UNHCR: Pas Sirisë, Shqipëria me kërkesat më të larta për azil në Gjermani më 2015

Drama e ikjeve masive nga Shqipëria nuk ndalet. Vendi ynë vijon të mbetet kryefjala e raporteve ndërkombëtare përsa i përket kërkesave për azil, që tashmë nga Gjermania dhe Holanda po drejtohen në çdo shtet të mundshëm, e rëndësishme për azilkërkuesit shqiptarë është të largohen nga mjerimi i këtushëm.
Republika Arabe e Sirisë ishte vendi i origjinës me numrin më të lartë për azilkërkuesit, i ndjekur nga Shqipëria, Serbia dhe Kosova, Afganistani, Iraku më 2015. Raporti vjetor i UNHCR-së “Tendenca Globale”, i cili ndjek zhvendosjet e detyruara në mbarë botën, bazuar në të dhënat e qeverive, partnerëve, përfshirë Qendrën Monitoruese të Zhvendosjeve të Brendshme, tregon se duke filluar nga fundi i 2015, janë zhvendosur 65.3 milionë njerëz, krahasuar me 59.5 milionë vetëm dymbëdhjetë muaj më parë. Kjo është hera e parë që pragu prej 60 milionësh është kapërcyer, shpjegon UNHCR, për situacionin e emigrimit më 2015.Gjermania ishte pritësi më i madh i kërkesave të reja për azil, me 441,900 të regjistruar gjatë vitit 2015. Kjo është më shumë se dyfishi i numrit të regjistruar një vit më parë (173.100) dhe rritja e tetë radhazi për Gjermani. Numri më i madh i aplikimeve është pranuar për individë me origjinë nga Republika Arabe të Sirisë -158,700 aplikacione të reja, ose rreth katër herë më shumë se gjatë vitit 2014 (39,300). UNHCR referon se, Gjermania pa një rritje dramatike të numrit të aplikacioneve të reja për azil nga shqiptarët me rreth 53,800 kërkesa ose gjashtë herë më shumë se një vit më parë. Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës aplikimet për azil më 2015 u rritën me 42%. Këta individë vijnë kryesisht nga Meksika, El Salvador, Guatemala dhe Honduras kryesisht prej dhunës dhe persekutimit të krijuara nga krimi i organizuar i lidhur me bandat e drogës. Suedia renditet e treta në vitin 2015 me 156,400 aplikime të reja për azil, më shumë se dyfishi i vitit të mëparshëm (75,100). Ndërsa ka pasur një rritje të konsiderueshme në pretendimet siriane për azil. Pas Gjermanisë dhe Holandës edhe në Islandë, Shqipëria renditet e para në listë, ndërsa në Holandë të dytët pas sirianëve. Gjatë periudhës janar-mars të këtij viti, 287 100 azilkërkues kanë aplikuar për mbrojtje ndërkombëtare në shtetet anëtare të Bashkimit Europian. Të dhënat janë bërë publike nga Eurostat. Në këto statistika Shqipëria vazhdon që të jetë përsëri në listat e Eurostat, ku shpeshherë radhiten në vend të parë dhe të dytë për sa i përket numrit të kërkesave për azil. Në Islandë, Shqipëria kryeson listën për sa i përket azilkërkuesve, ndërsa në Holandë renditet në vend të dytë duke ndjekur sirianët me 705 kërkesa. Në rang të përgjithshëm të këtij tremujori të parë Shqipëria ka një shifër prej 2%, duke u radhitur së bashku me vende si Eritrea dhe Nigeria. Normalisht lista kryesohet nga Siria me 36% e më pas Iraku dhe Afganistani me 12%. Ndërkohë, janë mbi 1 milion kërkesa për azil që duhet të shqyrtohen nga autoritetet e vendeve europiane. Me 473 mijë kërkesa, 47% në total, Gjermania kryeson listën e vendeve që ka pritur më shumë azilkërkues, ndërsa ndiqet nga Suedia me 15%, Austria 8%, Italia, 6% dhe Franca me 4%. Për sa i përket mbërritjeve të emigrantëve në brigjet italiane, ritmi mbetet i njëjtë me vitin e kaluar. E shqetësuar nga ky trend, qeveria holandeze ka ndërmarrë masa për ta kufizuar valën. Që nga vera 2015, numri i aplikimeve për azil nga Shqipëria është rritur dhe arriti 1010 në fund të vitit. Deri më 2014 vetëm disa dhjetëra shqiptarë kërkonin azil në Holandë çdo vit. Ky trend i rritjes vazhdoi në dy muajt e parë të 2016, kur 480 shqiptarë kërkuan azil. Sipas zyrtarëve holandezë, numri u shtua në mars, megjithëse shifrat ekzakte të shqiptarëve, sirianëve dhe aplikantëve të tyre mbeten ende për t’u zbuluar. Ministria tha se shqiptarët tani renditen të parët për nga kërkesat për azil. Numrat e atyre që kanë marrë përgjigje pozitive për kërkesat mbeten të ulëta. Më 2015, vetëm katër shqiptarë fituan leje të përkohshme banimi, ndërsa 795 aplikantë u refuzuan. Megjithëse numrat e aplikantëve shqiptarë për azil në Holandë mbeten më të ulët se në Gjermaninë fqinje, ku rreth 55,000 shqiptarë kërkuan azil vitin e shkuar, qeveria holandeze është shqetësuar nga fluksi. Ajo ka miratuar mjete të reja në përpjekje për të kontrolluar dhe ulur numrin e azilkërkuesve nga të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor.

Vendi me emigracionin më të lartë në rajon

Shqipëria ka shënuar nivelin më të lartë të emigracionit neto ndër të gjitha vendet e rajonit krahasuar me numrin e popullsisë.
Sipas statistikave të Bankës Botërore, emigracioni neto gjatë periudhës 2011-2015 ishte – 91,750 persona (diferenca ndërmjet ikjeve dhe ardhjeve). Pas Shqipërisë, Serbia ka shënuar një emigracion neto në rreth 100 mijë persona në pesë vitet e fundit, por popullsia e saj është gati tre herë më e madhe se e Shqipërisë.
Nivele të ulëta të emigrimit sipas shifrave të Bankës Botërore janë shënuar në Maqedoni dhe në Bosnje, ku emigracioni neto është respektivisht me -4,999 dhe -2,506 persona.
Pas një stabilizimi në mesin e viteve 2000, emigracioni ka nisur të theksohet pas krizës së viteve 2008. Me këto ritme rajoni i Ballkanit sidomos Shqipëria është duke humbur avantazhin konkurrues, kapitalin njerëzor dhe krahun e lirë të punës që zë mbi 80 për qind të eksporteve në vend.
Shqipëria u rendit në mesin e vendeve me potencial të lartë të riskut social, e ndikuar nga niveli i lartë i emigracionit, që e kombinuar me një krizë fiskale e bën vendin jo shumë të lakmueshëm për të bërë biznes, thuhet në raportin e Forumit Ekonomik Botëror për Rreziqet Globale më 2016.
Shkalla e lartë e emigracionit ka një potencial rreziku 78%, në një kohë që në rang global, risku nga ky fenomen nuk është më shumë se 10%.
Sipas Forumit Ekonomik Botëror në vitin 2016, biznesi rrezikohet nga emigracioni më shumë se nga çdo faktor tjetër që mund të vijë nga masat fiskale apo faktorë të tjerë të brendshëm. Bizneset e kanë pohuar këtë situatë, pasi ikjet masive të 2015 kanë çuar në mbyllje të përkohshme të aktivitetit për disa ndërmarrje.

Exit mobile version