Vazhdon masakra në Butrint, lejen e lokalit e dha Ministria

Parku Antik i Butrintit vazhdon të masakrohet me beton. Për këtë skandal ka patur një debat të ashpër edhe në mbledhjen e Këshillit Bashkiak të Sarandës, ku këshilltarët e djathtë kanë kërkuar spjegime se përse nuk ndërhyhet për të ndalur betonizimin në Parkun e Butrintit, por këshilltarët socialistë janë përgjigjur se, “ndërtimi në Park po bëhet me leje nga Ministria e Kulturës dhe nuk mund të ndalohet”. Këshilltarët e djathtë kanë kërkuar që të ngrihet një komision nga Këshilli Bashkiak për të ndaluar këtë masakër, por një kërkesë e tillë nuk është pranuar nga të majtët.
Pas reagimit të mediave për këtë skandal, Parku i Butrintit është rrethuar dhe nuk lejohet të futen as gazetarët dhe as qytetarë të thjeshtë. Në Park futen vetëm kamionët me beton dhe tulla. Sipas banorëve të zonës, në mes të Parkut po ndërtohet një lokal me pronar nga Tirana. Po ashtu është planifikuar që të ndërtohet edhe një lokal tjetër mbi shkallët e Amfiteatrit antik të Butrintit.
Objekti po ndërtohet në Akropolin e qytetit të lashtë të Butrintit, pranë Kullës Veneciane, e cila është më e larta në Butrint. Ditën e djeshme punëtorët kanë marrë urdhër për ta mbuluar me barriera jeshile vendin në mes të Parkut ku tashmë janë hedhur themelet e betonit të lokalit. Ndërtimi i lokalit po bëhet ngjitur me murin prehistorik që daton në shekullin 7-8 para Krishtit. Në këtë kantier nuk ka tabelë për punimet, ndërsa punëtorët nuk kanë frikë të flasin. As ata nuk e dinë se çfarë po ndërtohet. Punëtorët hedhin tulla e beton dhe kyçin gojën për çfarë po ndodh brenda mureve të lashta të Butrintit.
Një zyrtar nga Bashkia e Sarandës bëri të ditur se, lokali që po ndërtohet në Butrint është i një njeriu të afërt të kryeministrit Rama ndaj dhe e gjithë zona është rrethuar me policë dhe nuk lejohet askush të futet në Butrint. Pak ditë më parë, një qytetar nga Saranda i dërgoi një mesazh ish-Kryeministrit Berisha dhe fotot e ndërtimit të lokalit në mes të Parkut, duke shkruajtur se ndërtimi që po ngrihet është i Kryeministrit. Sipas UNESCO, brenda Parkut Arkeologjik nuk lejohet asnjë lloj ndërtimi, përveç punimeve për mirëmbajtje dhe restaurim. Ministria e Kulturës vazhdon të heshtë për dhënien e lejes së ndërtimit në Parkun e Butrintit.
Të gjitha qytetet, parqet apo zonat e shpallura si zonë e mbrojtur nga UNESKO në çdo vend të botës janë një aset i çmuar jo vetëm turistik, por edhe historik. Por ndryshe ndodh në Shqipëri me Parkun Antik të Butrintit. Edhe pse është e ndaluar çdo lloj ndërhyrje në ketë Park Arkeologjik i mbrojtur nga UNESCO, punëtorë ndërtimi po kryejnë punime, madje duke shtruar edhe beton.
E gjithë zona rreth qytetit antik të Butrintit në Jug të Shqipërisë është strehë e një sërë speciesh globalisht të rralla dhe ka një histori kulturore të pasur që justifikon njohjen e saj si të Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s. Tashmë në këtë zonë jo vetëm që po rrezikohen speciet e rralla, por edhe vetë Parku i Butrintit. Me një leje të firmosur dhe vulosur nga Ministria e Kulturës, Parku i Butrintit po shkon drejt rrënimit. Të gjitha parqet apo zonat e shpallura si zonë e mbrojtur nga UNESKO në çdo vend të botës janë një aset i çmuar historik, por Ministria e Kulturës as që sdo t’ia dijë. Babëzia e pushtetarëve nuk njeh limit.

R.POLISI

Exit mobile version