“Venecia” rrëzoi 38 nene të draftit të Ramës për Drejtësinë

Ish-Kryeministri Berisha deklaroi dje në Parlament se Komisioni i Venecias ka rrëzuar 38 nene të draftit të parë që Rama ka depozituar në këtë komision, ndërsa ka bërë publik faktin se denoncimi më parë ishte bërë nga opozita.
“Drafti që përgatiti bashkëkryetari i partisë komuniste të drejtësisë, Fatmir Xhafaj, shkoi në Venecia. Dhe Venecia e hodhi poshtë këtë draft në 38 nene të tij. Opozita ka meritën historike sepse, njëkohësisht me draftin që çoi kryetari i partisë komuniste të drejtësisë, Fatmir Xhafaj, çoi dokumentin që faktonte të gjitha këto.
Opozita e kuptoi se Edi Rama me reformë nënkupton kthetrat e tij të zeza mbi drejtësinë. Nënkupton deklarimin e tij: vetë kryeprokuror, vetë kryegjykatës, vetë kryehetues. Drafti që përgatiti bashkëkryetari i partisë komuniste të drejtësisë, Fatmir Xhafaj, shkoi në Venecia. Dhe Venecia e hodhi poshtë këtë draft në 38 nene të tij. Venecia e rrëzoi draftin, si një draft që shkelmonte Konventën Europiane të të Drejtave të Njeriut, si një draft që nxirrte shqiptarët jashtë hapësirës evropiane. Komisioni i Venecias e rrëzoi draftin si një draft, të cilin qeveria donte me çdo kusht të bëhej sipas tij edhe ekzekutiv i drejtësisë. Venecia rrëzoi draftin si një draft që asgjësonte përfundimisht pavarësinë e drejtësisë në këtë vend. Opozita ka meritën historike sepse, njëkohësisht me draftin që çoi kryetari i partisë komuniste të drejtësisë, Fatmir Xhafa, çoi dokumentin që faktonte të gjitha këto”, tha Berisha.
Ish-Kryeministri tha se opozita e shpëtoi Reformën në Drejtësi, ndonëse ajo që në fillim u përjashtua nga procesi prej kreut të qeverisë. “Shqiptarët po shohin çdo ditë forcat regresiste, të cilat duan ta përdorin reformën për të futur drejtësinë në kthetrat e tyre. Ky qëllim ogurzi ishte shkaku i kundërshtimit të opozitës që ditët e para të fillimit të reformës. Në një kohë kur opozita ofronte pjesëmarrjen e saj, ishte shumica, ishte Kryeministri i vendit ai që refuzonte në mënyrë kategorike dhe që iu thoshte të huajve se fjala konsensus në Shqipëri dhe në fjalorin e shqiptarëve nuk ekziston.
Megjithatë pavarësisht nga ky qëndrim dhe përjashtim absurd, qëllimkeq, pavarësisht nga fakti se në historinë 23-vjeçare të këtij vendi, asnjë reformë e madhe, përveç njërës që dështoi, nuk ishin bërë pa konsensusin e 2 palëve. Pavarësisht se çdo reformë ishte bërë me konsensusin e të dy palëve dhe asnjëra prej tyre nuk kishte ngelur në mes, kurrë, Edi Rama përjashtoi opozitën. Po ç’bëri opozita? Opozita shpëtoi reformën”, tha Berisha.

