Humbja ndaj Alaveshit nuk mund të kalojë në heshtje. Fitorja e skuadrës së vogël, që tronditi opinionin sportiv në “Kamp Nou”, ka bërë që Luis Enrike të ngrejë zërin në analizën përpara stërvitjes. Ditën e djeshme, numri një i katalanasve ka analizuar gabimet dhe u ka kërkuar futbollistëve të tij ta harrojnë sa më shpejt atë që ndodhi ndaj Alaveshit.
Reparti i mbrojtjes ka qenë më i akuzuari, ndërsa mediat kanë analizuar performancën e blerjeve të reja të Barcelonës. Nuk ka pushim në shtëpinë katalanase. Kjo, jo për faktin se ekipi humbi, por për faktin se në mesjavë skuadra do të luajë në Ligën e Kampionëve ditën e martë kundër Sëlltikut. Përpara se të zbrisnin në qendrën stërvitore, Luis Enrike ka bërë një analizë në dhomat e zhveshjes dhe u ka kërkuar futbollistëve të tij të mos e përsëritin më një performancë të tillë.
Ai u vuri në dukje lojtarëve gabimet e bëra në repartin e mbrojtjes dhe u kërkoi të gjithëve që të mos mendojnë vetëm për sulmin, por edhe për aspektin defensiv. Më tej, ai shprehu besimin se Barcelona do të rigjejë sërish rrugën e fitoreve dhe u tha futbollistëve se humbja ndaj Alaveshit mund të ketë qenë një rastësi. Mediat spanjolle raportojnë se tekniku i katalanasve e vuri theksin tek ana psikologjike dhe u bëri me dije futbollistëve ta harrojnë atë që ndodhi, sepse shumë shpejt vjen një tjetër ndeshje e rëndësishme.
Ndaj Alaveshit, Luis Enrike kishte zbritur në fushën e lojës 4 futbollistë që u afrua në këtë merkato, por asnjëri prej tyre nuk arriti të lërë gjurmë. “63 milionë euro në fushë, por askush nuk bëri asgjë”, shkruhet në analizën e bërë nga gazeta “AS”. “Portieri Silesen nuk bëri asnjë pritje vendimtare, por vetëm topat që i erdhën në dorë. Dinje tregoi se nuk është përshtatur ende me mekanizmat e lojës së Barcelonës, ndërsa Denis Suarez vazhdon të ketë luhatje me prezantimet e tij. Alkaser është një futbollist që luan shumë mirë në zonë, por te Barcelona duhet të ndihmosh edhe në ndërtimet e aksionit”, shkruhet më tej në gazetë. Katër futbollistët e afruar këtë verë vlenin gjithsej 63 milionë euro, por nëse do të ishin vetëm për një ndeshje, atëherë mund të thoshim me plotë gojën se u hodhën dëm.
Sigurisht që futbollistët e rinj nuk kanë faj, sepse Enrike kishte vendosur të bënte shumë rrotacion. Në përfundimin e ndeshjes, ai tha se kishte faj dhe mori përgjegjësitë për humbjen turpëruese. Në kampin e Barcelonës shpresojnë, që humbja të harrohet shumë shpejt dhe të mendojnë për ndeshjen e parë debutuese në Ligën e Kampionëve, e cila do të luhet kundër Sëlltikut.