Partia Demokratike ka reaguar në lidhje me deklaratat e bëra nga ish-kryeministri, Sali Berisha teksa prezantoi kandidatin e koalicionit LSI-PDK për zgjedhjet e 6 marsit në Rrogozhinë. PD shkruan se Berisha vazhdon me gënjeshtrat e tij ordinere duke i përdor demokratët përballë “non gratës” dhe partinë e re që ka bërë me Ilir Metën.
Sipas PD-së, Berisha i poshtëron demokratët duke bërë aleancë me kundërshtarët më të mëdhenj të tyre dhe se kandidatët e tij në zgjedhjet e 6 Marsit janë njerëzit e Aqif Rakipi, Tom Doshit dhe Vangjush dakos.
Reagimi i plotë i Partisë Demokratike:
Dite e re, mashtrim i ri. Gënjeshtrat ordinere të “non gratës”, vazhdojnë. Por demokratët e kanë kuptuar se ti ke hallin tënd dhe të familjes tënde. Demokratët e dinë, se ti si burracak, kërkon të fshihesh dhe t’i përdorësh ata përballë non gratës tënde me partinë e re që bëre me Ilir Metën.
Demokratët e shohin se si po i poshtëron çdo ditë, duke bërë aleanca me kundërshtarët më të mëdhenj të tyre. Pse nuk e përmend Qifen, po ke vënë njerëzit e tij në krye, në Rrogozhinë e Vorë? Pse nuk thua asnjë fjalë për lidhjet e Dakos me krimin, por i ke çuar njerëz të negociojnë me të? Pse nuk thua një fjalë për Tom Doshin, apo ngaqë njerëzit e tij drejtojnë “shtëpinë e Ilirit” në Shkodër? Njësoj siç bëre në Parlament ku mbushe dynjanë se do votoje kundër, dhe pastaj ike si frikacak, ashtu sillesh dhe sot duke amnistuar kriminelët që kanë punuar kundër demokratëve.
Partia e re e “non gratave” të shpallura e të pa shpallura, nuk do ta mbajnë peng Shqipërinë.
Nëse voton Berishën dhe Metën, mban Ramën.