UEFA përgatit projektin e ri

Çmimet e kripura të merkatos së kësaj vere kanë alarmuar UEFA-n që është vënë në lëvizje për t’u vënë fre klubeve që kanë shpenzuar apo planifikojnë të shpenzojnë shumë marramendëse.
Fair play financiar është një mekanizëm i ngritur nga ky institucion pikërisht për të ndalur çmendurinë e merkatos, por rregullat mund të ndryshojnë, pasi mesa duket, edhe ky mekanizëm po dështon duke parë rastet e fundit të merkatos së Manchester City apo edhe projektin e PSG për Neymar. Sistemi aktual i aplikuar në vitin 2011 synon rregullimin e bilanceve të skuadrave që kualifikohen në kupat europiane. Gjithçka bazohet në principin “shpenzon sa arkëton”, pa borxhe me klube apo persona të tjerë.
Llogaritë bëhen në fund të çdo 3-vjeçari dhe cikli aktual që mbyllet në vitin 2018 lejon deri në 30 milionë euro defiçit, por edhe këto në rastet kur justifikohen me shpenzimet për ekipet e grupmoshave. Klubet që nuk respektojnë limitin e shpenzimeve mund të skualifikohen nga UEFA, por i nënshtrohet edhe masave të tjera si gjoba dhe kufizime në merkato deri në momentin që bilanci financiar do të rikthehet në normalitet. Gjithsesi, pas 6 vitesh, UEFA e ka kuptuar se modeli fair play financiar kërkon modifikime të shumta. Presidenti Ceferin është njeriu kryesor që po ndërmerr disa iniciativa për të kufizuar shpenzimet e mëdha.
Një ide është taksa e luksit që bazohet në vlerën e shitjes dhe të pagës së lojtarëve. Shembull: Nëse një klub blen Messin për 100 milionë, atëherë duhet të paguajë 10 deri në 100% të vlerës për sistemin. I njëjti diskutim është edhe për pagën. Shumat që do të grumbullohen, do t’u shpërndahen klubeve në nevojë në liga të ndryshme europiane, por kjo formulë nuk është përcaktuar ende. “Tavani i pagës” është një tjetër pikë e rëndësishme e projektit të ri që nuk do të lejojë që një klub të kalojë tavanin e shpenzimeve për pagat e lojtarëve. Reduktimi i organikave është pika e fundit që synon të vendosë limitin e numrit të lojtarëve që mund të transferojë një skuadër gjatë dritares së merkatos, por edhe rregullimin e formulave të huazimit pasi në shumë raste huazimi i lojtarëve mbi 30 vjeç nuk ka logjikë.

Exit mobile version