Vellai i Fatmirit dhe Komisioni Xhafaj. Të pavërtetat e ish ministrit të rehabilituar të Edi Ramës

Nga Desada Metaj

Lotët e Fatmir Xhafajt nuk ishin tërësisht të ngjashme me ato të Saimir Tahirit dhe Arben Ahmetajt në një studio televizive.

Për to, ish-ministrit iu desh të priste pauzat e reklamave për të përmbledhur dhe drejtuar emocionet dhe lotët, ashtu siç e kishin mësuar—tek hallet e familjes së tij. Nuk u kuptua nëse lotët ishin për Agronin apo Geronin, por ish-ministrat e Edi Ramës tashmë e kanë mësuar mirë se larja ose shplarja e imazhit kërkon patjetër mallëngjim para publikut. Ndërsa lotët mund të konsiderohen të suksesshëm për të shplarë imazhin, justifikimet juridike nuk ishin të tilla për një jurist me përvojë si Fatmir Xhafaj. Në shpjegimet e gjata për vëllain dhe çështjen për të cilën është dënuar Ervin Salianji, zoti Xhafaj përdori pjesë të dosjes, duke veçuar ato që shfajësojnë Agron Xhafajn, por pa i dhënë përgjigje disa pyetjeve thelbësore.

Çfarë fshihet në përgjimet e SHISH që zoti Xhafaj nuk i mori në konsideratë gjatë intervistës së djeshme? A ka qoftë dhe një rast të ngjashëm në Shqipëri ku dikush të jetë dënuar me burg për dëshmi të rreme? Pse duhet të jetë Salianji “simbol” i këtij standardi? Pse nuk rrëfeu ish-ministri i Brendshëm faktin se ish-drejtuesi i Krimeve të Rënda, Besim Hajdarmataj, bëri padi për SHISH për këto përgjime të kryera për vëllain e Xhafajt? Me gjithë “ledhatimet” për krimin e “pafajshëm” të Agron Xhafajt në moshë të re, 7 vjet heqje lirie janë dënim penal i merituar, të cilat Agroni dhe Geroni bashkë nuk i kryen sepse Fatmiri ishte ministër. Vetëm po të mendosh se sa magjistratë janë përjashtuar nga sistemi për kunetër dhe fis të dënuar me vendim të formës së prerë, zotit Xhafaj do t’i duhej të jepte dorëheqjen. Kjo, edhe në respekt të reformës në drejtësi, për të cilën ai vijoi edhe mbrëmë të mbante meritat, edhe pse prej disa muajsh drejton një komision që përpiqet të bëjë reformë mbi reformën.

Përfshirë dhe këtë çështje, ish-ministri i “rehabilituar” i Edi Ramës nuk u tregua i sinqertë teksa deklaroi se institucionet e pavarura i kanë çuar kërkesat për ndryshime ligjore prej më shumë se një viti. Në të vërtetë, ato janë analizuar dhe diskutuar në Komisionin e Ligjeve dhe janë komentuar nga BE-ja. Priteshin të kalonin në Kuvend në shtator, por Komisioni Xhafaj i ndërpreu, duke i vonuar kërkesat e tyre dhe indirekt duke cenuar efektivitetin e drejtësisë.

Ndryshe nga sa deklaroi mbrëmë, Komisioni Xhafaj nuk i ka ftuar institucionet e pavarura, por u ka “kërkuar” të sjellin ekspertë për të marrë pjesë në grupe pune që nuk kishin asnjë objekt dhe axhendë të qartë pune. Mbrëmë, në intervistë, Xhafaj pretendoi se kërkesat dhe problemet e institucioneve duhet të shqyrtohen nga Kuvendi. Çdo drejtues i institucioneve të pavarura raporton përballë Komisionit të Ligjeve dhe Parlamentit në seancë plenare. Si ilustrim, Drejtuesi i SPAK është mbajtur në raportim përballë Komisionit të Ligjeve dhe atij të Sigurisë për mbi 10 orë dhe po aq në Seancën Parlamentare.

Çfarë pret të dëgjojë më shumë zoti Xhafaj për të evidentuar ngërçet e institucioneve të drejtësisë? Ndoshta një nga njerëzit kryesorë të reformës në drejtësi duhet të pranojë publikisht se ligjet e reformës u “qepën” sipas masës së kostumit të personave që socialistët dhe Xhafaj kishin projektuar për vendet e reja. Dhe kur ndodhi që ndonjë drejtues i institucioneve të reja (lexo SPAK) doli jashtë kostumit të prerë dhe qepur nga Xhafaj, u pa e domosdoshme të ndryshoheshin rregullat.

Kjo në fakt është dhe loja e pandershme e ish-ministrit që mbrëmë u përbetua se po ruante standardet e drejtësisë dhe se po sinkronizonte çdo lëvizje të komisionit me ndërkombëtarët. Një e pavërtetë po aq e madhe sa përpjekja për të justifikuar foton e tij me diktatorin në vitin 1981. Për të cilën ai si student nuk ka asnjë përgjegjësi, por si deputet dhe politikan me karrierë të spikatur së paku i takonte të dënonte me një fjali krimet e një sistemi që ka shkaktuar mjaft dëme për shqiptarët. Përndryshe, mallëngjimi për të vëllain e dënuar për trafik droge dhe lehtësia e tejkalimit të një sistemi gjakatar tregojnë qartë se hallet personale janë ato që furnizojnë me energji politikën shqiptare. Që, edhe pa lotët e ish-ministrave të Ramës, është për t’u qarë ditë e natë./vna.al

Exit mobile version