Ulen qepenat, tregtarët të revoltuar: S’kemi punë, na mbytën me tatime dhe gjoba, solidarizohemi me protestën

Biznesi i vogël dhe i mesëm në Tiranë ka nisur uljen e qepenave. Qindra tregtarë kanë mbyllur dyqanet në shenjë proteste të paralajmëruar një ditë më parë nga Shoqata me mbështetjen e partive të opozitës.
Tek Tregu Ushqimor i Tiranës si dhe tek tregu pranë Medresesë, një pjesë e madhe e bizneseve kanë ndërprerë aktivitetin.
Ndërkohë, në mjaft qytete kryesore, po vijon ulja e qepenave si një reagim kundër skemës ë re të TVSH dhe rritjes së taksave në tërësi.
Protesta ka nisur nga tregu çam, medreseja, tregu elektrik, tregu ushqimor, dyqanet tek rruga e Durrësi dhe e Kavajës.
Kryetari i kësaj shoqate Albert Nasto deklaroi dje: “Kemi bërë thirrje që të na përkrahin sepse kjo është nga reformat më të rënda që është bërë në 27 vjet. Kjo do të rrënojë biznesin e vogël dhe të mesëm. Ne nuk do të lejojmë këta 4 -5 oligarkë që të na marrin bukën e gojës, bashkë me mediat, bashkë me opozitën, të zgjedhurit tanë, shoqërinë civile, të rinjtë shqiptarë të organizohemi. Sepse mbyllja e qepenave ishte gjysëm lëvizje. Tani e tutje duhet të dinë se biznesi nuk njeh parti, biznesi po shkatërrohet nga kjo qeveri, biznesi po shkatërrohet nga z.Rama.
Çdo biznes në Republikën e Shqipërisë të ulë qepenat, të hyjë në grevë urie, të mbyllim subjektin dhe të protestojmë. Sepse kjo është kauzë e madhe, duhet të fitohet nga ne dhe nga opozita, nga populli shqiptar. Duhet të protestojmë për vendosjen e TVSH-së, për klimën e biznesit, kërkojmë uljen e taksave.
Bëj thirrje Kryeministrit të ndërrojë rrugë sa nuk është vonë, të mbledhë mendjen sepse ndryshe biznesi do të reagojë fort”, tha ai.

Exit mobile version