit të djeshëm, në vendin e quajtur “Vilun” në plazhin e Velipojës në Shkodër, ku mbetën të vdekur 4 të rinj, mes të cilëve 2 shtetas italianë. Policia njofton se ngjarja ndodhi në orën 2:30 minuta, kur automjeti tip “BMW” seria 7, ngjyrë gri, me targa AA 767 HF, i cili po lëvizte nga Shkodra në drejtim të fshatit Vilun, ka humbur kontrollin duke përfunduar në kanalin me ujë të Hidrovorit që ndodhet në pjesën fundore të rrugës.
Mjeti ka përfunduar në ujë në një thellësi gati 3 metra, ndërsa personat që ndodheshin në të kanë mbetur të bllokuar brenda duke mos arritur që të dalin nga makina. Sipas policisë, në këtë aksident kanë mbetur të vdekur shtetasit Besmir Kola, 29 vjeç, banues në Kodermarlekaj, Lezhë, (i cili ka qenë drejtuesi i mjetit), Artenisa Peraj, 21 vjeç, banuese në Lezhë, Giorgio Angelo, 23 vjeç, (shtetas italian), dhe një shtetas ende i paidentifikuar i moshës rreth 25-26 vjeç. Sipas burimeve, drejtuesi i mjetit, Besmir Kola ishte i fejuar dhe kishte caktuar 14 gushtin për të kurorëzuar lidhjen në martesë.
Në vendin e ngjarjes mbërritën shërbimet policore dhe një grup i posaçëm hetimor, i cili nisi veprimet proceduriale për të hetuar shkaqet e aksidentit, teksa janë nxjerrë trupat nga mjeti në kanalin e Vilunit. Viktimat u transportuan për në morgun e Spitalit Rajonal Shkodër.
Paraprakisht mësohet se shkak i aksidentit është bërë rruga e paasfaltuar, pa mbrojtëse anësore, por edhe mungesa e ndriçimit në rrugë. Ndërkohë, burimet thonë se 4 viktimat kishin qenë nën efektin e alkoolit, pasi kishin konsumuar gjatë gjithë natës pije alkoolike në qendër të Velipojës.
Shkaku i aksidentit
Në vijim të veprimeve hetimore për aksidentin e ndodhur në orët e para të mëngjesit të djeshëm ku humbën jetën 4 shtetas, policia bën me dije se në vendin e quajtur Hidrovori në plazhin Velipojë, ka ndodhur edhe 1 aksident tjetër identik si aksidenti në fjalë në datën 01.05.2016 me pasojë humbjen e jetës së një shtetasi.
Sipas policisë, “nga veprimet hetimore të kryera deri tani rezulton se ky segment rrugor ku ka ndodhur aksidenti është në ndërtim e sipër dhe në pjesën ku ka dalë mjeti nga rruga, përfundon asfalti dhe pastaj fillon dhe një kthesë prej 90 gradë përgjatë kolektorit të Hidrovorit ku në këtë pjesë rruga është e pashtruar dhe kjo kthesë është e mbushur me materiale inerte, domethënë edhe terreni është i paqëndrueshëm”.
“Nga këqyrja e vendit të ngjarjes rezulton gjithashtu se ky segment rrugor nuk është i pajisur me sinjalistikën e nevojshme rrugore, i pandriçuar, i paasfaltuar dhe i pambrojtur për pjesën më të rrezikshme të kthesës për të njoftuar përdoruesit e rrugës për vijueshmërinë e këtij segmenti. Nga këqyrja e mjetit me të cilin po udhëtonin viktimat e këtij aksidenti rezulton se gomat e pasme të mjetit ishin të tejkonsumuara, ku dallohen dhe thellimet e batistradës, të cilat ishin rrafshuar pothuajse deri në daljen e telave të gomave. Nga shërbimet e Policisë Rrugore po vijojnë veprimet hetimore dhe në përfundim do të jepet dhe informacioni i plotë mbi shkaqet e kësaj ngjarjeje”, thuhet në njoftimin e policisë.
Segmenti rrugor nga plazhi i Velipojës në drejtim të Vilunit, i cili i mori jetën 4 të rinjve duhet të mbajë emrin rruga e mallkuar. Pesë muaj më parë i mori jetën një tjetër djaloshi në lule të rinisë. Elsid Leva, 23 vjeç nga Shkodra humbi jetën më 1 maj 2016, pasi humbi kontrollin e mjetit duke përfunduar në ujërat e këtij kanali të Vilunit, pranë zonës së njohur si Hidrovori. Dje kjo rrugë i mori jetën dy të rinjve, Besmir Kola dhe Artenisa Peraj nga Kakarriqi i Lezhës, të cilët ishin të fejuar dhe donin të martoheshin më 14 gusht, si dhe dy miqve të tyre italianë po të rinj me moshë. Policia e Shkodrës përmes një njoftimi për median pranon se gjendja në të cilën ndodhet rruga mund të ketë shkaktuar aksidentin e djeshëm.