Uran Butka: Botohet Vëllimi IX i veprës së zgjedhur të Mid’hat Frashërit

Sapo doli në qarkullim vëllimi IX i veprës së Midhat Frasahërit, botuar nga “Onufri” nën kujdesin e z. Bujar Hudhri. Ky vëllim  përfshin letrat e kohës së Mbretërisë (1928-1939), të periudhës së Luftës së Dytë Botërore (1939-1944), si edhe ato të emigracionit politik të tij (1944-1949) .

Përpara tyre janë vendosur disa letra dhe ese që janë gjetur nga ne më pas gjatë hulumtimeve nëpër arkiva, letra të viteve 1908-1928 dhe letra apo dokumente të nxjerra nga fashikulli i Mid’hat Frashërit në dosjen e Sigurimit të Shtetit, të botuara në këtë vëllim, me qenë se është i parafundit i kolanës “Vepra të zgjedhura të Mid’hat Frashërit”.

Pjesa e parë e letrave të Mid’hat Frashërit dhe ato të bashkëkohësve drejtuar atij janë produkt i kohës më të qetë e më të stabilizuar të shtetit shqiptar, por edhe të jetës së tij, kur ai ishte librar në Librarinë “Lumo Skëndo” në Tiranë dhe zhvillonte një veprimtari të gjerë intelektuale, kulturore, studimore, madje edhe diplomatike si kryetar i Asosacionit të Lidhjes së Kombeve për Shqipërinë. (Ai nuk pranoi asnjë post në kohën e regjimit të Zogut, apo te kohës së pushtimit nazifashist)

Edhe në këtë letërkëmbim, si në gjithë veprën e tij, ai shfaqet si një prijës ideor dhe shpirtëror i kombit shqiptar, profet dhe edukator i njerëzisë, ndriçues i mendjes, yshtës i punës së parreshtur, i paqes (babai i përparimit njerëzor është paqja, thotë ai), i mirëkuptimit, bashkëpunimit, marrëveshjes jo vetëm mes shqiptarëve, por edhe midis popujve dhe kombeve, një kritik i vetes edhe i të tjerëve, qofshin personalitete e institucione të ndryshkura shqiptare, por edhe të fuqishme ndë֝rkombëtare, që i bënin dëm Shqipërisë, një vullnet titanik i pathyer dhe i kurrë i pashpërblyer (uvrier, thotë ai në një letër), mospajtues me urrejtjen, padrejtësinë, arbitraritetin, dhunën, diskriminimin etnik e social, gënjeshtrën dhe nënshtrimin, tradhtinë ndaj atdheut dhe nxitjen e luftës, jo vetëm mes shqiptarëve, por edhe kombeve të tjerë. Një evropian  i madh në një vend të vogël, një vizionar që i rrëfente njerëzisë një udhë të re: udhën e drejtë e të vërtetë të përparimit e mirëkuptimit në atë kohë, por edhe në të pritmin.

“Unë i përkas një rajoni të Evropës që ka vuajtur shumë, ndoshta ai që ka vuajtur më shumë gjatë dy dekadave të fundit. Është ky rajon i Evropës që kishte më shumë nevojë për paqe, pajtim dhe harmoni midis elementëve kuptojnë se ka vetëm një mënyrë për të arritur prosperitetin, vetëm një mënyrë për të të ndryshëm të tij. Popujt ballkanikë kanë filluar të shkëputur zakonet e këqija të së kaluarës, sipas të cilave çdo popull përtej kufirit konsiderohej armik. Ata tashmë e kuptojnë se një solidaritet interesash të përbashkëta, materiale dhe ekonomike, madje edhe morale e intelektuale, duhet t’i bashkojë popujt dhe jo t’i ndajë ata.”

M.Frashëri, ky erudit i madh, nuk iu nda për asnjë çast, edhe në kohët më të vështira te jetës së tij dhe të kombit, përftuesit dhe mëkuesit të diturisë, por edhe përpjekjes për krijimin e institucioneve kulturore dhe shkencore në Shqipëri, siç ishin themelimi i Bibliotekës Kombëtare, Institutit të Studimeve Shqiptare dhe së fundi edhe projekti i ngritjes së një akademie  diplomatike në Tiranë në vitin 1938 me ndihmesën e Austrisë dhe të diplomatit  austiak August von Kral. (Letër ministrit Kral)

Njëkohësisht, M.Frasheri  ka letërkëmbim me personalitete te rëndësishme të botës shqiptare me të cilët bashkëbisedon dhe bashkëpunon për probleme kombëtare, por edhe ta kulturës shqiptare, si me Ismail Qemalin, Fan Nolin, Branko Merxhanin, Fuat Dibrën, Kristo Dakon, Kristaq Tutulanin, Vasil Andonin, Abaz Kupin, Alfred Andonin, Musine Kokalarin, e te tjerë.

