Trump: Po përballem me gjuetinë më të madhe të shtrigave

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump ka shkruar në Twitter se është duke u përballur me “gjuetinë më të madhe të shtrigave ndaj një politikani” në historinë e SHBA-së.
Komenti i Trumpit vjen një ditë pasi Departamenti amerikan i Drejtësisë, ka emëruar një këshilltar të posaçëm për të mbikëqyrur hetimet për bashkëpunimin e dyshuar në mes të bashkëpunëtorëve të Trumpit dhe Rusisë, gjatë fushatës më 2016.
Trump po ashtu ka shkruar në Twitter se, “asnjëherë nuk është emëruar këshilltar i posaçëm”, për të hetuar, për atë që ai pretendoi se ishin “akte ilegale” të kryera nga fushata e kundërshtares së tij demokrate, Hillary Clinton dhe nga administrata e presidentit Barack Obama.
Departamenti amerikan i Drejtësisë emëroi të mërkurën ish-drejtorin e FBI-së, Robert Mueller si prokuror të posaçëm për të mbikëqyrur hetimet rreth bashkëpunimit të mundshëm midis Rusisë dhe ekipit të fushatës së zotit Trump gjatë zgjedhjeve presidenciale të vitit 2016.
Emërimi i zotit Mueller vjen në klimën e kërkesave në rritje nga ana e demokratëve që këto hetime me ngarkesë të madhe politike, të drejtohen nga një person jashtë Departamentit të Drejtësisë.
Presidenti Donald Trump u shpreh se një hetim i plotë do të konfirmojë atë që ai thotë se është tashmë e ditur: se nuk ka patur asnjë bashkëpunim midis ekipit të fushatës së tij presidenciale dhe ndonjë entiteti të huaj.
Ai i bëri komentet të mërkurën vonë, pasi Departamenti i Drejtësisë njoftoi emërimin e ish-drejtorit të FBI-së, Robert Mueller për të mbikëqyrur hetimin.
Zoti Trump tha në një deklaratë me shkrim se ai pret që “kjo çështje të përfundojë shpejt”.
Zëvendësprokurori i Përgjithshëm, Rod Rosenstein tha se vendimi i tij për të emëruar një këshilltar të posaçëm – i njohur edhe si prokuror i posaçëm – nuk nënkupton se “ekzistojnë fakte për ndonjë vepër penale apo se ndjekja ligjore është e justifikuar”.
Vendimi për emërimin e prokurorit të posaçëm vjen pas njoftimeve të ditës së martë se drejtori i shkarkuar i FBI-së, James Comey, kishte shkruar në një shënim se Presidenti Trump, në një takim që kishte patur me të në Zyrën Ovale në muajin shkurt, i kishte kërkuar të mbyllte një hetim mbi ish-këshilltarin e sigurimit kombëtar Michael Flynn. Shtëpia e Bardhë e ka mohuar këtë version. Zoti Mueller u emërua drejtor i FBI-së në vitin 2001. Ai e drejtoi FBI-në në periudhën pas sulmeve terroriste të 11 shtatorit dhe doli në pension në vitin 2013. Departamenti i Drejtësisë tha se, për të marrë përsipër detyrën e prokurorit të posaçëm, zoti Mueller dha dorëheqjen nga puna që bënte deri tani në një firmë ligjore private.

Exit mobile version