U shkarkua nga KPA/ Zbardhen abuzimet e rënda me detyrën të Erjon Shehajt! Gjetjet e kreut të SPAK, Altin Dumani, për ish-kryeprokurorin e Lezhës

Kolegji i Posaçëm i Apelimit ka shkarkuar nga detyra drejtuesin e Prokurorisë së Lezhës, Erjon Shehaj pasi subjekti gjendej në kushtet e cënimit të besimit të publikut tek drejtësia.

Ka qenë ky verdikti i KPA-së duke rrëzuar vendimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, i cili në prill 2022 i kryesuar nga Alma Faskaj, me relatore Pamela Qirkon dhe anëtare Brunilda Bekteshin do ta konfirmonin në detyrë kryeprokurorin Shehaj.

Do të ishte Komisioneri Publik Florian Ballhysa, që do të ankimonte vendimin e KPK-së për të shkarkuar Shehaj duke e dërguar çështjen te Kolegji i Posaçëm i Apelimit.

Ka qenë emisioni “Vetting”, që nëpërmjet denoncimeve të ardhura në redaksi ka informuar publikun për shkeljet që kishte kryer ish-kryeprokurori Shehaj gjatë kohës që ishte në detyrë, shkelje të cilat janë evidentuar në raportin e Komisionerit Publik.

Nga 1 janari 2025, kompetencat e Komisionerit Publik do t’i kalonin Prokurorisë së Posaçme, e cila nën drejtimin e Altin Dumanit do të vazhdonte me argumentet për shkarkimin e Shehajt pasi kishte mangësi në kriterin profesional.

Në ankim nga drejtuesi i SPAK-ut, Altin Dumani u evidentua se Shehaj nuk kishte regjistruar procedim për një pjesë të veprave penale të referuara nga policia, duke pushuar hetimet.

Në mbyllje të procesit, Dumani ka konstatuar se drejtuesi i Prokurorisë së Lezhës Shehaj, nuk ka kryer veprimet e duhura për hetimet dhe ka mungesë të arsyetimit ligjor.

Drejtuesi i SPAK ka kërkuar që mangësitë e evidentuara të konsiderohen në vlerësimin e plotë në drejtim të cënimit të besimit të publikut tek drejtësia dhe kërkoi shkarkimin e prokurorit Erjon Shehaj. Kolegji i Posaçëm i Apelimit në mënyrë unanime ka vendosur shkarkimin nga detyra të kryeprourorit të Lezhës Erjon Shehaj.

Në këtë emision “Vetting” do të sjellë kronologjinë e denoncimeve dhe rasteve të trajtuara përsa i përket tashmë ish kryeprokurorit të Lezhës Erion Shehaj.

Karriera e Erjon Shehajt dhe Vettingu

Erjon Shehaj e ka nisur karrierën në drejtësi si oficer i Policisë Gjyqësore dhe është emëruar prokuror në qershor të vitit 2012. Nga ajo periudhë e në vazhdim, Shehaj ushtron detyrën në Prokurorinë e Rrethit Lezhë, ku prej prillit 2021 është drejtues i kësaj Prokurorie. Në CV-në e këtij prokurori nuk ilustrohet se ku e ka kryer shkollimin, duke qenë se vlerësimet e KPK-së lidhen edhe me kriterin profesional.

Më 1 prill 2022, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit do të konfirmonte në detyrë drejtuesin e Prokurorisë Lezhë Erjon Shehaj, pasi ishte bindur nga shpjegimet për pasurinë dhe rastet e konstatuara te kriteri profesional, për të cilat i ishin kërkuar shpjegime.

Procesi i Vettingut për kryeprokurorin Shehaj u krye nga Alma Faskaj, me relatore Pamela Qirko dhe anëtare Brunilda Bekteshin dhe në cilësinë e vëzhguesit ndërkombëtar ka qenë i pranishëm Theo Jacobs.

Dy muaj më pas, Komisioneri Publik Florian Ballhysa do të ankimonte vendimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, duke kërkuar shkarkimin e prokurorit Shehajt për problemet e kriterit profesional.

Por drejtuesi i Prokurorisë Lezhë nuk ka patur probleme vetëm me kriterin profesional, por edhe mospërputhje me deklaratat e pasurisë. Në procesin e Vettingut analiza e pasurisë është një ndër tre shtyllat e rivlerësimit për prokurorët, së bashku me kontrollin e figurës dhe vlerësimin e aftësive profesionale.

