Ngecin hetimet e grabitjes në Rinas, policia nuk ka prova

Hetimet për grabitjen e 10 milionë eurove në Aeroportin e Rinasit më 30 qershor kanë ngecur në mungesë provash nga policia. Prokuroria duket se do ta ketë të vështirë të bjerë në gjurmët e autorëve të grabitjes spektakolare në Rinas, pasi prova më e fortë për të arritur tek grabitësit është dëmtuar nga policia. Furgoni me të cilin dyshohet se u larguan tre personat që kryen grabitjen dhe i sekuestruar nga policia nuk ka shërbyer për hetimin. Mjeti u gjet i braktisur disa ditë më parë, i grabitur në zonën e pallatit me shigjeta dhe ai u dërgua nga efektivët e policisë në Komisariatin Nr.2 dhe më pas në Drejtorinë e Policisë së Tiranës ku ndodhet aktualisht.

Ndërkohë, Gjykata e Apelit për Krime të Rënda vendosi dje të rrëzojë vendimin e Shkallës së Parë dhe të rrëzojë kërkesën e Prokurorisë së Krimeve të Rënda për 5 të arrestuarit për supergrabitjen. 4 nga të arrestuarit janë me masën e sigurisë arrest me burg dhe njëri në arrest shtëpie masë që u është dhënë nga Gjykata e Shkallës së Parë për Krime të Rënda.

Të arrestuarit akuzohen për shpërdorim detyre pas vjedhjes së 960 mijë eurove në një bankë të nivelit të dytë në Aeroportin e Rinasit. Çështja u mor në hetim nga Prokuroria dhe Gjykata e Krujës, që i la në arrest me burg drejtorin teknik të aeroportit, Vangjel Nikolla 3 punonjësit e kompanisë private ICTS në Rinas, Bledar Blloshmin, Arben Karafilin, Fadil Jonuzajn, si dhe për shoqëruesin e vlerave monetare, Kujtim Picari. Por, kjo gjykatë shpalli moskompetencë, duke ia kaluar çështjen Prokurorisë së Krimeve të Rënda. Gjykata e Shkallës së Parë për Krime të Rënda verifikoi masat dhe 4 nga të arrestuarit i la në burg dhe la në arrest shtëpie drejtorin teknik të aeroportit Vangjel Nikolla. Tashmë me këtë vendim të Apelit nuk dihet ende se çfarë do të ndodhë me të arrestuarit.

Megjithatë, Prokuria e Krimeve të Rënda do të  bëjë rekurs në Gjykatën e Lartë. Sipas organit të akuzës, grabitja spektakolare e parave në pistën e Rinasit nuk mund të hetohet nga një Prokurori tjetër.

Ndërkohë, avokati Vladimir Meçi është shprehur se, të arrestuarit tashmë janë pa masë sigurie dhe duhet të lirohen për faktin se Gjykata e Apelit rrëzoi vendimin e Shkallës së Parë dhe kërkesën e Prokurorisë që i mbante ata në burg. Avokati tha se, sipas nenit 28 të Kushtetutës do të bëjë një kërkesë në Gjykatën e Shkallës së Parë për Krime të Rënda që të arrestuarit t’i çlirojë nga masa, pasi ndaj tyre nuk ka asnjë vendim mase. Përsa i përket masës që vendosi Gjykata e Krujës, avokati Vladimir Meçi u shpreh se ajo masë nuk vlen, pasi çështja ka kaluar për kompetencë tek Krimet e Rënda dhe se nuk ekziston më vendimi i arrestit të Gjykatës së Krujës, pasi e ka humbur fuqinë për kompetencë.

Sipas avokatit, Gjykata e Apelit të Tiranës ka vendosur mospranimin e ankimit ndaj masës së sigurisë të caktuar me vendim të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Krujë. Për sa i përket kompetencës ose jo të çështjes, sipas ligjit në fazën e hetimeve paraprake konfliktin e kompetencës e zgjidh Prokuroria e Përgjithshme dhe në ato raste kur gjykata çmon se nuk është vetë kompetente konfliktin e zgjidh Gjykata e Lartë, ndërsa nëse Gjykata e Apelit do të ngrinte problemin e moskompetencës shqyrtimi i kërkesës duhet pezulluar dhe t’ia delegojë zgjidhjen e çështjes Gjykatës së Lartë.

Exit mobile version