Vapa përvëluese, Ministria e Shëndetësisë në Kosovë urdhëron sërish kufizim të orarit të punës

Ministria e Shëndetësisë e Kosovës ka urdhëruar sërish kufizim të orarit të punës në vend për kategori të caktuara, nga 14 deri më 17 gusht, për shkak të temperaturave të larta me të cilat po përballet vendi.

 

Sipas një vendimi të publikuar nga Ministria të martën në Facebook, gratë shtatzëna duhet të lirohen nga puna gjatë orëve të pikut të nxehtësisë, ose duhet t’u mundësohet të punojnë nga shtëpitë e tyre.

Temperaturat të martën arritën deri në 37 gradë në Kosovë dhe pritet që kjo valë e nxehtësisë të vazhdojë deri të premten.

Për këtë arsye, Ministria tha se me kërkesë të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike, rekomandoi që të ndryshohen oraret e punës për të shmangur punën në orët më të nxehta të ditës, nga ora 11:00 deri në orën 16:00.

“Ky vendim është marrë duke pasur parasysh praktikat më të mira për mbrojtjen e shëndetit dhe sigurisë së punëtorëve gjatë periudhave me temperatura të larta”, tha Ministria.

Ajo u kërkoi kompanive t’i lejojnë punëtorët që ta fillojnë punën më herët në mëngjes ose të punojnë nga shtëpia nëse ka mundësi.

Vendimi ndalon punën në ndërtimtari në ambiente të hapura nga ora 11:00 deri në orën 16:00, në të gjithë territorin e vendit.

Në oraret 11:00 — 16:00 ndalohet puna për qytetarët e prekur me sëmundje kronike, ose ata të punojnë nga shtëpia, thuhet në vendim.

“Të sigurohen kontrolle mjekësore për të punësuarit që tregojnë shenja të stresit nga nxehtësia dhe që i janë ekspozuar nxehtësisë ekstreme”.

Ministria u rekomandoi bujqve të planifikojnë zhvillimin e tyre në mëngjes herët ose pasdite vonë për të shmangur ekspozimin në nxehtësinë e madhe.

Kjo është hera e dytë që Ministria urdhëron kufizim të orarit të punës për shkak të nxehtësisë.

Muajin e kaluar, ajo kishte urdhëruar një javë kufizim të orarit në gjithë vendin.

Exit mobile version