Universitetet publike nën tutelë përmes bordeve militante

Myqerem TAFAJ

Një ndër pikat për të cilat u kundërshtua ashpër ligji i ri i arsimit të lartë është ajo e rrezikut të vënies nën tutelë të universiteteve publike, përmes rektorëve dhe dekanëve të vërtetë ose paralelë, të cilët në ligj quhen administratorë dhe emërohen nga qeveria, si dhe përmes Bordit të Administrimit, ku shumicën e ka qeveria.

Sapo ka filluar konstituimi i organeve dhe autoriteteve drejtuese të universiteteve publike dhe ky rrezik është tashmë një fakt dhe një realitet shumë i hidhur.

Qeveria sapo ka dërguar në universitetet publike listat e anëtarëve të jashtëm të bordeve. Në përgjithësi, ata janë militantë politikë dhe nëpunës të lartë të administratës publike, të cilët dërgohen në bord për të zbatuar me përpikmëri strategjinë e kësaj qeverie jo për zhvillimin e universiteteve publike, por, më së pari, për vënien e tyre nën tutelë të plotë. Këta anëtarë të bordeve ngjajnë me ushtarët që hapin shtigjet ku do të kalojnë “komisarët” politikë, të cilët do t’i dërgojë së shpejti qeveria si dekanë dhe rektorët e vërtetë të fakulteteve dhe universiteteve publike dhe në ligj quhen “administratorë”. Përse i quaj “të vërtetë”? Sepse ky ligj i përçudnuar i ka dhënë administratorëve kompetencat e mirëfillta të drejtimit dhe vendimmarrjes në universitetet publike, ndërsa dekanët dhe rektorët e zgjedhur nga pedagogët dhe studentët, janë përgjegjës kryesisht për çështjet akademike.

Çfarë është ky Bordi i Administrimit në universitetin publik?

Sipas ligjit të ri Bordi i Administrimit i universitetit publik është një organ me kompetenca shumë të rëndësishme dhe më i fuqishëm sesa Senati akademik. Si i tillë, bordi është krejtësisht i pakrahasueshëm me ish-Këshillin e Administrimit. Sipas nenit 47 të ligjit “Bordi i Administrimit është organi më i lartë kolegjial administrativ, i cili garanton përmbushjen e misionit të institucionit të arsimit të lartë, mbarëvajtjen financiare dhe administrative të tij”. Nga ky përcaktim i ligjit, kuptohet qartë, sesa i rëndësishëm është bordi për universitetin: ai garanton përmbushjen e misionit të universitetit!

Për të qenë më konkretë dhe për t’i dhënë më shumë informacion edhe lexuesit që nuk është pjesë e komunitetit akademik (megjithëse, për fat të keq, shumica e pedagogëve dhe studentëve nuk janë të ndërgjegjësuar për këtë strukturë të re organizimi të universitetit publik!) po citoj disa nga funksionet më kryesore të bordit që përcakton neni 49 i ligjit të ri:

“Funksionet e Bordit të Administrimit në institucionet e arsimit të lartë

  1. Bordi i Administrimit ka këto funksione kryesore:
  2. a) garanton qëndrueshmërinë financiare të institucionit të arsimit të lartë dhe përmbushjen e misionit të tij;
  3. b) me propozim të Senatit Akademik, miraton planin strategjik të zhvillimit të institucionit dhe mbikëqyr zbatimin e tij;
  4. c) me propozim të Senatit Akademik, miraton buxhetin vjetor dhe atë afatmesëm të institucionit dhe mbikëqyr zbatimin e tyre;

ç) me propozim të Senatit Akademik, miraton numrin e personelit në të gjitha nivelet;

  1. d) vlerëson paraprakisht mbylljen dhe riorganizimin e institucionit të arsimit të lartë, si dhe ndarjen ose bashkimin e institucionit të arsimit të lartë me një institucion tjetër të arsimit të lartë;
  2. dh) miraton paraprakisht hapjen, riorganizimin ose mbylljen e njësive përbërëse të institucionit të arsimit të lartë;
  3. e) jep mendim për projektrregulloren e institucionit dhe miraton rregulloren financiare të tij;

ë) përcakton rregullat për shpërndarjen e të ardhurave që siguron institucioni nga ushtrimi i veprimtarive të tij, si dhe mbikëqyr përdorimin e burimeve të financimit;

  1. f) është përgjegjës për caktimin e kritereve e të procedurave për punësimin e administratorëve dhe personelit administrativ, mbështetur në aktet e institucionit të arsimit të lartë;
  2. g) emëron dhe shkarkon administratorin e institucionit;
  3. gj) miraton paraprakisht statutin e institucionit të arsimit të lartë, para se t’i përcillet Senatit Akademik;
  4. h) miraton raportin e detajuar vjetor të veprimtarisë së institucionit, të hartuar nga rektorati”.

