Vendi nën terror, vrasja e biznesmenit pa autorë!

Vrasja e biznesmenit të ndërtimit të dielën në Durrës tregoi edhe një herë se vendi ndodhet nën terrorin e krimit. Vrasja në Durrës u krye vetëm 5 ditë pas ekzekutimit të ndodhur në mes të Tiranës tek ish-Blloku, në një zonë ku forcat e policisë janë të shumta në numër. Banditët veprojnë në mes të ditës dhe në mes të qytetit pa iu trembur policisë, ndërsa pasiguria e qytetarëve për jetën shtohet çdo ditë e më tepër.
Ndonëse kanë kaluar 48 orë nga ekzekutimi i tipit mafioz në qytetin bregdetar, ende nuk ka asnjë të arrestuar nga policia. Menjëherë pas vrasjes, Policia e Durrësit deklaroi se viktima ka qenë me precedentë penalë, pa dhënë asnjë detaj se si u krye vrasja në zonën e plazhit, një zonë mjaft e populluar dhe pse nuk u zbuluan autorët.
39-vjeçari Shpëtim Shala u gjet i ekzekutuar në lagjen 13 në Durrës të dielën brenda makinës së tij nga kalimtarë të rastit. Ngjarja ka ndodhur në një zonë të populluar të plazhit të Durrësit. Viktima u qëllua nga afër me 15 plumba, nga të cilat 6 e kapën vetëm në kokë. Autori kishte përdorur një armë ‘Scorpions’ me silenciator, pasi nuk u dëgjuan të shtëna arme.
Sipas burimeve, biznesmeni ishte ndjekur dhe vëzhguar nga vrasësi, i cili priti momentin që Shpëtim Shala të ishte vetëm. Policia deklaroi pas vrasjes se, viktima ka qenë njeri problematik, ndërsa banorë të ndryshëm e përshkruajnë si një njeri të qeshur dhe që nuk njihej si person problematik në Durrës.
Ndërkohë policia bëri të ditur dje se, Shpëtim Shala 39-vjeçari nga Durrësi mund të jetë vrarë për shkak të një konflikti 6 ditë më parë si pasojë e një borxhi të pashlyer me një tjetër person. Burime nga policia bëjnë me dije se është grumbulluar informacion se 5 ditë para vrasjes, Shala është konfliktuar fizikisht me një shtetas tjetër, i cili sipas të dhënave pretendonte se 39-vjeçari i kishte një shumë prej 10 mijë euro borxh, të marra disa kohë më parë në një prej vendeve të Bashkimit Europian.
Kjo është pista kryesore e hetimit, ndërsa nuk janë lënë jashtë vëmendjes dhe pista të tjera siç është ajo e prishjes së pazareve të drogës, por për institucionet ligjzbatuese, Shala nuk ishte person problematik, apo me tendenca kriminale.
Në 17 mars në vitit 2011 Policia e Durrësit gjeti në bilardon në pronësi të Shalës një sasi kanabis sativa, ngjarje për të cilën Gjykata e Lartë e shpalli të pafajshëm  me arsyetimin e mungesës së dijenisë nga ana e Shalës se kush mund ta ketë futur drogën brenda. Për këtë rast u dënua me gjobë punonjësi i tij.
Në polici janë shoqëruar 15 persona lidhur me vrasjen e biznesmenit, mes të shoqëruarve është dhe shtetas i përfshirë në konflikt me Shalën para ngjarjes, por nuk është gjetur asnjë provë implikuese. Në vendin e ngjarjes u gjetën 15 copë gëzhoja pistolete automatike Scorpions ose sharc me silenciator.
Ekspertiza mjeko-ligjore ka zbuluar plagë në kokë e trup, me armë zjarri, të cilat i shkaktuan vdekje të menjëhershme. Mendohet që vetëm njëri vrasës ka qëlluar me armë mbi Shalën, kurse personi i dytë e ka mbështetur me sigurinë dhe drejtimin e mjetit me të cilin u larguan. Ekspertët, referuar ndërtimit të skenës së krimit dyshon për vrasës profesionist.
Bëhet e ditur se, Shpëtim Shala kohët e fundit nuk kishte ndonjë aktivitet tregtar por në mënyrë të vazhdueshme, Shala merrte objekte me qira, si bilardo, lokale, por edhe plazhe private.
Megjithatë, arsyeja e ekzekutimit të 39-vjeçarit me breshëri automatiku në zonën e plazhit në Durrës mbeten ende të paqarta. Pavarësisht se ka shoqëruar 15 persona, policia ende nuk e ka të qartë se përse u ekzekutua babai i tre fëmijëve, Shpëtim Shala. Atentati ka qenë i mirëmenduar. Viktima ka qenë duke lëvizur me makinën e tij, tip Volfswagen “Golf 5” me targa AA 086 HJ, kur u qëllua me breshëri automatiku. Vrasësi përdori një scorpions me silenciator.
Shpëtim Shala ishte banor i qytetit të Durrësit, por jetonte me qira. Atentati është i paramenduar, pasi dyshohet se viktima është ndjekur prej kohësh nga vrasësit dhe i është bërë pritë vetëm ditën e dielë. Bëhet e ditur se, pak para se të qëllohej për vdekje, Shpëtim Shala ka qenë duke luajtur futboll me shokët e tij në zonën e plazhit.

R.POLISI

Exit mobile version