“Treshja do të mbajë Shqipërinë peng”, Basha: Njëri koordinon sulmin, tjetri financon foltoren, tjetri zbaton skenarin për shkatërrimin e PD-së

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka zhvilluar një takim me demokratët e degës 2, në Tiranë.

Në fjalën e tij, Basha u shpreh se ka vetëm një opozitë dhe kjo është Partia Demokratike e Shqipërisë, që është një dhe vetëm një. Sipas tij, treshja është bërë bashkë kundër PD-së, pasi kanë hallin e karrigeve të tyre.

“Ka vetëm një opozitë dhe kjo është Partia Demokratike e Shqipërisë, që është një dhe vetëm një, jo dy. Ka vetëm një opozitë garante të interesit publik që përballet me të gjitha format dhe mënyrat me të keqen. Dhe gjithë të tjerët janë bërë bashkë. Në qoftë se kemi mësuar diçka në këto muaj, të gjithë të tjerët janë bërë bashkë me Edi Ramën. I patë mbrëmë si flasin njësoj, mbajnë të njëjtat qëndrime, përdorin të njëjtat terma, kanë të njëjtën gjuhë, i bashkon i njëjti hall, që nuk është halli i shqiptarëve, është halli i karrigeve të tyre personale, i fatit të tyre personal. Në raport me atë që i kanë hyrë në hak shqiptarëve” – u shpreh Basha.

Më tej Basha tha se njëri koordinon sulmin kundër Partisë Demokratike, tjetri e financon Foltoren dhe flet me gjuhën e Foltores edhe në Parlament, edhe në qeveri, edhe në ekran, tjetri e zbaton planin për të shkatërruar Partinë Demokratike.

“Njëri koordinon sulmin kundër Partisë Demokratike, tjetri e financon Foltoren dhe flet me gjuhën e Foltores edhe në Parlament, edhe në qeveri, edhe në ekran, tjetri e zbaton planin për të shkatërruar Partinë Demokratike. Edhe ata janë bashkë, mos keni iluzione. Hiqni çdo iluzion. Janë bashkë, Edi Rama, Sali Berisha, Ilir Meta, janë të tre bashkë, janë bashkë prej hallit që i lidh bashkë, dhe janë bashkë për të shkatërruar Partinë Demokratike. Mos keni asnjë iluzion. Sigurisht që nuk kanë për t’ia arritur, përkundrazi, ajo që shoh dhe prek me sytë e mi, pa pasur nevojë për ndërmjetësimin e ekranit, është një vendosmëri në rritje e demokratëve, një vetëdije në rritje të demokratëve. Kjo parti, quhet Partia Demokratike, ka kaluar edhe periudha të vështira, por përbëhet nga demokratë” – tha Basha.

 

 

Exit mobile version