Besoj se çdo lexues, sado indiferent qoftë ndaj universitetit, kur i lexon këto superkompetenca, e kupton fare lehtë se, de fakto, vendimmarrjen e vërtetë për një universitet publik e ka bordi, ndërsa Senatit i kanë mbetur praktikisht kurrikulat. Parë në këtë këndvështrim, Bordi i Administrimit sipas këtij ligji është i krahasueshëm me Bordet e të Besuarve, Bordet Mbikëqyrëse apo Bordet e Drejtorëve.

Po çfarë përbërje duhet të ketë bordi, në mënyrë që të përmbushë këto funksione vendimmarrëse përcaktuese për ekzistencën dhe zhvillimin afatgjatë të një universiteti publik?

Bordi përbëhet nga anëtarë të brendshëm, të zgjedhur nga vetë Senati Akademik i universitetit publik dhe anëtarët e jashtëm, të cilët emërohen nga qeveria dhe zakonisht, ata përbëjnë shumicën, 4 nga 7 anëtarë. Po çfarë duhet të përfaqësojnë dhe çfarë kualitetesh duhet të kenë ata? Sipas nenit 48 të ligjit në fjalë “Anëtarët përfaqësues të ministrisë përgjegjëse për arsimin dhe njësisë së qeverisjes vendore janë ekspertë të njohur nga fushat akademike, menaxheriale, ekonomike dhe juridike dhe emërohen përkatësisht nga ministri përgjegjës për arsimin dhe kryetari i njësisë së qeverisjes vendore, sipas përcaktimeve të këtij ligji”.

Përvoja e vendeve të tjera tregon se në borde të tilla të universiteteve përzgjidhen personalitete të spikatura akademike dhe figura publike të vendit dhe të huaj, të cilën me të vërtetë kanë formimin, përvojën, vizionin, reputacionin publik dhe integritetin për të garantuar përmbushjen e misionit të një universiteti publik dhe për të kontribuar me idetë e tyre për të ardhmen afatgjatë të tij.
Kë po dërgon qeveria si anëtarë të bordeve në universitetet tona publike?

Po dërgon militantë të emëruar në administratën e MAS dhe ministrive të tjera. Do të ishte mirë që MAS të bënte publike në website-n e vet dhe të universiteteve CV e të dërguarve të saj në borde, në mënyrë që, jo vetëm pedagogët dhe studentët e universiteteve, por edhe publiku t’i vlerësonte vetë! Dhe pse i dërgon? I dërgon për t’i përdorur si ushtarë të bindur për vënien nën tutelë të universiteteve publike, si dhe për t’u bërë nder me një pagë të dytë, sepse ata do të paguhen për detyrën e tyre me kohë të pjesshme. Është e sigurtë se individë të tillë, edhe nëse kanë formimin profesional, nuk e përmbushin dot këtë rol që parashikon ligji, sepse vetë janë nën tutelë politike në hierakinë e administratës publike të politizuar dhe për rrjedhojë, nuk kanë asnjë mundësi të kontribuojnë në zhvillimin afatgjatë të universiteteve publike. Të dërguarit e qeverisë në bordet e universiteteve do të bëjnë vetëm një detyrë: do të përcjellin urdhrat e shefave të tyre për t’i nënshtruar rektorët dhe dekanët e universiteteve. Nuk do të shkojë shumë gjatë dhe do të shohim konfliktet e para të ashpra midis palëve në bordet e universiteteve dhe me rektorët dhe dekanët e zgjedhur nga studentët dhe pedagogët. Kjo do të ketë kosto të lartë për vetë universitetet publike.

Edhe pse përcaktimi i ligjit është i mirëmenduar që në hartimin e tij, për të krijuar hapësirë për militantë mediokër dhe jo personalitete të spikatura, sërish ekziston hapësirë për të përzgjedhur ekspertë të nivelit të lartë, të cilët njihen në opinionin tonë publik dhe mund të përfaqësonin me dinjitet interesin publik në bordet e universiteteve tona publike. Shqipëria ka profesorë me përvojë të gjatë, madje edhe në universitete perëndimore, figura të spikatura të medias, biznesit, shoqërisë civile, të cilët mund të jepnin një kontribut të vyer në bordet e universiteteve. Ata gëzojnë edhe respektin e studentëve dhe pedagogëve të universiteteve. Por qeveria nuk i dërgon këta personalitete, sepse nuk i komandon dot politikisht.

Vënia nën tutelë e universiteteve publike nga ana e qeverisë, përmes bordeve dhe administratorëve, asgjëson autonominë universitare. Është e vërtetë që ajo është çështje, më së pari, e pedagogëve dhe studentëve të universiteteve publike, sepse vendimet e bordit përcaktojnë fatin e një universiteti publik dhe prekin drejtpërdrejt studentët dhe pedagogët e tij. Por, universitetet publike janë pasuri kombëtare dhe financohen nga taksat e qytetarëve. Në këtë këndvështrim, kjo është një çështje që prek interesin publik dhe interesin e çdo taksapaguesi në vendin tonë. Prandaj, universitetet publike duhen mbrojtur nga vënia nën tutelën e çdo qeverie.

Exit mobile version