Milani po përgatit një tjetër revolucion dhe Xhorxho Furlani do ta udhëheqë.
Siç raporton “Sky”, pas takimit që u zhvillua një javë më parë në Nju Jork me pronarin e “RedBird”, Xherri Kardinale, administratori doli i forcuar në pozicionin e tij dhe veçanërisht në përballjen kokë më kokë me Zlatan Ibrahimoviçin.
Praktikisht Furlani do të zgjedhë drejtorin e ri sportiv, pavarësisht lëvizjeve të Ibras dhe Monkada që kishin takuar Igli Taren, Fabio Paratiçin dhe Andrea Bertan. Prandaj, mund të thuhet se udhëtimi amerikan duket se ka rivendosur rendin në shpirtrat konfliktualë brenda “Casa Milan”. Furlani (përfaqësues i pjesës së kompanisë që lidhet me fondin “Elliott”) ka marrë nga Kardinale garanci dhe në këtë javë do të ketë kontakte të reja për të identifikuar profilet që konsiderohen më të përshtatshme për rolin e drejtorit sportiv.
AXHENDA – Furlani do të takohet me Paratiçin, Taren dhe gjithashtu Bertën (që do të ishte më i prirur të refuzonte, pasi thuhet se ka akord me Arsenalin). Një rrugë e re të çon në Bergamo dhe pikërisht te Tony D’Amiko, drejtor aktual i Atalantas dhe me një të kaluar të shkëlqyer te Verona. Një emër tjetër i sapopërfshirë në listën për postin vakant te Milani është edhe ai i Tiago Skuros. Ky profil thuhet të jetë propozuar nga Xhefri Monkada pasi të dy njihen nga koha kur punonin te Monakoja. Ishte pikërisht Skuro që shtatë muaj më parë bëri ujdinë me kuqezinjtë për transferimin e Fofanasë në Milano. Për më tepër, ai e njeh mirë tregun francez ku drejtuesit e “Djallit” kanë peshkuar shpesh në sezonet e fundit futbollistë.
DEBAT EDHE PËR TAREN – Sa i përket drejtorit sportiv, ndërsa Furlani dhe pjesa më e madhe e klubit do të donin Fabio Paratiçin, Ibrahimoviç do të kishte folur me Igli Taren, një mik i tij i ngushtë. Ai do të ishte drejtuesi i dytë që suedezi do të dëshironte të vendoste brenda klubit, pas Jovan Kirovskit, i emëruar në krye të sektorit teknik të Milan Futuro. E gjithë kjo ndërkohë që Konseisao ndihet i lënë vetëm. Pavarësisht përgënjeshtrimeve, ai nuk do të kishte qenë në gjendje të krijonte pothuajse asnjë lloj raporti me drejtuesit dhe dukshëm po shkon drejt një lamtumire në fund të sezonit, nëse jo më herët.