Varësia nga vështrimi i tjetrit

Nga Bjorn Runa

Tani që duartrokitjet po zbehen, mund të marrim frymë dhe të pyesim veten se çfarë ndodhi ekzaktësisht? Jo çfarë u tha, jo ç’marrëveshje u dakordësuan dhe as çfarë problemesh u zgjidhën apo ç’pyetje morën përgjigje. Vetë thelbi i samitit – rrjedhojat e tij gjeopolitike, apo rëndësia demokratike – u tret shpejt nën peshën e sipërfaqësores dhe asaj çfarë u duk se mbetet problemi kryesor për Shqipërinë si shtet dhe ne si shoqëri: Si do na shohë Perëndimi? Si të sillemi? Si do të peceptohemi?

Diçka e tillë ngre disa pyetja më të thella  dhe të parehatshme: Pse jemi kaq të investuar tek syri i tjetrit? Përse rënia në sy, sa më pozitivisht, mbetet më e rëndësishme se realiteti në të cilin jetojmë?

Dëshira për t’u njohur dhe për t’u vlerësuar nuk është diçka e re, por një ndjesi koloniale në strukturë, e rrënjosur thellë në identitetin tonë post-diktatorial. Ne nuk dolëm nga dekada të tëra izolimi me një vizion, por me një dëshirë për t’u ndjerë të përfshirë, për t’u duartrokitur dhe përthithur. Me dëshirën që më në fund t’i përkisnim Europës që kishim mitologjizuar, duke e shndërruar atë në një pasqyrë. Një kontrollues. Një standard, të cilin nuk e përcaktuam ne, por me të cilin duhet të mateshim dhe vazhdojmë ta bëjmë.

Kështu, reshtëm së pyeturi se çfarë mendojmë ne në lidhje me politikën, institucionet dhe të ardhmen tonë, dhe filluam të pyesim nëse i aprovon Europa

Por, ndërsa sforcohemi çdo ditë për t’iu përshtatur standarteve të imagjinuara, cila është linja me të cilën kërkojmë të përputhemi? Një kontinent që e flet rrjedhshëm gjuhën e të drejtave të njeriut, por mbetet çuditërisht i heshtur teksa uria merr jetë fëmijësh në Gaza. Një union që në letër e mbron mospajtimin dhe kundërshtitë, por e ka të vështirë të veprojë kur popullsi të tëra rrethohen me gardhe e ushtri, zhvendosen me forcë, apo edhe më keq vriten. E testuar përkundër sfidave gjeopolitike, busulla morale e Europës fillon të lëkundet.

Po flasim për të njëjtin union që e  lartëson demokracinë si një nga shtyllat e veta themelore, identiteti i përbashkët i të cilit (unionit) supozohet t’i ketë rrënjët tek demokracia, debati dhe pluralizmi, por që nuk ka zë të flasë për represionin që ndodh fare pak larg kufijve të tij. Në Serbi, protestat masive të studentëve kundër rrëshiqtjes së vendit në autoritarizëm, u përballën me dhunë policore, intimidim dhe manipulim mediatik, ndërsa Brukseli pati forcë vetëm të pëshpëriste disa kritika standarte. Në Greqi, po njësoj. Nga ana tjetër, brenda vetë BE-së forcat e ekstremit të djathtë forcohen dita-ditës duke gërrryer nga brenda institucionet demokratike. Dhe cila është përgjigjia e unionit ndaj gjithë këtyre? Në rastin më të mirë, vërejtje teknike në vend të një qëndrimi të qartë politik dhe në rastin më të keq, indiferencë. Thënë ndryshe, një union që flet me gjuhë filozofi, por sillet si tregtar.

Pra, çfarë na tregon e gjithë kjo? Se ‘Projekti Europian’, siç implementohet aktualisht, nuk është domosdoshmërisht moral. Se uniteti i tij, shpesh varet më tepër nga heshtja se sa nga parimet. Se, të ashtuquajturat vlera  europiane – demokracia, dinjiteti njerëzor, solidariteti – vlejnë për t’u aplikuar në mënyrë selektive.

Dhe këto kontradikta nuk janë të parëndësishme sepse, kur një bllok politik flet për virtyte por toleron dhunën, kur predikon reformim tek vendet aspirante dhe justifikon kalbjen e brendshme të disa prej anëtarëve, atëherë “rruga Europiane” nuk i ngjan më një ideali të përbashkët, por një hierarkie të përbashkët bindjeje. Një lloj skene ku përfshirja kthehet në teatër, ku përkatësia nuk varet edhe aq nga ajo çfarë bën, por nga sa mirë e luan rolin.

Dhe ne, me zellin për t’u dukur të gatshëm, bëjmë sikur gjithçka është në rregull.

Kjo nuk do të thotë të shpërfillim ambicien, apo nevojën për bashkëpunim më të thellë me Europën, por të kërkojmë më me këmbëngulje se çfarë ndryshon realisht dhe cilat probleme mbeten të pazgjidhura? Një vend nuk mund ta ndërtojë të ardhmen e vet demokratike me estetikë të marrë hua. Duhet, fillimisht të përballet me kontradiktat e veta dhe jo t’i groposi ato në emër të progresit.

Megjithatë, çështje të tilla rrallëherë bëhen pjesë e narrativës publike, pasi e ndërlikojnë imazhin. Sfidojnë duartrokitjet. Na kujtojnë se të dukesh modern nuk është njësoj si të jesh demokrat. Sado joshëse, rënia në sy nuk e zëvendëson dot nevojën për reflektim, pasi të dukesh dhe të shihesh nga tjetri nuk është e njëjta gjë si të kuptohesh.

Siç na kujton Edward Said, vështrimi i më të fortit nuk është kurrë i pafajshëm. Ai na përcakton, na modelon dhe na disiplinon. Nën pretendimin se vetëm vëzhgon, ai krijon kronizën të cilës ne të tjerët duhet t’i përshtatemi. Dhe, siç Milan Kundera paraljmëronte dikur, fati i kombeve të vogla është që të jetojnë me frikën se mund të harrohen dhe për shkak të kësaj frike, na duhet të kapemi pas rënies në sy si mënyrë mbijetese. Perfomanca e Shqipërisë në skenën europiane i reflekton të dyja këto të vërteta. Ne jo vetëm po pozicionohemi me Europën, por po i përgjigjemi vështrimit të saj duke e modeluar veten sipas pritshmërive të tyre, ndërsa shpresojmë të mos zhdukemi plotësisht. Por, në proces e sipër, rrezikojmë të humbasim pikërisht atë që shpresonim të ruanim: zërin tonë.

Pyetja atëherë nuk mund të jetë më si u dukëm, por kur do të fillojmë të shohim?

Exit mobile version