Në këtë vëllim ngërthehen edhe letrat e dashurisë, që e bëjnë edhe më magjepsës botimin.Vijon letërkëmbimi me  të dashurën   e tij franceze, intelektuales  Ninon. Sipas një kuptimi që i jepet këtij emri (Ninon) në frëngjisht, bëhet fjalë për një grua të dashur, plot madhështi kulturore me interesa për muzikën klasike, letërsinë dhe pikturën, grua tepër e ndjeshme, e mbyllur, besnike, disi e ndrojtur dhe e përmbajtur, që i jep pamje të ftohtë, por që ka besim në vetvete dhe fal shumë dashuri

Po ashtu botohen edhe letrat e fundit  të rumunes Angela Romano,letërkëmbim i jashëyakonshëm që zgjati 25 vjet. Ajo jetonte me kujtimet e bukura me Mitd’hatin në Stamboll apo në Zvicër dhe ëndërronte ta takonte atë përsëri në Gjenevë apo diku gjetkë. “Bukuria e natyrës ka gjithmonë efekt të më afrojë me ty miku im. Janë ato ekskursionet në këmbë që bënim në Zvicër dhe në malet e pyllëzuara mbi Montreux që më vijnë në mendje dhe kam gjithmonë një dëshirë të fortë ta shoh edhe një herë atë vend të mrekullueshëm. E sheh, kur mendoj për mundësinë e një udhëtimi jashtë shtetit, janë vetëm vendet ku kam qenë me ty që më tundojnë!”
Angela ishte e vetëdijshme dhe e vlerësonte përkushtimin e Mid’hatit për kombin e tij. Ajo disa herë i shkruan të bashkohen të jetojnë bashkë, por Mid’hati zgjodhi çështjen kombetare dhe shpirtin e lirë. Më 28 Nëntor 1933 ajo i dërgon një kartolinë “Po të shkruaj me nxitim, ngase nuk doja të shpëtonte kjo ditë pa të thënë që nuk e harroj përvjetorin e një dite të lumtur për vendin tënd.” Pra e uron për ditën e Flamurit.
. Në letrat e fundit Angele e fton Mid’hatin të bashkëjetojnë në Bukuresht apo në ndonjë vend tjetër të Evropës, meqenëse Shqipëria e pushtuar ishte vend i pasigurt për të jetuar. Por Mid’hati mes Shqipërisë dhe Angeles zgjodhi vendin e vet, mes dashurisë dhe detyrës  zgjodhi detyrën  të punojë si uvrier në Shqipëri

Opozitar ndaj ço lloj qeverie si intelektual e qytetar i Evropës, ai u qëndron i pathyer goditjeve dhe presioneve të pushteteve. Le të citojme vetëm një letrër të tij te vitit 1937: “Zoti Kryeministër, si njeri i ndershmë që të konsideroj, ma deklaro mua açik: në qoftë se qeverija juaj nuk më do, unë ikënj nga Shqipëria, edhe mos kini frikë se bënj shantazh si të tjerët. Këtu rronj si një uvrier duke punuar. Si uvrier do të rronj kudo që të vete”

Edhe ndaj pushteteve të Fuqive të Mëdha dhe atyre fqinje, që donin ta zhbënin Shqipërinë, Mid’hat Frashëri është kundërshtar dhe kritik i pathyer. Ja çfarë proteste i dërgon kryetarit të Konferencës së Paqes në Paris, Klemanso’ në vitin 1920: “Shqipëria, e krijuar më 1913 si shtet i pavarur, neutral dhe i garantuar, zotëron një të drejtë të fituar dhe nuk mund të shohë shkatërrimin e pavarësisë dhe integritetit të saj pa protestuar. Italia nuk ka asnjë të drejtë legjitime mbi Vlorën dhe tokën në brendësi të saj, përveçse asaj që vjen nga forca e saj e pamatë kundrejt Shqipërisë së vogël e të dobët; Greqia, si dhe Jugosllavia, nuk kanë asnjë të drejtë mbi pjesët e tjera të territorit shqiptar”.