Bie në sy fakti se në deklarimin fillestar të pasurisë në vitin 2004, Prokurori Shehaj nuk zotëronte asnjë pasuri, ndërsa në fund të vitit 2019, pasuria e tij familjare arrin në vlerën e 11.1 milionë lekëve ose 111 mijë euro.

Nga analiza cilësore e deklaratave të pasurisë nga Shehaj, BIRN ka identifikuar si “flamur të kuq” huamarrjet e përdorura si burim për krijimin e pasurisë. Këto hua janë në vlerën 2,5 milionë lekë në vitin 2009, 14 mijë euro në vitin 2013 dhe 3,3 milionë lekë në vitin 2017.

Konkretisht në vitin 2014, Shehaj rezulton me burime të pamjaftueshme financiare në shumën 8 milionë lekë të vjetra. Në këtë vit, ai deklaron revokimin e një kontrate sipërmarrje të vitit 2009 dhe lidhjen e një kontrate të re premtim shitblerje të një apartamenti 84 m2 + 10 m2 sipërfaqe e përbashkët, me vlerë të shtuar prej 13,5 mijë eurosh.

Ka qenë vetë Komisioni i Pavarur i Kualifikimit që ka vlerësuar se, nga analizimi i pasurive të Erjon Shehaj, janë konstatuar disa pasaktësi në deklarim.

Ndryshe nga Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave, ILDKPKI që nuk ka gjetur asnjë problem në deklarimet e pasurisë dhe për burimet e krijimit të këtyre pasurive, KPK-ja ka konstatuar pasaktësi, mospërputhje dhe mungesa financiare.

Komisioni ka gjetur mospërputhje në deklarimet për gjendjet cash në vite, pasi në këto të fundit ka shënuar shumën 350 mijë lekë dhe vlerën 1450 euro, ndërsa në përllogaritjen e shumave të pasqyruara në deklaratat vjetore duhej të disponohej shuma 1.4 milionë lekë.

Pavarësisht disa mospërputhjeve financiare, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit e ka kaluar Shehajn për këto pasaktësi pasi nuk e bëjnë të pamjaftueshëm deklarimin e pasurisë.

Komisioneri Ballhysa nxjerr me probleme te aftësitë profesionale

Sipas Komisionerit Publik Florian Ballhysa, në rastin e prokurorit Erjon Shehaj nga aktet e administruara paraqiten gjetje dhe rrethana ligjore e faktike që nuk plotësojnë kriteret dhe standardet e etikës, të cilat garantojnë mbrojtjen dhe forcimin e besimit të publikut.

Në ankim evidentohet fakti se Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka evidentuar gjetje në të gjitha burimet e vlerësimit të kriterit të aftësive profesionale, si në raportin e hartuar nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë, por edhe denoncimet nga publiku.

Por cilat janë çështjet që pengojnë kalimin përfundimtar të Vettingut?

Në informacionet e siguruara nga emisioni “Vetting” rezulton se Shehaj ka patur një përplasje ligjore me avokatin Ded Guri.

Konkretisht në vitin 2015 në Prokurorinë e Lezhës është administruar një zarf, brenda të cilit kanë qenë dy letra kërcënuese drejtuar ish-drejtuesit të Prokurorisë Lezhë Përparim Vukaj dhe prokurorit Erjon Shehaj. Kjo çështje është marrë nën hetim nga ky i fundit, por vetë trajtimi i çështjes nga Shehaj ka konflikt interesi, fakt që mbështetet edhe nga Komisioneri Ballhysa.

Kjo çështje do të apelohej në Gjykatën e Apelit Shkodër dhe në të do të nxirreshin konkluzione, që rrëzonin masat e marra nga prokurori Shehaj përsa i përket hetimeve.

Në vendimin e Gjykatës së Apelit Shkodër më 20 maj 2015 do të shfuqizohej vendimi i Gjykatës Lezhë pasi arrestimi i avokatit Ded Guri dhe masa e sigurisë ishin të pavlefshme sepse ligji e ndalonte që Prokurori të hetojë një çështje ku është i përfshirë vetë dhe nuk kishte prova që implikonin avokatin si autor të letrave kërcënuese.

Në vendim evidentohet që letra kërcënuese i është drejtuar prokurorit Shehaj dhe për këtë arsye ai duhet të mos e kishte pranuar këtë çështje.

