Tre arsye pozitive që prodhoi programi politik i Lulzim Bashës

Nga Reldar Dedaj

Në politikë je i detyruar të krijosh një fabul pse je ti dhe jo një tjetër alternativa më e mirë. Je i detyruar, veç të tjerash, pasi vetë politika është një narracion. Ti duhet të tregosh, të shpjegosh, të krijosh dhe të përsërisësh çdo ditë pa u lodhur aspak të njëjtën histori edhe kur të tjerët të lodhën së dëgjuari atë, je përsëri i detyruar të krijosh një tjetër histori edhe më të bukur se e para e kështu me radhë. Pafund. Një gjë të tillë, Lulzim Basha e ka kuptuar shumë mirë. Ai ishte plotësisht i vetëdijshëm se ajo çfarë po ofron Partia Demokratike prej 11 vitesh nuk ishte asgjë tjetër, veçse se kjo forcë politike, ishte më pak e korruptuar se socialistët. Sigurisht, është sot akoma edhe më i vetëdijshëm, se pse, nuk arriti dot të krijojë një fabul të ardhjes në pushtet, përveç faktit se shqiptarët u lodhën me Edi Ramën.

Programi politik i prezantuar nga Lulzim Basha dhe forca e tij politike që drejton ka arritur fatmirësisht të ngacmojë një pjesë të konsiderueshme të opinionit publik. Me shumë gjasë, një pjesë e madhe e ideve të shprehura aty, në ditët në vazhdim, do arrijnë të ngacmojnë edhe një pjesë tjetër të kësaj shoqërie, e cila, për arsye të ndryshme dhe me të drejtë, ka krijuar një lloj alergjie ndaj ligjerimit publik, veçanërisht ndaj ligjerimit publik të opozitës shqiptare në përgjithësi, pasi pjesa më e madhe e trupit të saj politik është angazhuar më shumë tek hallet personale të familjes Berisha, sesa tek problemet e qytetarit shqiptar. Kjo pjesë e opozitës që paralelisht, nga njëra anë i vë flakën gomave para bashkisë së Tiranës dhe nga ana tjetër tenton të bllokojë foltoren e Kuvendit të Shqipërisë, do ta ketë shumë të vështirë, për të mos thënë të pamundur, ta ndryshojë gjellën e kazanit politik. Ata thjesht duan pjesën e tyre të racionit që Edi Rama ia ka zvogëluar shumë.

Diferenca e shprehur në terma, shifra dhe fakte konkrete mes asaj që propozon Lulzim Basha dhe forca e tij politike që drejton me atë që ofron dyshja politike Berisha dhe Meta është jo vetëm e thellë dhe e ndryshme, por është e vetmja rrugë që e lufton rendin aktual. Dialektika politike e dyshes Berisha-Meta jo vetëm që nuk e eleminon ”regjimin Rama”, që në fakt është regjimi ”Rama-Berisha-Meta”, por, përkundrazi, forcimi politik i dyshes Berisha-Meta, thjesht është një standard që forcon dhe riciklon në pafundësi pushtetin politik të Edi Ramës. Thjesht për këtë arsye dhe për asgjë tjetër është kaq i rëndësishëm për qytetarin shqiptar prezantimi i programit politik të Partisë Demokratike për zgjedhjet parlamentare të vitit 2025, pasi shkatërron dialektikën politike të prezantuar prej 11 vitesh nga dyshja Berisha-Meta, sepse një dialektikë e tillë, që nga njëra anë i vë flakën gomave para Bashkisë dhe nga ana tjetër tenton të bllokojë foltoren e Kuvendit të Shqipërisë është një pamje kaq e vjetër për qytetarin shqiptar, sa veçse i përforcon atij bindjen se vërtetë dyshja politike Berisha-Meta nuk kanë kapur pushtetin, por ama kanë kapur opozitën, duke e vendosur atë në funksion të ambicieve dhe të interesave të tyre personale dhe familjare.

Prezantimi i programit politik nga ana e PD-së dhe Lulzim Bashës ka edhe një të mirë tjetër po kaq të rëndësishme, pasi e ka futur me dhunë, debatin rreth Partisë Demokratike dhe opozitarizmit në korsinë e ideve, fakteve dhe shifrave, të gjitha të debatueshme, padiskutim, por ka krijuar ama, me pahir, një ligjerim publik ku shtresat shoqërore mund ta pranojnë dhe ta kundërshtojnë, mund edhe ta refuzojnë, sigurisht, por s’mund të thonë se nuk ekziston një ide, qoftë ajo edhe pabesueshme për mendjen e tyre. Në fund, nuk është asgjë tjetër, veçse një program që tenton të rregullojë jetën e tyre, pasi prej 11 vitesh qeverisje socialiste, Shqipëria vazhdon të mbetet vendi i fundit në rajon për nga zhvillimi ekonomik dhe demokratik, pothuajse në të njëjtin stad, kur socialistët morën pushtetin në 2013-ën.

Prezantimi i programit politik ka sjellë për demokratët në veçanti, por edhe për shoqërinë shqiptare në përgjithësi, përveç të tjerash, rendin normal të gjërave. Konfliktualiteti, dhuna, agresiviteti dhe tensioni i krijuar me qëllim ndaj institucioneve shtetërore, i ndihmuar shumë edhe nga një pjesë e konsiderueshme e mediave shqiptare, prodhon fragmentarizim permanent të shoqërisë, duke e ndarë në dysh atë, pasi ndarja e saj e thellë, e shprehur me dhunë verbale dhe jo verbale prodhon ekstremitet, e siç dihet, ekstremitetet përveç dhunës, për regjimin politik ”Rama-Berisha-Meta”, do të thotë më pak kosto ekonomike. Nuk është nevoja për t’u investuar në asete intelektuale të shoqërisë, për të prodhuar ide dhe alternativa shoqërore, por për të ndarë në dysh shoqërinë, për të prodhuar ekstremitete, për të prodhuar konflikt, për ta luftuar mendimin. Dhe, për ta realizuar këtë, mjaftojnë veçse pak njerëz, ata që janë më të devotshmit që bluzën ”Free Berisha” ta mendojnë si bekim…

Exit mobile version