Tryeza e dialogut del me deklaratë të përbashkët: Reformë zgjedhore në dobi të shqiptarëve

DEKLARATË

HARKU OPOZITAR EURO-ATLANTIK

Me kërkesë të Partisë Demokratike të Shqipërisë, ditën e sotme u zhvillua tryeza e dialogut me pjesëmarrjen e partive politike dhe aktorëve të rëndësishëm opozitarë. Gjatë këtij takimi pjesëmarrësit diskutuan hapur dhe me përgjegjshmëri qytetare, intelektuale e politike rreth situatës së rëndë politike, institucionale, ekonomike dhe funksionimit të cunguar të demokracisë në Shqipëri.

Gjatë këtij takimi u diskutua dhe u ra dakord sa më poshtë:

1. Emergjenca e hartimit dhe zbatimit të një pakete të plotë reformash ligjore e institucionale për të korrigjuar ndërhyrjet e rënda të ndryshimeve kushtetuese të prillit 2008, të cilat i mohuan të drejtën shqiptarëve të zgjedhin me votë përfaqësuesit e tyre, prishën balancat e pushteteve, polarizuan ekstremisht diskurin politik në vend dhe rrënuan demokracinë funksionale nëpërmjet mungesës së kontrollit të legjislativit.

2. Nëpërmjet Reformës Zgjedhore duhet synuar që të rregullohet përfaqësimi dinjitoz i përfaqësuesve të popullit në Kuvendin e Shqipërisë, bazuar në vlera meritokracie, në mënyrë që ky përfaqësim të kontribuojë në ndërtimin dhe përmirësimin e shtetit shqiptar dhe jo të jetë përfaqësues i pushtetit të radhës dhe i oligarkisë, që investon te pushteti paret e njerëzve që u vjedh nëpërmjet shtetit.

3. Shteti ynë, anëtar i NATO-s, duhet të jetë në standardin më të lartë të anëtarësimit si hapi më i sigurt dhe një urë e sigurt për anëtarësimin e shpejtë në BE.

4. Ky hark opozitar do të ketë në themel të veprimit të vet politik frymën e qartë dhe të pa diskutueshme euro-atlantike, larg pazareve të ulëta politike dhe korruptive që po e mbajnë peng demokracinë dhe shtetin e së drejtës.

Për të realizuar këtë mision për demokracinë dhe shtetin e së drejtës sot është emergjencë kombëtare:

– Vota e lirë, barazia e saj sipas Kushtetutës së Shqipërisë;

– Listat e hapura;

– Shqipëria një zonë zgjedhore;

– Mundësimi i votimit të diasporës;

– Votimi dhe numërimi elektronik;

Ne jemi të vendosur për luftë të pakompromis kundër korrupsionit, mbështetje të pakushtëzuar të organeve të reja të drejtësisë dhe dhënien fund pandëshkueshmërisë. Barazia para ligjit dhe demokracia funksionale janë parakushte për integrimin e plotë të vendit në BE, si aspirata më e lartë e qytetarëve shqiptarë.

Exit mobile version