Vdekja e dy fëmijëve, një vrasje e paralajmëruar e Ramës

Babai i dy fëmijëve që humbën jetën në aksident pasditen e të shtunës në Kavajë ishte arrestuar nga policia për ndërtim të paligjshëm dhe ndodhej në burg prej 3 muajsh. Policia e Ramës dhe Tahirit arreston njerëz hallexhinj pse ndërtojnë një oxhak pa leje apo riparojnë çatitë e shtëpive dhe le të lirë miqtë e zyrtarëve të lartë që ndërtojnë pa leje në mes të Tiranës dhe qyteteve të tjera të vendit. Arrestojnë hallexhinjtë pse ndërtojnë një nevojtore në fshat dhe lënë të lirë banditët dhe kriminelët që vrasin në mes të ditës. Vitin e kaluar një qytetar nga Lushnja u vetëvar në burg pasi ishte arrestuar vetëm për 30 mijë lekë të vjetra për energjinë elektrike. Ky është shteti që po ndërton Rama dhe “Rilindja” e tij. Arresto hallexhinjtë dhe mbështet banditët dhe kriminelët për të vrarë dhe për të mbajtur nën terror qytetarët.
Një nga këta njerëz hallexhinj që u burgos sikur të ishte bandit vetëm pse po riparonte shtëpinë e tij në fshat, ishte edhe Sokol Negollari. Sokol Negollari, banues në fshatin Gërmenjë Kavajë rezulton se është prangosur më 5 shkurt të këtij viti, ndërsa hetimet ndaj tij kishin nisur në janar. Ai ndodhej prej tre muajsh në burgun e Rrogozhinës.
Bashkëshortja po shkonte në Burgun e Rrogozhinës për të takuar të shoqin së bashku me tre fëmijët. Mirëpo pësoi aksident me makinën e saj dhe si pasojë, dy fëmijë humbën jetën. Dy fëmijët që humbën jetën ishin të moshave 3 dhe 5 vjeç, ndërsa fëmija 1 vjeç fatmirësisht mundi të mbijetojë së bashku me të ëmën Silva Negollari.
Të dielën në shoqërinë e eskortës së sigurisë së burgjeve Sokol Negollari është dërguar në banesën e tij për të kryer ceremoninë mortore dhe pas përfundimit të mortit, ai do të kthehet për procedurë në paraburgim, ku do të ekzekutohet masa e re e sigurisë ajo e detyrim paraqitjeje. Pas aksidentit tragjik, Prokuroria ka urdhëruar lirimin e menjëhershëm të tij. Bëhet e ditur se Gjykata i ndryshoi atij masën e sigurisë në detyrim paraqitje.
Ndërkohë, pas aksidentit të së shtunës Prokuroria e Kavajës ka nisur hetimet për shkaqet e aksidentit. Nëse barrierat anësore të rrugës Plepa-Kavajë nuk do të ishin të shkëputura për një pikë karburanti, aksidenti i të shtunës në Qerret të Kavajës nuk do të kishte bilanc tragjik për familjen Negollari që humbi dy fëmijë. Prokuroria e Kavajës po heton këtë rast, pasi dyshon se siguria e rrugës Plepa-Golem u cënua për një karburant. Ndërsa drejtuesit e mjeteve e quajnë ngjarjen, një vrasje me paramendim. Vdekja e dy të vegjëlve që udhëtonin me nënën e tyre, i ka tronditur udhëtarët në rrugën Plepa-Kavajë. Shkaqet e aksidentit ata i gjejnë tek ndërprerja e barrierave anësore. E gjitha ka ndodhur që kjo hapësirë t’i shërbejë pikës së karburantit. Dhe për këtë fakt, Drejtoria e Përgjithshme e Rrugëve përgjegjëse për kontrollin e sigurisë rrugore ka heshtur.
Anësorja mbrojtëse prej metali i hyri në mes makinës ku udhëtonte 24-vjeçarja me 3 fëmijët duke shkaktuar vdekjen e dy prej tyre. Investimi në segmentin Plepa-Kavajë ka përfunduar prej kohësh, por elementët e sigurisë mungojnë. Për këtë arsye referuar situatës, Prokuroria e Kavajës nisi një hetim për aksidentin. Hetuesit  dyshojnë se shkak për humbjen e dy jetëve është bërë mosplotësimi i rrugës me elementë të sigurisë. Pjesë e hetimit do të jetë jo vetëm mospërmbushja e detyrës nga autoritetet shtetërore, por edhe arsyeja e lënies së kësaj pjese pa mbrojtëse. Sikurse pakujdesia e nënës së dy fëmijëve viktima, Silva Negollari 24 vjeçe është një nga shkaqet e aksidentit horror.