Mid’hat Frashëri si një diplomat evropian i mirënjohur dhe largpamës, e sheh dhe e kërkon zgjidhjen e çështjes shqiptare në forumet më të larta vendimmarrëse të Evropës jo si një çështje te shkëputur, “që  s’ka të bëjë vetëm me Shqipërinë, por që i intereson paqes në Ballkan dhe madje edhe në Evropë”. Në letrën drejtuar më 9 prill 1921 Sekretarit të Përgjithshëm të Lidhjes së Kombeve, Eric Drummond, M.Frashëri, si kryetar i Delegacionit Shqiptar në Konferencën e Paqes në Paris, i shkruan:

“Përveç tri letrave që kam nderin t’ju dërgoj në datën e sotme, i lejoj vetes t’ju shkruaj këto radhë personalisht. Ju lutem të më falni për to. Por nuk do të mundesha kurrë t’ju lutesha sa duhet për të tërhequr vëmendjen tuaj dashamirëse mbi një çështje që s’ka të bëjë vetëm me Shqipërinë, por që i intereson paqes në Ballkan dhe madje edhe në Evropë.

Fuqitë e mëdha, që ngurrojnë të merren individualisht dhe veçmas me çështjen tonë, janë të gatshme t’i japin asaj një zgjidhje, nëse u kërkohet nga Lidhja e Kombeve.

Për ne janë tri pika që duhet të merren parasysh:

1 – Të evakuohen nga Serbia krahinat e pushtuara arbitrarisht në Lindje dhe në Veri të Shqipërisë.

2- Të evakuohet nga Greqia krahina  shqiptare në Lindje e Korçës.

3- Të njihet qeveria shqiptare de jure dhe të vendosen marrëdhëniet diplomatike.

Jam i bindur se zgjidhja e këtyre çështjeve do të bëhet në mënyrën më paqësore dhe më të lehtë nëse Lidhja e Kombeve – në interes të paqes -, do të dëshironte të merrej me to”.

Pjesa e dytë e letërkëmbimit ngërthen letrat e periudhës së Luftës së Dytë, kohë kur Mid’hat Frashëri ishte themelues dhe kryetar i Organizatës nacionaliste demokratike “Balli Kombëtar” në përballje me pushtuesit, në përpjekje për bashkëpunim me Lëvizjen Nacionalçlirimtare e gjithë faktorët antifashistë në luftën për çlirim (Marrëveshja kombëtare e Mukjes, gusht 1943) dhe, pas prishjes së saj nga komunistët,  përfshirjen e padëshiruar prej tij dhe të imponuar, në luftën civile me Frontin Nacionalçlirimtar të udhëhequr nga PKSH, që e provokoi, e nisi dhe e përfundoi këtë luftë shkatërrimtare me vendosjen e regjimit diktatorial komunist dhe ndarjen me Perëndimin demokratik.

Kur Enver Hoxha urdhëronte luftën e pamëshirshnme kundër nacionalistëve, “Me forcë dhe me armë ta marrim në dorë pushtetin. Ballin ta likujdojmë pa mëshirë nga çdo anë qoftë. Ne nuk mbajmë asnjë përgjegjësi nëse në luftën për asgjësimin e Abaz Kupit do të gjejnë vdekjen edhe oficerët anglezë që rrinë me të”, M. Frashëri ngrinte zërin për bashkim “ Sot është koha për një FRONT të çeliktë kundër armikut okupator dhe kundër horrave që e pasojnë. Ky front i përbashkët është gatuar me gjakun e heronjëve tanë: Qemal Stafa e dha kushtrimin dhe i fali atdheut  gjënë më të shtrenjtë që kish : jetën. Jashar Cakrani[1] e dëgjoi edhe ai atë kushtrim, duke rënë martir  për atdhenë. Me qindra të tjerë kaluan mbi gjurmët e gjakut të dëshmorve  dhe vaditën me gjakun e zëmrës së tyre këtë tokë arbërore. Le të luftojmë të bashkuar rreth fjalëve që na lanë të parët tanë: JA VDEKJE, JA LIRI !  JEMI VËLLEZËR, S’NA NDAJNË DOT ! »

Por luftën civile nuk e ndali dot, as humbjen e mijëra viktimave të pafajshme, as humbjen e tij politike, as ngritjen e përgjakshme të regjimit komunist.

