Ultimatumi i Zanetit

Një moment delikat ku diplomacia nuk bën punë. Zv/presidenti i Interit, Javier Zanetti vendos pikat mbi “i” në një moment delikat për ekipin zikaltër, ku çështja më e diskutuar mbetet ajo e Mauro Icardit. Argjentinasi nuk kursehet ndaj bashkëkombasit, duke lëshuar një ultimatum ndaj sulmuesit. “Rinovimi i kontratës me Icardin? Për këtë çështje jemi shprehur disa kohë më parë zyrtarisht. Mauro nuk ka qenë në shitje, por më pas nisi një histori mediatike, në të cilën Inter nuk dëshiron të marrë pjesë, sepse ne nuk punojmë në këtë mënyrë. Do të vijë edhe momenti kur do të diksutojmë me Icardin, por e vendosim ne kur do të ndodhë një gjë e tillë”, u shpreh Zaneti.
Fjalë të ashpra që dalin nga goja e zv/presidentit, i cili kërkon nga Icardi që të marrë përgjegjësitë e tij dhe të luajë si një kapiten. Në vijim, ai përqendrohet te merkatoja, duke mos preferuar të zbulojë emrat që Interi po ndjek. “Kur të takohem me pronarin do të flasim edhe për emrat e mundshëm, por besoj se përfaqësuesit tanë kanë shumë punë për të bërë gjatë ditëve të fundit të merkatos. Askush nuk është i kënaqur për mënyrën se si rrodhën ngjarjet në Verona, por nuk duhet të kërkojmë alibi, pasi tani na pret një ndeshje shumë e vështirë në shtëpi kundër Palermos. De Boer është një trajner shumë inteligjent dhe e ka analizuar shumë mirë atë humbje. Deklaratat e Handanoviç? Duhet të mendojë vetëm të stërvitet sa më shumë”, përfundoi Zaneti.
Cheslea bën ofertë zyrtare për Alessio Romagnolin. Klubi londinez i ka dërguar një faks Milanit me shumën që është gati të paguajë për mbrojtësin 21-vjeçar. Shifra e saktë nuk është bërë publike, por mendohet se bëhet fjalë për rreth 35 milionë euro. Oferta e bluve të Londrës është marrë në konsideratë nga administratori i deleguar i kuqezinjve, Adriano Galliani, që në mënyrë të paevitueshme ua ka bërë të ditur pronarëve të rinj kinezë që duhet të japin një përgjigje përfundimtare.
Në fakt, qëndrimi i drejtuesve kuqezi nuk ndryshon më atë që është raportuar ditët e fundit. Alessio Romagnoli konsiderohet i pashitshëm, sepse shoqëria dëshiron të mbështetet te lojtarët e rinj dhe nuk ka ndërmend të privohet nga elementët më cilësorë të së ardhmes. Gjithsesi, është e qartë se çdo rezistencë e ka një kufi dhe për shifra shumë të rëndësishme gjërat duhen peshuar mirë. Pra, nëse Chelsea ofron një shumë të parefuzueshme, Milani kurrsesi nuk mund të thotë jo.
Borussia Dortmund si rrallëherë ka arritur të fitojë një betejë të drejtpërdrejtë në merkato me Bayernin e Mynihut. Bëhet fjalë për sulmuesin francez, Ousmane Dembele, për të cilin, drejtori i Dortmundit, Hans-Joachim Watzke, e pranon se iu desh të luftonte në distancë me bavarezët. Gjithsesi, ai mohon zërat për një acarim të marrëdhënieve me Bayernin, duke theksuar se dy klubet nuk kanë asnjë konflikt.
“Ne u treguam më të shkathët se Bayerni. Ishim në dijeni se ata ishin shumë të interesuar për lojtarin, por ne ishim një hap përpara, sepse e kishim zbuluar prej kohësh këtë lojtar. Dembele ka shumë talent, por i duhet të punojë shumë për t’u përmirësuar. Fillimisht duhet të nisë punën me gjuhën gjermane dhe më pas të përvetësojë edhe aftësitë teknike dhe fizike që i nevojiten për të përballuar një sezon të gjatë. Gjatë këtij viti, nuk kemi pasur asnjë mosmarrëveshje me Bayernin. Kam biseduar disa herë me Rumenniggen dhe kemi një raport shumë profesional”, tha ai.

Exit mobile version