Gjykata Administrative e Apelit ka dhënë një vendim të çuditshëm, duke urdhëruar Këshilli i Lartë i Prokurorisë që të emërojë në funksionin “prokuror” Bledar Valikajn, bashkëshortin e deputetes së Partisë Socialiste, Ermonela Felaj, pavarësisht se ai nuk është “magjistrat”.
Bledar Valikaj, prej vitesh oficer i Policisë Gjyqësore, kandidoi në vitin 2015 për pozicionin “prokuror”. Në bazë të ligjit të kohës, prokurorët emëroheshin në dy forma-direkt nga Shkolla e Magjistraturës ose nëpërmjet konkurseve që zhvilloheshin në mënyrë periodike nga Prokuroria e Përgjithshme.
Në konkursin e zhvilluar në Shtator 2015, oficeri i Policisë Gjyqësore, Bledar Valikaj, merr pikët e nevojshme në testim dhe Prokurori i Përgjithshëm i propozoi Presidentit të Republikës së asaj kohe, Bujar Nishani, dekretimin e tij në pozicionin “prokuror”.
Presidenti Nishani, pasi kreu verifikimet e tij, e rrëzoi “me heshtje” propozimin e Prokurorit të Përgjithshëm, duke refuzuar në këtë mënyrë emërimin e bashkëshortit të deputetes socialiste Felaj në detyrën e “prokurorit”.
Presidenti i Republikës, brenda tagrave të tij kushtetues, kishte të drejtën e refuzimit, qoftë edhe me heshtje, të propozimeve për prokuror, në rastet se ai konstatonte problematika mbi integritetin personal të kandidatëve. Nishani nuk paraqiti publikisht arsyet e refuzimit të emrit të Bledar Valikaj.
Ky i fundit iu drejtua Gjykatës Administrative me një padi, nëpërmjet të cilës kërkonte “Konstatimin e paligjshmërisë së veprimit administrativ të President të Republikës;
detyrimin e Presidentit te Republikes për të marrë në shqyrtim propozimin e Prokurorit të Përgjithshëm për emërimin “prokuror” të kandidaturës së Bledar Valikaj.
Detyrimin për t’u shprehur në lidhje me propozimin e Prokurorit të Përgjithshëm për emërimin prokuror të kandidaturës ëe Bledar Valikaj”.
Pra, në fjalë të tjera, bashkëshorti i deputetes kërkonte detyrimin e Presidentit të Republikës për t’u shprehur mbi kandidaturën e tij. Gjykata Administrative, në Maj 2016 pranoi kërkesën e plotë të paditësit Bledar Valikaj.
Por, prej asaj kohe, Presidenti i Republikës nuk është shprehur për kandidaturën e Valikajt, me shumë mundësi, për shkak të tagrit të tij ligjor, sipas të cilit ai nuk mund të detyrohet të kryejë një veprim.
Pas një periudhe pritjeje, paditësi Valikaj i drejtohet me kërkesë Gjykatës Administrative të Apelit, në të cilën kërkon saktësimin e vendimit të shkallës së parë dhe, më konkretisht, kërkon “Detyrimin e Këshillit të Lartë të Prokurorisë të bëje emërimin si prokuror të paditësit Bledar Valikaj”.
Gjykata Administrative e Apelit e pranon edhe këtë kërkesë të bashkëshortit të deputetes Felaj, duke detyruar KLP-në që ta emërojë Bledar Valikajn “prokuror”.
Por ky vendim cënon rëndë nga ana tjetër një prej shtyllave të Reformës në Drejtësi. Prej Korrikut 2016, kur Parlamenti, me 140 vota, i hapi rrugë “Drejtësisë së Re’,
Kushtetuta parashikon që prokurorë mund të emërohen vetëm studentët që kanë përfunduar Shkollën e Magjistraturës.
Ndër 140 votat pro këtij ndryshimi ishte edhe ajo e Ermonela Felajt, e cila, ashtu si të gjithë kolegët e saj, u shpreh dakord për këtë ndryshim kushtetues.
Por, përtej vullnetit të shprehur politikisht, Ermonela Felaj dhe bashkëshorti i saj kanë investuar Gjykatën për të gjetur një rrugë alternative, aspak Kushtetuese dhe ligjore, për të marrë një emërim prokurori për Bledar Valikajn.
Tashmë, ky vendim e kalon “topin” në terrenin e Këshillit të Lartë të Prokurorisë, i cili duhet të marrë në shqyrtim vendimin e Gjykatës Administrative të Apelit, i cili bie në kundërshtim me Kushtetutën.
/Boldnews.al