Por avokati Ded Guri nuk do t’i jepte fund kësaj çështje ku rezultoi të mos ishte i përfshirë në asnjë veprim të kundraligjshëm, duke fituar pafajësinë. Menjëherë pas këtij vendimi, avokati Guri do të bënte padi për rastin në fjalë, ku akuzonte drejtuesin aktual të Prokurorisë Lezhë, Erjon Shehaj për shpërdorim detyre, çështje e cila pas shumë peripecish përfundoi në ngarkim të Gjykatës së Kurbinit. Prokuroria në këtë rast do të kërkonte pushimin e çështjes, ndërkohë që interesant është edhe arsyetimi i vendimit të Gjykatës.

Sipas argumenteve në vendimin e Gjykatës së Kurbinit në dhjetor 2021, kjo Gjykatë do të vlerësonte se nga ana e prokurorit Shehaj, potencialisht në veprimet dhe mosveprimet e këtij të fundit mund të ketë vepër penale. Në këtë rast sipas nenit 313 të kodit penal mund të kërkohet dënimi me gjobë ose deri në 5 vite burg.

Në vendimin e arsyetuar nga Gjykata theksohet se rasti për ndjekjen penale të Erjon Shehaj është parashkruar pasi kanë kaluar më shumë se 5 vite nga momenti që është urdhëruar arrestimi i kundraligjshëm i avokatit Ded Guri.

Pavarësisht argumenteve që ka paraqitur drejtuesi i Prokurorisë Shehaj, sipas Komisionerit Publik në këtë çështje janë konstatuar rrethana, të cilat, sipas ligjit në fuqi, e detyrojnë prokurorin të heqi dorë nga hetimi i çështjes, kur ka interesa që lidhen me këtë të fundit.

Në vendimin e konfirmimit nga procesi i Vettingut të Erjon Shehaj, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit e ka kaluar këtë dosje për shqyrtim te Inspektoriati i Lartë i Drejtësisë.

Denoncimi nga shtetasi Armando Uka

Armando Uka, një ish-i burgosur që ka vuajtur dënimin në burgun e Reçit në Shkodër për “Vetting” pretendon se është përjashtuar nga përfitimi i amnistisë penale nga kryeprokurori Erjon Shehaj, rrjedhimisht duke e mbajtur në burg përtej afateve të parashikuara.

“Kam njoftuar emisionin tuaj sepse kam kryer një krim në vitin 2011, jam dënuar me 16 vjet. Dhe para atij e kam pasur një dënim tjetër 3-vjeçar. U ekstradova nga Italia, erdha këtu në Shqipëri në 13 tetor të vitit 2023. Erdha për të kryer 3 vjet e 11 muaj dënim, dënimin e mbetur e kisha kryer.

Tani… Me kalimin e kohës doli amnistia tani që erdha këtu. Nga 3 vjet e 11 muaj heqim 6 muaj, sa i takon?

Pastaj kisha edhe 855 ditë, si i thonë këtu në Shqipëri 3 mujorsha, të marra me vendim gjyqtarie në Itali, të njoftura nga Shqipëria.

I takonte që unë më 4 prill, më 4 prill kur është dhënë amnistia nëpër burgje që fillonin të dilnin njerëzit, duhet që unë të isha i lirë. Nga ajo ditë unë s’kam dalë, unë kam dalë në 5 shkurt 2025, tani sa kohë i bie që unë kam ndenjur brenda?”, tha Uka për emisionin “Vetting”.

Për të kuptuar më shumë rreth çështjes, por edhe për të marrë qëndrimin e të gjitha palëve, “Vetting” ka kryer një hulumtim që nxjerr në pah arsyet me rastin e Armando Ukas.

“Vetting” e pyeti denoncuesin për sjelljen e tij brenda institucionit të vuajtjes së dënimit në Itali, por edhe në Shqipëri e cila ndikon edhe te përfitimet nga masa e uljes së dënimit. Në shumë raste, kur të burgosurit janë problematikë në ambientet e Institucionit të Ekzekutimit të Vendimit Penal (IEVP) ose e thënë ndryshe në burg, ata mund të penalizohen, por ky nuk ka qenë rasti sipas dëshmisë nga vetë Uka.

“Sjellja ime në institucionet e Italisë dhe të Shqipërisë ka qenë ekzemplare. Jam sjellë mirë me shoqërinë, me personelin e policisë, me drejtuesit, me drejtorat e burgut. Jam sjellë ashtu sic duhet, jam sjellë normal.

Tashti… Problemi është se Kryeprokurori më ka mbajtur peng në burg 11 muaj o shok. Tani më duhet motivi, për çfarë?“ shprehet Armando Uka, ish-i burgosur.

