Trump apo Klinton, a do të ndryshojë politika amerikane në Ballkan?

Dusica TOMOVIC

“Ai është ndryshe dhe do ta ndryshojë Amerikën”, thotë 24-vjeçari Goran, një serb i Bosnjës, mbështetës i kandidatit republikan në SHBA, Donald Trump.
Por punëtori i karburantit në Banja Luka, qyteti kryesor i entitetit serb të Bosnjës, Republika Srpska, nuk mendon se Trump do të jetë pasardhës i Barack Obamës.
“Nuk mendoj se do ta lejojnë të fitojë… mendoj se këto zgjedhje janë vendosur tashmë dhe do të fitohen nga Hillary [Klinton]”, shton ai.
Siç tregojnë edhe fjalët e Goranit, ndërsa Klinton dhe Trump po luftojnë të fitojnë votues në SHBA, secili ka mbështetës të fortë dhe të palëkundur në Ballkan.
Në Serbi, Klubi i Mbështetësve të Trump ka një faqe në Facebook me mijëra ndjekës që janë të informuar çdo ditë për deklaratat më të fundit të Trump mbi migrantët e paligjshëm, terrorizmin, myslimanët dhe Rusinë.
Ndërkohë, mijëra shqiptarë kanë shprehur mbështetjen verbale për Klinton në llogaritë në Facebook dhe Twitter të quajtur “Shqiptarët për Hillary Klinton”.
Atje, shpërndahen aktivitetet e saj dhe mesazhet e fushatës bashkë me video të mbështetjes së mëparshme të Klinton për shqiptarët.
Gara presidenciale amerikane ka ekspozuar sërish diferencat e thella etnike dhe politike që mbeten të pranishme në Ballkan që nga konfliktet e viteve 1990.
Dhe ashtu si në ato kohët e dhunës, kufijtë e betejës janë përcaktuar në mënyrë të qartë. Ndërsa Bosnja, Shqipëria dhe Kosova favorizojnë Klinton, rajonet e dominuar nga serbët, përfshirë edhe Serbinë, Malin e Zi dhe Republikën Srpska kanë mbështetje të madhe për Trump.
Shpjegimi është i thjeshtë: Serbët e shohin Klinton si vazhdimin politik të bashkëshortit të saj, ish-Presidentit amerikan, Bill Klinton, i cili është një hero për myslimanët në Bosnjë dhe në Kosovë, prej angazhimit të fuqisë ushtarake të SHBA në anën e tyre gjatë mandatit të tij.
Nga ana tjetër, shumë serbë – ndërsa nuk e pëlqejnë kandidaten Hillary për shkak të trashëgimisë së bashkëshortit të saj – admirojnë deklaratat e ashpra të Trump për myslimanët, si dhe komentet e tij të ngrohta për aleatin historik të Serbisë, Rusinë dhe Presidentin e saj, Vladimir Putin.