Ai e vijoi përpjekjen për rivendosjen e lirisë dhe demokracisë në Shqipëri, edhe kur ishte në emigracionin politik në Europë, edhe kur shkoi në SHBA, si kryetar i komitetit “Shqipëria e Lirë”. Aleatët perëndimorë e zgjodhën Mid’hat Frashërin në krye të “qeverisë në hije në emiracion”, për shkak të vizionit të tij perëndimor demokratik, mendjes së hapur, antikomunizmit,  pastërtisë së figurës dhe intransigjencës ndaj vetes dhe të tjerëve.     Në emigracion ai u përpoq si lider i Ballit Kombëtar t’i bashkonte shqiptarët për interesin kombëtar pavarësisht nga përkatësitë ideore e partiake kudo që ndodheshin: në Itali, Francë, Greqi, Turqi, Egjipt, ShBA për t’i shërbyer Shqipërisë e për t’i kthyer popullit shqiptar një  qeverisje demoratike dhe të gjitha të drejtat dhe liritë e mohuara nga regjimi komunist. Por ai nuk pranoi të bashkohej e të bashkëpunonte me ata krerë, sidomos të Bllokut Indipendent, që kishin bashkëpunuar  me pushtuesit dhe kishin njolla e faje kundrejt atdheut. Ky qëndrim zbulohet qartazi në letërkëmbimin e viteve 1947-1949, të zgjedhura në këtë botim. Më i prerë bëhet ky qëndrim apo vija e tij ndarëse, kur bëhet fjalë për përzgjedhjen në Komitetin “Shqipëri e Lirë”.

“U themelue Komitetit “Shqipnija e Lirë”, i cili përfaqëson të gjithë ata shqiptarë, që duen me pa në Shqipni nji qeveri demokratike, e cila do t’i sigurojë popullit shqiptar të gjitha liritë politike dhe të drejtat njerëzore që i janë mohue” (Deklaratë e Komitetit Shqipëri e Lirë, 1949)

“Një komitet i përbashkët do t`ishte një vegël e çueshme për të rifituar të drejtat kombëtare. Por a nuk mendoni edhe ju se kondita e parë e një organi, që do të merrte përsipër një barrë të tillë, duhet të jetë i formuar prej njerëzish mbi të cilët të mos peshojnë njolla dhe faje kundër Atdheut? Duhet të kemi parasysh se kundërshtarët e Shqipërisë do të kërkojnë të përfitojnë nga të tilla shkake, për të luftuar të drejtat tona kombëtare. Nga ana tjetër, duhet të mejtojmë mirë efektin katrastofal që do të ketë pranë shqiptarvet, që kanë vuajtur dhe janë dërmuar gjatë këtyre vjetëve të fundit. Qysh mund të paraqitemi përpara opinionit publik krahpërkrah si bashkëpunëtorë me njerëz, mbi supet e të cilëve rëndojnë ngjarje të shëmtuara, që e bënë Shqipërinë një shkretinë, duke përfunduar në gjendjen e sotshme” – i shkruanteMidhat Frashëri – kryetarit të Legalitetit, Abaz Kupit, 1948.

Letërkëmbimi i kësaj periudhe dhe disa artikuj problemorë të tij si edhe informacione të Sigurimit të Shtetit të botuar në këtë vëllim, janë tejet të rëndësishëm dhe interesantë për evidentuar veprimtarinë e emigracionit politik shqiptar të pasluftës, si edhe përpjekjen madhore të Mid’hat Frashërit për çështjen shqiptare në bashkëpunim me aleatët anglo-amerikanë dhe gjithë diasporën antikomuniste shqiptare, si edhe për të qartësuar akuzat e pabaza ndaj tij dhe përbaltjen e padenjë të qeverisë komuniste të Tiranës e të Sigurimit të Shtetit, që çuan edhe në eliminimin e tij fizik më 3 tetor 1949.

Më duhet të theksoj se thuajse gjithë materialet shkrimore të mbledhura nga Sigurimi i Shtetit komunist në dosjen voluminoze nr.5 prej 228 faqesh, fashikulli i Mid’hat Frashërit, ndonëse ato janë qëmtuar për të rrëfyer veprimtarinë “tradhtare e kriminale” të Mid’hat Frashërit, siç shprehet edhe hyrja e dosjes, në të vërtetë, siç dëshmojnë qartazi edhe tekstet e botuara në këtë vëllim, vërtetojnë të kundërtën: asnjë fakt për tradhti e krim, përkundrazi dëshmojnë patriotizmin dhe veprimtarinë e pastër politike, kulturore dhe kombëtare të Mid’hat Frashërit, rolin e tij ndërkombëtar në mbrojten e çështjes shqiptare, por edhe të paqes në Ballkan dhe në Evropë, si edhe qëndrimin e tij demokratik dhe intransigjent në diasporën politike postkomuniste, që kulmon me themelimin e komitetit “Shqipëria e Lirë”.

Me botimin e kolanës “Vepra e zgjedhur e Midhat Frashërit” dhe  me vëllimin IX, shqiptarëve u kthehet një pasuri e madhe kulturore dhe historike e munguar.

Exit mobile version