Kjo është pyetja që e mundon prej gati një viti Ukan, por edhe avokatët e tij Gjergj Neli dhe Shaqe Marinaj, të cilët kanë bërë përpjekje të shumta, duke qenë edhe të shqetësuar për gjendjen e tij fizike dhe shpirtërore kur ishte i burgosur.

Për “Vetting” avokati Gjergj Neli u shpreh: “I dënuari e ka ndjerë shpirtërisht, fizikisht, unë sa herë që shkoja të takoja e ndieshim veten fajtorë për pjesën time si përfaqësues ligjor, sepse i dënuar nuk i përcepton sepse thotë unë kam një avokat dhe avokati, ideja e atij që është avokati që bën përpjekjet dhe më liron”.

Sipas denoncuesit dhe avokatëve të tij, dokumentacioni dhe kushtet për të përfituar nga Amnistia Penale kanë qenë sipas ligjeve në fuqi.

“Me letra, i kemi krejt letrat e dokumentuara, që unë kam ardhur nga Italia në Shqipëri për të kryer dënimin prej 3 vitesh e 11 muajsh nga 19 vjet që kisha. Kam bërë 14 vjet atje, llogaritë etj.

“E kam mbaruar burgun tim unë.  Tashti ndoshta atij nuk i ka pëlqyer avokati që kam patur unë sepse janë njerëz të drejtë.”- tha Armando Uka

Për “Vetting”, avokati Gjergj Neli ka thënë se vazhdimisht ata prisnin veprime nga Prokuroria e Lezhës, kryesisht nga prokurori Erjon Shehaj, i cili i zvarriste procedurat dhe nuk i bënte në kohë. Të gjendur në këto kushte, avokatët kanë bërë kërkesë në Gjykatën e Lezhës për t’u njohur përfitimi nga amnistia penale.

Më 29 maj 2024, Gjykata e Lezhës pranoi kërkesën për bashkimin e dënimeve të Armando Ukas, duke e dënuar me një vendim të plotë prej 17 vitesh.

“Përfundimisht, ne duke parë qëndrimin e Prokurorit, sepse prokurori po i zvarriste procedurat për bashkimet e dënimeve, ne në cilësinë  e avokatëve vumë në lëvizje gjykatën për bashkimin e dënimeve, e cila vendosi bashkimin e dënimeve në një të vetme. Që do të thotë nuk e llogariti 16 vjet dhe 3 dënime, por në një dënim të vetëm prej 17 vitesh për të dënuarin Armando Uka.”- u shpreh avokati Neli.

Por pavarësisht përpjekjeve të avokatëve, përsëri çështja do të ngelte në vend numëro dhe do të duhej të kryheshin procedurat e certifikatave të njohjes nga shteti italian edhe njëherë pasi sipas kryeprokurorit të Lezhës mungonin këto dokumente.

Avokati Gjergj Neli tha: “Ky i dënuar përfitonte uljen e dënimit nga 1 vit e gjysëm ashtu sic e përmbante ligji. Në këtë kontekst, prisnim lëvizje nga prokurori që të përfitonte amnistinë, por nuk ndodhi. Vazhdojshim gjyqet dhe prokurori nuk vinte në gjyqe, ne si mbrojtje e pamë që prokuroria po i shmangej”.

Një nga gjërat më të rëndësishme në kryerjen e ekstradimit është dokumentimi i procedurës dhe ruajtja e dokumenteve, ku evidentohet njohja e zbritjes së dënimit nga autoritetet e huaja, në këtë rast nga shteti italian.

Kjo ka qenë edhe pika e cila ka mbajtur peng të gjithë procesin sipas Prokurorisë së Lezhës pasi Prokurori Erjon Shehaj pretendon se nuk i ka patur certifikatat. Por ndryshe është qëndrimi i avokatit Gjergj Neli, i cili tregon se kanë bërë ankesë të Prokuroria e Përgjithshme për prokurorin e Lezhës.

“E vetmja përgjigje nga Prokuroria ishte nga zyra e marrëdhënieve me jashtë, ka qenë kjo: I nderuar zoti avokat, pasi kemi kontaktuar me prokurorin e rrethit, Erjon Shehaj, na ka thënë që mungojnë dokumentet e zbritjes së dënimit nga Autoritetet Italiane, ne i jemi drejtuar autoriteteve italiane gjoja sipas tij që të na i sjellin certifikatat për uljen e dënimit që ky i dënuar ka kryer në burgjet e Italisë.”– u shpreh avokati Gjergj Neli.