Serbsfortrump.com

Bashkë me faqen e mbështetësve në Facebook për kandidatin republikan për President, serbët trumpofilë mund të kenë akses edhe në një uebsajt, serbsfortrump.com.
“Donald Trump është mik i serbëve dhe ne e mbështesim në kandidimin për President të ardhshëm të SHBA”, shkruan në të.
Në janar, lideri ultranacionalist i Partisë Radikale serbe, Vojisllav Sheshel filloi të mbështeste publikisht Trump, bazuar në antipatinë e tij për myslimanët.
Trump ka bërë thirrje për një ndalim total të emigracionit të myslimanëve në SHBA dhe është angazhuar së fundmi në një luftë mediatike me familjen e kapitenit mysliman të ushtrisë amerikane Humayun Khan, i cili vdiq gjatë luftimeve në Irak në vitin 2004.
Shesheli, i cili u shpall i pafajshëm për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në luftërat ballkanike nga ICTY, ka bërë komente të ashpra antimyslimane në shumë raste.
“U bëj thirrje vëllezërve serbë që jetojnë në Shtetet e Bashkuara të mbështetin fuqishëm kandidatin e Partisë Republikane, Donald Trump në zgjedhjet e ardhshme presidenciale”, ka shkruar në Twitter Sheshel më 3 janar.
Një mbështetës më i fundit i Trumpit në Serbi është lider i Partisë Serbia e Bashkuar, deputeti dhe kryetari i komunës së Jagodinës, Dragan Markoviç “Palma”. Më 8 korrik, ai gjithashtu u bëri thirrje serbëve në SHBA të votojnë për Trump.
Sociologu dhe analisti politik me qendër në Beograd, Stefan Aleksiç thotë se, duke mbështetur Trump, shumë serbë po “tregojnë pakënaqësinë e tyre” me politikën e jashtme amerikane në të kaluarën, që sipas mendimit të tyre favorizon myslimanët dhe ndëshkon serbët.
“Por pyetja është jo vetëm përse Trump është popullor në Serbi, por përse Trump është popullarizuar në vetvete? Duket se popullariteti i Trump bazohet në aftësinë e tij për ta paraqitur veten si politikan antiestablishment (edhe pse nuk është) – dhe si dikë që shfaq një pakënaqësi të madhe ndaj këtij establishmenti”, tha për “BIRN” Aleksiç.
“Publiku serb mbështet Trump, sepse ai duket si një alternativë ndaj një sistemi global që konsiderohet si i padrejtë, jodemokratik dhe që ka tjetërsuar jetën e njerëzve të zakonshëm”, shtoi Aleksiç, duke paralajmëruar se Trump nuk mund të jetë alternativa që shumë njerëz imagjinojnë se është.
Situata është e ngjashme në Malin e Zi, ku disa portale lokale kanë vënë thirrje që serbët në Amerikë të votojnë për Trump dhe ku disa faqe ofrojnë ato që sipas tyre janë provë se Trump është mik i serbëve.
Uebsajti In4s.net, me ndikim të gjerë te serbët në Mal të Zi, së fundmi vendosi një “Votoni për Trump” në faqen e vet, që të çon në faqen zyrtare të fushatës Trump.
Më 19 korrik, redaksia e kësaj faqeje interneti dërgoi një letër të hapur ndaj ambasadës amerikane në Podgoricë, duke mbështetur kandidaturën e Trump dhe duke theksuar se “shihnin te ai një luftë të sinqertë për të korrigjuar gabimet e të shkuarës”.
Lëvizja për Ndryshime – pjesë e aleancës më të fortë të opozitës në Mal të Zi, Fronti Demokratik – mbështeti gjithashtu Trumpin në qershor, duke cituar “kritikat e tij të ashpra dhe argumentuese ndaj politikës amerikane për Ballkanin Perëndimor”.
Disa parti të vogla pro serbe kanë thënë gjithashtu se mbështesin Trump “si mik i serbëve”.
Ndërsa shumë serbë boshnjakë mbështesin kandidatin republikan, pak kanë njohuri për specifikat e platformës së tij zgjedhore.
“Nuk më pëlqen ajo [Klinton]. Unë nuk do të votoja kurrë për të dhe nuk e kuptoj pse dikush do ta bënte këtë”, tha Veselin, një punonjës i zyrës postare në pension. “Burri i saj Bill, kur ishte President bëri shumë gjëra të këqija për serbët, si këtu dhe në Kosovë. Ajo vetëm sa ka për të vazhduar në gjurmët e tij”.
“Mendoj se ai [Trump] është i ndershëm dhe nuk ka frikë të flasë”, tha Veselin për “BIRN”, duke shtuar se republikani i kujtonte atij liderin e Partisë Radikale serbe, Sheshelin.
“Nuk do ta quaja mbështetje për Trump, por më tepër simpati për një person që është kundër Hillary Klinton”, tha për “BIRN” analisti politik me bazë në Banja Luka, Srdjan Puhalo.
“Disa gjëra që Trump thotë në lidhje me NATO-n dhe Rusinë, të cilat janë në kundërshtim të dukshëm me politikën e jashtme amerikane, tingëllojnë interesante për serbët”, vuri në dukje Puhalo, duke shtuar se është interesante që serbët tradicionalisht kanë mbështetur politikanë të krahut të djathtë në SHBA.

