VENDIM POPULLOR I PAKTHYESHEM

Kryetari i opozitës ka paralajmëruar dje një lëvizje popullore për largimin e Ramës gjatë muajve të ardhshëm. Në një reagim në rrjetin social Facebook, Basha ka deklaruar se vendi do të shkojë drejt zgjedhjeve pa Ramën në krye të qeverisë, duke shtuar se ky është një vendim tashmë i marrë dhe i pakthyeshëm. “Vendimi është marrë. Është një vendim popullor i pakthyeshëm. Zgjedhje të lira dhe të ndershme vetëm pa Edi Ramën Kryeministër”, thotë Basha.
Kryetari i opozitës ka sqaruar edhe mënyrën se si opozita do të largojë Ramën. Ai thotë se, ky do të jetë një vendim popullor, që nënkupton një lëvizje të fuqishme të protestave në të gjithë vendin. Basha po paralajmëron se fillimi i sezonit të ri politik në shtator do të jetë mjaft intensiv. Koha duket se është një tjetër arsye që motivon opozitën të nisë reagimin popullor. 9 muaj para zgjedhjeve, situata politike nuk premton për zgjedhje të lira. Ligji i dekriminalizimit i miratuar në Parlament ka mbetur në letër, sepse Rama nuk pranon të dorëzojë kriminelët. Rasti konkret është përdhunuesi në krye të Bashkisë së Kavajës, i cili edhe pse i kapur në flagrancë me krimin dhe në arrest shtëpie vijon që të mbahet nga Rama në krye të Bashkisë së qytetit. Kriminelë të tjerë në Parlament, si rasti i Prengës dhe kryebashkiakë të tjerë kanë si mburojë Ramën, i cili i ka varur të gjithë shpresat për zgjedhjet parlamentare tek këto kontigjente të krimit.
Në kushtet e bllokimit të ligjit të dekriminalizimit. Në kushtet, kur Reforma Zgjedhore duket gjithnjë dhe më e largët dhe kur Rama nuk pranon që të ketë një votim elektronik dhe biometrik, atëherë opozitës e vetmja zgjidhje që i mbetet për t’i imponuar vendit zgjedhje të lira dhe të ndershme është ajo e largimit të Ramës me çdo kusht dhe çdo çmim. Në të vërtetë, ky është hapi më i rëndësishëm për të mos lejuar vendin që të destabilizohet me manipulimin e zgjedhjeve nga Rama.
Basha: Betejë për zgjedhje të lira
“Me shpresën e kotë se mund të ndalë betejën tonë vendimtare për zgjedhje të lira e të ndershme, Edi Rama me një grusht mercenarësh mediatikë po përpiqen të shpikin fijen e kashtës në PD për t’u kapur si i mbyturi.
E njëjta intrigë që i doli huq në planin e tij për të kapur drejtësinë, duke përjashtuar opozitën. Të njëjtat mendje të prishura që mbështetën “të sëmurin e Tiranës” kundër konsensusit për Reformën në Drejtësi, sepse ashtu do të përçante opozitën.
Të njëjtët që bënë çmos të pengojnë dekriminalizimin për llogari të Rroshit, Bushit, Frrokut, Ndokës, Prengës, Shullazit, Habilajt dhe mbarë kupolës së krimit të veshur me pushtet dhe pushtetit të veshur në krim.
Të njëjtët që shpallën zinë 7 ditore (prej të cilës nuk po dalin dot), kur Shqipëria dhe PD fituan pa kushte betejën për drejtësi sipas Venecias e jo sipas Ramës.
Tani që bien topat e betejës për zgjedhje të lira e të ndershme, kuisin me dëshpërim kundër kushtit të patejkalueshëm opozitar dhe popullor që është njëkohësisht edhe ankthi i përnatshëm i “të sëmurit të Tiranës”.
Nuk ka zgjedhje me Edi Ramën Kryeministër dhe me langot e tij të korruptuar e të bërë njësh me krimin dhe drogën. Vendimi është marrë. Është një vendim popullor i pakthyeshëm. Zgjedhje të lira dhe të ndershme vetëm pa Edi Ramën Kryeministër”, shkruan Basha në postimin në Facebook.

Exit mobile version