Sipas avokatit Neli duhej që Prokuroria e Përgjithshme të dërgonte një përfaqësues te zyra e avokatisë të personit të dëmtuar, që çfarë problemi kishte ose t’i kishin thirrur te zyra e Prokurorisë për të marrë provat për t’i treguar ekzistencën e këtyre dokumenteve dhe faktit që Prokurori Shehaj i zotëronte certifikatat.

Avokati Gjergj Neli shtoi më tej: “Më vonë ne kemi shkuar për të takuar në Prokurori edhe oficerin e policisë gjyqësore, i cili ishte i deleguar nga prokurori Erjon Shehaj, oficeri I policisë gjyqësore Artan Uka. Dhe u bind Artan Uka që kur ne ia pamë dosjen e të dënuarit, ne i pamë të gjitha certifikatat që ishin aty, që kishin ardhur me të gjitha aktet shkresore nga Italia. Nuk e di si e ka prokurori, nuk e di pse nuk e zbaton prokurori, do ta bisedoj me prokurorin.”

Pra, sipas dëshmisë nga avokati Prokuroria e Lezhës i zotëronte dokumentet, por ka qenë gjëra të tjera që mund të kenë ndikuar te kjo vendimmarrje e munguar.

“Unë kërkoj vetëm të vërtetën, pse jam mbajtur unë 11 muaj më shumë në burg nga kryeprokurori i  Lezhës. Ai i ka pasur të gjithë letrat e mia. Unë kur kam ardhur nga shteti italian, unë i kam pasur të gjitha letrat me vete. Kam patur bërë dy njohje dënimi këtu në 2020 dhe në 2022. E ky më thotë s’ke dinamika. Dinamika janë ditët e lirimit të parakohshëm. Si s’kam unë? Unë i kam me vendim gjyqtari në Itali, e t’i kam prurë këtu. T’i ka prurë shteti, t’i kam prurë edhe unë?”– ngriti pyetjen Armando Uka.

Nga shkresat e vendosura në dispozicion për “Vetting” rezulton se certifikatat janë marrë nga Institucioni i Ekzekutimit të  Vendimit Penal Reç në Malësinë e Madhe sipas avokatëve të Armando Ukas.

Konkretisht në 7 gusht 2024, njëri nga avokatët Shaqe Marinaj ka përcjellë shkresën me të gjitha dokumentet, ku janë të përfshira edhe certifikatat e njohjes së përfitimit të zbritjes së dënimit nga Autoritetet Italiane pasi edhe juristi i IEVP-së Reçit pretendonte se mungonte dokumentacioni.

Por sipas avokatit Arben Llangozi, në rastin në fjalë ka përgjegjësi edhe Institucioni i Ekzekutimit të Vendimit Penal.

Sipas avokatit Llangozi, edhe IEVP e ka detyrimin ligjor që një personi t’i llogarisin vuajtjen e dënimit sepse ligji e ka ngarkuar me zbatimin e vendimit.

Avokati Arben Llangozi: Është shkelur ligji

Duke parë situatën me vonesat nga Prokuroria e Lezhës, konkretisht nga kryeprokurori Erjon Shehaj, avokatët e Armando Ukës i janë drejtuar Gjykatës së Shkallës së Parë Lezhë për njohjen e zbritjes së dënimit sipas Amnistisë Penale. Por Gjyqtarja Eglantina Biba në 16 tetor 2024 vendosi të shpall mungesën e juridiksionit për aplikimin e ligjit për amnistinë penale, si dhe ia kaloi aktet për këtë rast Prokurorisë së Lezhës, si organ kompetent. Pra, nuk ishte në autoritetin e Gjykatës të merrej me këtë çështje, por e Prokurorisë së Lezhës.

“Gjatë seancës gjyqësore, Prokurori ngrihet dhe thotë se kjo nuk është kompetencë e gjykatës, por e prokurorisë dhe në lidhje me këtë jemi ne ata që duhet të bëjnë justifikimin e ligjit të amnistisë. Atëherë gjyqtari i seancës shpall moskompetencën, duke ia kaluar Prokurorisë kompentencën. Nuk kisha parë e dëgjuar asnjëherë, kjo është antiligjore.”- tha avokati Neli.