Myslimanët e Ballkanit mbështetin Hillary
Myslimanët në Shqipëri, Bosnje ose Kosovë mbajnë qëndrime të kundërta. Për shumicën e shqiptarëve në Shqipëri dhe Kosovë, Trump nuk është opsion.
Shumë shqiptarë mbështesin me entuziazëm Klinton nga mirënjohja për ndërhyrjen ushtarake të bashkëshortit të saj, Bill Klinton, ndërhyrje që i dha fund sundimit serb në Kosovë në vitin 1999.
Disa rrugë në Shqipëri dhe Kosovë kanë marrë emrin e ish-Presidentit të SHBA-ve për nder të ndërhyrjes së tij në Kosovë dhe ka gjithashtu disa statuja që e nderojnë atë.
Në prill, mijëra shqiptarë amerikanë u mblodhën në Bronks në Nju Jork në një ngjarje të organizuar nga Bill Klinton për të treguar mbështetjen e tyre për bashkëshorten e tij përpara se të zhvillohej raundi i përzgjedhjes së parë.
Disa ditë më vonë, Kryeministri shqiptar Edi Rama nxiti debat pasi deklaroi publikisht se ishte kundër Trump.
“Zoti na ruajt nëse Trump zgjidhet President i SHBA, sepse kjo do të shkaktonte dëme të mëdha në Amerikë dhe natyrisht, do të ishte një kërcënim real për marrëdhëniet shqiptaro-amerikane”, ka thënë Rama.
Në intervistën e tij për të përjavshmen “STAV” në Sarajevë në mars, Eldin Elezoviç, nga Kongresi i Boshnjakëve të Amerikës së Veriut, tha se në zgjedhjet e fundit presidenciale të SHBA-së, boshnjakët kanë mbështetur Presidentin aktual demokrat, Barack Obama.
Tani ata mbështesin Klinton, tha ai. “Për shumë boshnjakë ajo është e vetmja zgjedhje e mundshme”, u shpreh ai.
“Në Bosnjë dhe Hercegovinë mbështetja ka vazhduar prej kohësh tashmë. Serbët janë [kryesisht] pro Trump, ndërsa boshnjakët dhe kroatët [janë kryesisht] pro Hillary”, shkroi në postimin e tij më 28 korrik një nga blogerët kryesorë të Bosnjës, Slobodan Vaskoviç.
“Sikur do të ndryshojë ndonjë gjë e rëndësishme në politikën amerikane ndaj Bosnjës dhe Hercegovinës kushdo që të fitojë! Nuk do të ndodhë, por është e rëndësishme të mbështesim dikë. Dhe të ketë përplasje. Në Bosnjë dhe Hercegovinë, çdo mundësi për përplasje është e mirëpritur, madje edhe për zgjedhjet presidenciale në SHBA”, përfundoi ai.

Politika amerikane ka të ngjarë të mbetet e njëjtë, kushdo që të fitojë
Komentet e Vaskoviç janë mbështetur edhe nga ekspertë të tjerë vendas dhe të huaj, të cilët paralajmërojnë se për disa vite politika e jashtme e SHBA ka qenë e përqendruar në kërcënimin global terrorist dhe në probleme të tjera të mëdha, kryesisht duke shpërfillur zhvillimet në Ballkan, pavarësisht se ka luajtur një rol kyç atje në vitin 1990.
Shumë ekspertë bien dakord se kushdo që ta fitojë garën presidenciale 2016, politika e jashtme amerikane ndaj Ballkanit ndoshta do të nuk ndryshojë shumë.
Duke iu referuar zgjedhjeve presidenciale dhe ndikimit të mundshëm të tyre në Ballkan, diplomati dhe analisti veteran amerikan, Daniel Serwer në qershor tha se ai besonte se Klinton do të shërbejë si mandati i tretë i Barak Obamës, duke mbetur e angazhuar për politikën e Obamës për të mbështetur integrimin europian të Serbisë, për shembull.
Serwer shtoi se pavarësisht nga deklaratat e tij publike, Trump nuk interesohet shumë për Ballkanin dhe ka të ngjarë që të mos i kushtojë rëndësi rajonit, përveç në rast se “serbët, boshnjakët apo kosovarët, fillojnë të kalojnë fshehurazi nëpër Rio Grande në Shtetet e Bashkuara”.
“Ballkani është një rajon i prioritetit të ulët për Shtetet e Bashkuara, i lënë në hije nga Lindja e Mesme, rajoni i Paqësorit dhe Ukraina”, vazhdoi Serwer.

Exit mobile version