Hetimet e Prokurorisë: Aksidenti në Kavajë u shkaktua për një karburant

Prokuroria e Kavajës dyshon se shkak i aksidentit në Kavajë ku humbën jetën dy fëmijë është shkaktuar për shkak të mos vendosjes së mbrojtëseve metalike anës së rrugës. Prokuroria e Kavajës po heton për këtë rast. Dy kalime nga autostrada Plepa-Golem në rrugën dytësore në krah të djathtë janë lënë qëllimisht për të favorizuar këtë pikë karburanti. Prokurorët që po mbledhin të gjitha provat dhe shkresat zyrtare mbi sigurinë e kësaj rruge, dyshojnë se kjo ka qenë arsyeja që Autoriteti Rrugor Shqiptar e ka marrë në dorëzim rrugën edhe pse ishte cënuar një element i rëndësishem i sigurisë rrugore.
Për këtë arsye, Autoriteti Rrugor Shqiptar është institucioni që po hetohet për këtë rast. Burime nga Prokuroria konfirmojnë se, është regjistruar procedimi penal për akuzën e shpërdorimit të detyrës, pasi ka dyshime se ky institucion nuk ka zbatuar rregulloren në aksin rrugor ku ndodhi aksidenti. Burimet sqarojnë se ka mungesë të thesuar të sinjalistikës rrugore çka ka sjellë dhe aksidentin fatal.
Mbrojtësja metalike, sipas Prokurorisë së Kavajës, nuk duhet të ishte e ndërprerë në asnjë rast, në një rrugë ku shpejtësia maksimale e lejuar është 100 kilometër në orë. Por edhe sinjalistika në lidhje me shpejtësinë po hetohet. Vetëm në vendin ku mbrojtësja nuk është vendosur, shpejtësia është 60 kilometër në orë.
Dhe ky nuk është rasti i vetëm mbi të cilin Prokuroria po heton drejtuesit e Autoritetit Rrugor. Drejtori i saj Dashamir Xhika është kallëzuar nga KLSH për akuzën e shpërdorimit të detyrës, duke i shkaktuar buxhetit të shtetit një dëm pre 5 milionë eurosh. Dëmi ka ardhur kryesisht nga mungesa e supervizimit në zbatimin e projekteve të infrastrukturës rrugore.
Në sitën e hetuesve për aksidentin e të shtunës do të kalojnë dhe veprimet e kompanisë që ka ndërtuar këtë pjesë të rrugës, nëse ajo nuk e ka vendosur me iniciativë të saj mbrojtesën anësore pranë këtij karburanti, apo i është kërkuar nga drejtuesit e Autoritetit Rrugor Shqiptar dhe Ministria e Transporteve.

Shkelja e standardeve të sigurisë, Ministria hesht përballë skandalit

Edhe pse i vënë në qendër të akuzave si shkaktar i aksidentit të rëndë të së shtunës me pasojë vdekjen e dy fëmijëve, Autoriteti Rrugor Shqiptar refuzon të shpjegojë se përse nuk është vendosur mbrojtësja metalike në autostradën Plepa-Golem, pranë këtij karburanti. “Shqetësimit të ngritur nga Televizioni “Klan” për sigurinë rrugore drejtuesit e Autoritetit iu përgjigjen, duke cituar ligjin, i cili kërkon dorëzimin me shkrim të kërkesës për informim. Ne e dorëzuam kërkesën, sipas ligjit. Po ky institucion, a e ka zbatuar ligjin, kur ka menduar të lërë pa mbrojtëse anësore një autostradë, duke cenuar sigurinë rrugore, vetëm për të favorizuar dy karburante, siç dyshon Prokurori”?
Kodi Rrugor i Republikës së Shqipërisë, në nenin 14 dhe 37 përcakton qartë përgjegjësitë e Autoritetit Rrugor. Neni 37 thotë që vendosja dhe mirëmbajtja e sinjalizimit rrugor është në ngarkim të enteve pronare të rrugës. Ndërsa neni 14 thotë se, entet pronare të rrugëve kanë për detyrë garantimin e sigurisë dhe rrjedhshmërisë së qarkullimit.
Pas refuzimit të autoritetit rrugor ne iu drejtuam Ministrisë së Transporteve, dikasterit që e ka në vartësi. Por edhe këtu nuk morëm përgjigje. “Edhe Ministria e Transporteve hesht për shkeljen e standardeve të sigurisë në autostradën Plepa-Golem. Zyrtarisht ky dikaster thotë se do të presë përcaktimin e shkaqeve nga Policia Rrugore, pasi dyshon se aksidenti ka ardhur si pasojë e shpejtësisë. Por pyetja që i drejtohet Ministrisë së Transporteve është: A do kishin humbur jetën dy fëmijë nga hekuri i mbrojtëseve nëse mbrojtëset nuk do të ishin ndërprere?”, shprehet gazetarja e Tv “Klan”. Ekspertë rrugorë thonë se është detyrim ligjor pajisja e autostradave me barriera mbrojtëse.
Lënia e një shtegu të tillë, si ky ku ndodhi aksidenti i së shtunës, sipas ekspertëve kërkon, kufizimin e shpejtësisë në 40 km, një sinjalistikë të fortë paralajmëruese për rrezikun që paraqet dhe pajisje të veçantë të hekurave anësore që mundësojnë zbutjen e efektit fatal prerës në rast aksidentesh, siç rezultoi me dy fëmijët dy ditë më parë.

R.POLISI

Exit mobile version