Prokurori i Posaçëm, Robert Mueller po shqyrton mundësinë të intervistojë Presidentin amerikan Donald Trump lidhur me shkarkimin e ish-drejtorit të FBI-së, James Comey dhe ish-këshilltarit të Sigurisë Kombëtare, Michael Flynn, si pjesë e hetimit të tij për ndërhyrjen ruse në zgjedhjet presidenciale të vitit 2016.
Prokurori Mueller po heton nëse zoti Trump pengoi drejtësinë. Hetimet kanë në bazë deklaratën e zotit Comey, se në fillim të vitit 2017, presidenti i kishte kërkuar të mbyllte hetimin për kontaktet e zotit Flynn me ambasadorin e atëhershëm rus në Uashington. Kontaktet kishin ndodhur disa javë para se zoti Trump të merrte detyrën. Disa muaj pas ardhjes në pushtet, presidenti e shkarkoi ish-drejtorin e FBI-së, i cili në atë kohë kryesonte hetimet për Rusinë.
Sipas njoftimeve në mediat amerikane, nuk dihet nëse Presidenti Trump do të bjerë dakord të intervistohet, kur mund të bëhet intervista dhe nëse po, në çfarë formati: me shkrim apo personalisht.
Ai i ka hedhur vazhdimisht poshtë sugjerimet se ka patur bashkëpunim të fshehtë midis këshilltarëve të tij gjatë fushatës dhe zyrtarëve rusë për ta ndihmuar atë që të fitonte në zgjedhje.
Para disa muajsh, zoti Trump tha se do të ishte “100 për qind” dakord të takohej me hetuesit e ekipit të zotit Mueller, por së fundmi ka ngritur pyetje se pse do të ishte e nevojshme një intervistë, derisa nuk ka patur “bashkëpunim”.
Kërkesa e zotit Mueller ndaj avokatëve të zotit Trump për ta pyetur presidentin lidhur me shkarkimin e zotit Flynn, për shkak se gënjeu nënpresidentin Mike Pence lidhur me kontaktet e tij me ambasadorin Sergey Kislyak; bisedat me zotin Comey, për të hequr dorë nga hetimi i ish-këshilltarit Flynn dhe shkarkimi më pas i zotit Comey, lënë të kuptohet se Prokurori i Posaçëm Mueller po fokusohet tani tek çështja e pengimit të drejtësisë.
Presidenti Trump ka mohuar t’i ketë kërkuar zotit Comey që të heqë dorë nga hetimi i zotit Flynn, duke e quajtur këtë pohim “një gënjeshtër”.
I hapur për hetim
Presidenti Donald Trump tha të mërkurën në mbrëmje se, “pret me kënaqësi” të intervistohet në kuadër të hetimeve lidhur me ndërhyrjen ruse në zgjedhjet amerikane dhe lidhur me mundësinë që ai të ketë penguar drejtësinë për shkak të shkarkimit të drejtorit të FBI-së.
Presidenti Trump tha se, ai është i gatshëm t’u përgjigjet pyetjeve, nën betim, gjatë intervistës që ka kërkuar të zhvillojë me të Prokurori i Posaçëm, Robert Muller.
“Pres me kënaqësi, në të vërtetë”, u përgjigj presidenti, i pyetur nga gazetarët e Shtëpisë së Bardhë. Përsa i përket kohës se kur, “besoj se ata po flasin brenda dy-tri javëve të ardhshme, por do ta bëja me shumë dëshirë”, tha ai.
Presidenti theksoi, ashtu siç ka pohuar më parë, se “nuk ka patur asnjë bashkëpunim” me rusët dhe absolutisht “asnjë pengim të drejtësisë”.
Pistat e plota të hetimeve të zotit Mueller, të cilat përfshijnë qindra mijëra dokumente dhe dhjetëra intervista me dëshmitarë, nuk janë të njohura.
Por tani që ekipi i Prokurorit të Posaçëm pothuajse i ka përfunduar intervistat me zyrtarë aktualë dhe ish-zyrtarë të Shtëpisë së Bardhë dhe pasi ka shprehur interes për të intervistuar vetë presidentin, duket se fokusi i hetimeve duket të jenë zhvillimet në Shtëpinë e Bardhë pas inaugurimit të presidentit. Kjo përfshin shkarkimin e drejtorit të FBI-së, James Comey dhe diskutimet që i paraprinë shkarkimit të Këshilltarit të Sigurisë Kombëtare, Michael Flynn.
Koha dhe logjistika e intervistës me presidentin nuk janë vendosur ende. Por kur të ndodhë, presidentit do t’i duhet të shpjegojë se si veprimet e tij nuk përbëjnë pengim të drejtësisë.
Prokurori Mueller po heton nëse presidenti pengoi drejtësinë, kur, ashtu siç pretendon ish-drejtori i FBI-së Comey, presidenti i kërkoi atij në fillim të vitit 2017 të ndërpriste hetimet për kontaktet e zotit Flynn me ish-ambasadorin e Rusisë në Uashington, në javët para se zoti Trump të merrte detyrën. Disa muaj më pas, presidenti e pushoi Comey-n nga puna, që në atë kohë drejtonte hetimet për Rusinë.
Presidenti Trump e ka mohur t’i ketë kërkuar Comey-t të pushojë hetimet, duke i quajtur pohimet e tij “gënjeshtra”.
Në bazë të ligjit është krim të pengosh drejtësinë, ose të pengosh “procedurat zyrtare”.
Ekspertët ligjorë thonë se, ndërsa prokurorët federalë nuk mund të ngrejnë akuzë ndaj një presidenti në detyrë për pengim të drejtësisë, ose ndonjë vepër tjetër penale, Kongresi mund të vendosë ta gjykojë Presidentin (Dhoma e Përfaqësuesve ngre akuzat) dhe të fillojë procedurat (gjykimi zhvillohet në Senat) për shkarkimin e tij.
Në vitin 1998, Kongresi akuzoi dhe hapi gjyqin ndaj ish-Presidentit Bill Klinton, ndër të tjera, për pengim të drejtësisë. E njëjta gjë ndodhi me ish-Presidentin Nixon në vitin 1974, ku një ndër akuzat e ngritura nga Kongresi ishte pengimi i drejtësisë. Presidenti Klinton u shpall i pafajshëm në gjyqin e zhvilluar në Senat, ndërsa Presidenti Nixon dha dorëheqjen, mes skandalit të korrupsionit në të cilin ishte përfshirë.