Por avokatët do i drejtonin kërkesa të tjera Gjykata së Lezhës për njohjen e përfitimeve të periudhës së paraburgimit, si dhe uljet e përfituara në Itali, ku në 18 nëntor 2024, Gjyqtari Ilir Përdeda do të dilte me një vendim, që do të ngarkonte me përgjegjësi Prokurorinë e Lezhës.

Avokati Gjergj Neli u shpreh: “Në lidhje me shtetasin Armando Uka, rezulton se Autoritetet Italiane ia kanë dërguar edhe njëherë certifikatat e uljeve të dënimit dhe rezulton ashtu siç ne kemi pretenduar që ka përfituar 855 ditë ulje dënimi që prokurori i çështjes Erjon Shehaj kundërshtonte duke i privuar lirinë në kundërshtim me të gjitha ligjet, në mënyrë antinjerëzore.”

Në parashtrimin e vendimit të Gjykatës, shkruhet se Armando Uka pretendon që Prokuroria Lezhë me rastin e lëshimit të urdhrit të ekzekutimit nuk ka përllogaritur masën e dënimit të vuajtur prej tij në Itali për llogari të dy vendimeve të mësipërme të njohura prej kësaj Gjykate dhe nëpërmjet kërkesës kërkon të detyrohet prokuroria të kryejë një përllogaritje të tillë.

Në vendimin e saj përfundimtar, më 18 nëntor 2024 Gjykata e Lezhës vendosi:

“Gjykata vlerëson se sipas dinamikës së vuajtjes së dënimit të administruar si provë në gjykim, kërkuesit nuk i është përllogaritur dënimi i vuajtur prej tij në Itali dhe në pjesën e dënimit të vuajtur data e fillimit të ekzekutimit nuk është marrë ajo e përcaktuar nga Prokuroria në urdhëron e ekzekutimit. Po ashtu, Prokuroria në urdhëron e ekzekutimit nuk ka përcaktuar periudhën e dënimit të vuajtur prej kërkuesit deri më datën e lëshimit të urdhrit të ekzekutimit dhe atë të mbetur pa vuajtur, duke mos u përllogaritur dënimi i vuajtur prej kërkuesit në Itali”.

Në rastin konkret, gjykatësi Përdeda vlerëson se Prokuroria në rastin e lëshimit të urdhrit te ekzekutimit të vendimit penal nr.51/2024 nuk ka vepruar në përputhje me ligjin, sepse nuk ka përcaktuar dhe përllogaritur periudhën e paraburgimit apo të dënimit me burgim të vuajtur nga kërkuesi në Itali dhe pjesën e mbetur pa vuajtur. Për rrjedhojë, Gjykata vlerëson se kjo e metë e ekzekutimit duhet rregulluar duke e urdhëruar Prokuroria të përllogarisë dhe dënimin e vuajtur nga kërkuesi në Itali.

Pra, sipas këtij vendimi prokurori Erjon Shehaj nuk ka kryer llogaritë e nevojshme  dhe në mbyllje Gjykata ka urdhëruar Prokurorinë e Lezhës të kryeje llogaritë për të ekzekutuar vendimin nr.51 datë 29.05.2024 duke përllogaritur dhe kohën e dënimit në Itali ku përfshihen edhe zbritjet e dënimit.

“Imagjinoje se çfarë pasojash i ka sjellë ky prokuror me veprimet dhe mosveprimet e tij”, -u shpreh avokati Neli.

Por avokatët do të bënin një tjetër kërkesë Gjykatës së Shkallës së Parë Lezhë, ku i kërkonin ekzekutimin e menjëhershëm të vendimit nr.51 datë 29.05.2024, lirimin e menjëhershëm të Armando Ukës, ekzekutimin e menjëhershëm të vendimit të datës 18 nëntor 2024 të Gjykatës Lezhë dhe ekzekutimin e vendimit për përfitim nga Amnistia Penale sipas ligjit 33/2024.

Edhe në këtë rast, në 27 dhjetor 2024, Gjykata e Lezhës do të rrëzonte kërkesën e Armando Ukës, duke e shpallur të papranueshme duke marrë parasysh edhe qëndrimin e Prokurorit Erjon Shehaj.

“Këto zvarritje të pjesshme duke urdhëruar që është kompetence prokuroria apo duhet ta gjykoj gjykata etj, etj, kjo është zvarritje sepse në lidhje me masat e dënimit për të konstatuar apo përllogaritur vuajtjet e dënimit janë kompetence e tyre, gjithë institucioneve qoftë edhe IEVP”,- tha për “Vetting” avokati Arben Llangozi./Vetting

Exit mobile version