Trajneri i Mançester Junajtid, Amorim: Nuk na e shpëton sezonin Liga e Europës

Ruben Amorim ka theksuar rëndësinë që ka për Mançester Junajtidin fitorja në Ligën e Europës, jo vetëm për sezonin aktual, por edhe për të ardhmen e klubit, veçanërisht në merkaton verore.

“Djajtë e kuq” ndodhen në vendin e 14-të në Premier Ligë dhe e vetmja mënyrë për t’u kualifikuar në Ligën e Kampioneve është të fitojnë Ligën e Europës. Kjo do të ndikonte drejtpërdrejt në financat e klubit, tërheqjen e lojtarëve të rinj dhe prestigjin në tregun europian.

Përpara ndeshjes gjysmëfinale me Bilbaon, trajneri portugez tha: “Asgjë nuk do ta shpëtojë sezonin tonë, por të fitosh një trofe mund të jetë diçka e madhe. Të jesh në Champions mund të ndryshojë shumë gjëra në klubin tonë këtë verë. Kjo mund të ndryshojë verën tonë, mund të ndryshojë vitin e ardhshëm. Nëse ne duam që të përmirësojmë klubin, nuk mund të fokusohemi te kjo. Kjo nuk është gjëja më e rëndësishme për klubin tonë. Ne duhet të përballemi me shumë gjëra në klubin tonë. Do të jemi ok me Ligën e Kampioneve ose pa Ligën e Kampioneve”.

Por, përpara se të bëjnë plane për të fituar trofeun, anglezët duhet të kalojnë një test të vështirë në gjysmëfinale dhe Atletik Bilbao nuk është një kundërshtar që mund të nënvlerësohet.

“Ata janë një skuadër e përgatitur. Çdo lojtar luan në kombëtare, por sezoni ka qenë i vështirë për ta në çdo aspekt. Ata janë të emocionuar që janë këtu. Ata duan ta fitojnë dhe janë në gjendje që ta bëjnë”, shtoi trajneri.
Ai u pyet nëse mendon që është e drejtë që skuadra e tij, ndonëse në një renditje shumë poshtë në Premier Ligë, të mund të kualifikohet në Champions duke fituar Ligën e Europës.

“Këto janë rregullat. Është e vështirë të flasësh për këtë. Ndoshta mund të thuhet se nuk është e drejtë, sepse ekipet më të mira duhet të jenë në Champions. Por ndoshta kjo është bërë për t’i dhënë vlerë kësaj gare, sepse ti fiton Kupën dhe futesh në Champions. Këto janë rregullat. Nuk e di nëse është e drejtë apo jo, por nëse e kemi këtë mundësi, duhet të përpiqemi ta arrijmë”.

Exit mobile version