Përse u rrëzua drafti i dytë

Pas rrëzimit të draftit të parë, Komisioni i Venecias ka rrëzuar një tjetër projekt të qeverisë të dorëzuar në këtë Komision. Berisha tha se përjashtimi i opozitës nga procesi bëri që ajo t’i drejtohej direkt Komisionit të Venecias, duke kërkuar objektivitet dhe një drejtësi të pakapur. Edhe drafti i dytë u rrëzua, ndërsa Rama nuk bëri publik asnjë prej këtyre refuzimeve të Venecias.
“Këta janë shakaxhinjtë e reformës. Këta janë tallur me qytetarët shqiptarë dhe me të drejtën e Shqipërisë si kurrë në histori. U kthyen vendimet e Venecias, e drejta kaloi në anën e opozitës, por këta nuk dinë se ç’është e drejta. Dhe cila ishte ëndrra e opozitës? Që opozita të ulej bashkë me shumicën dhe të bënin një draft ku që të dyja të mbanin duart larg nga drejtësia dhe të bënin gjithçka për t’i dhënë shqiptarëve, edhe në mirënjohje të përgjegjësive të mëdha që ata kanë për këtë situatë, një drejtësi që e meritojnë. E kundërta e kësaj ndodhi. Përsëri kryetari i partisë komuniste të drejtësisë, Fatmir Xhafaj i urdhëruar nga Edvin Kristaq Rama do të bënte draftin ku prapë do të bënte Edvinin kryegjykatës, kryehetues, kryeprokuror. Përsëri opozita, në mbrojtje të interesave të çdo qytetari shqiptar, në mbrojtje të perspektivës dhe të ardhmes së çdo qytetari shqiptar dërgoi materialin e dytë në Venecia, ku denoncoi draftin si një xhaketë e ndërruar e draftit të parë. Venezia e gjeti përsëri të njëjtë dhe e rrëzoi përsëri draftin. Përsëri e drejta për herë të dytë kaloi në anën e opozitës. Opozita priti që të uleshim bashkërisht për të hartuar draftin. U bë çdo makinacion për të përjashtuar sërish opozitën. Opozita përgatiti tashmë një draft”, tha Berisha.

Vetingu, procesi më i ndërlikuar

Ish-Kryeministri Berisha e konsideroi procesin e vetingut në Reformën në Drejtësi si më të ndërlikuarin, duke cituar këtu qëndrimin e Komisionit të Venecias. Berisha tha se është pro një roli aktiv të ndrëkombëtarëve në monitorimin e procesit të vetingut. Berisha deklaroi se Rama nuk do të mund ta kapë kurrsesi procesin e kontrollit të drejtësisë dhe vetingut.
“Këtë draft që përgatiti opozita, asnjë nen, asnjë fjali të tij nuk ka rrëzuar dot asnjë njeri, as i huaj apo vendas qoftë, as analist, as gazetar, askërkush. Por ishte drafti armik ama, sepse opozita për Ramën është armike. Ishte drafti armik, ai s’mund të përfillej. Opozita kërkoi të votohej drafti i fundit i përmirësuar me kusht që katër institucione dhe vetingu të bëhet sipas Komisionit të Venecias. I vetmi kusht. Kjo sepse, Komisioni bëri kujdes që drejtësia të mos kapej nga asnjë palë. Çfarë ndodhi? Pasi doli lakuriq përpara njerëzve si njeri që bllokon reformën, Rama deklaroi se pranon që dy institucionet të përcaktohen sipas nenit 88 të Venecias, kurse dy të tjerat kurrën e kurrës jo. Por kështu ai zbuloi veten e tij. Rusët kanë një fjalë të urtë që thotë: ‘bukë e kripë bashkë, duhanin ndamas’. Pra, zotëria tha se këtë vetingun e ka për vete, do ta bëjë vetë, ndërsa ato të dyja do t’i caktojë me opozitën. Pse ky do ta bëjë vetë? Vetingu është procesi më i komplikuar sipas Venecias, është procesi të cilin Venecia pothuaj e hedh poshtë dhe paralajmëron se është procesi që mund të ketë pasoja katastrofale dhe se është procesi më i ndërlikuar, por jo i pamundur. Dhe ja që ne nuk e quajmë të pamundur dhe jemi dakord të bëjmë të pamundurën. Por proces më të komplikuar në tërë procesin Venecia këtë quan. Atëherë dhe ne thamë urdhëro të zgjedhim personat siç thotë Venecia, me pjesëmarrje të opozitës. Rama thotë se ua ka besuar të huajve.
Unë absolutisht jam për monitorim ndërkombëtar dhe këtë unë e kam provuar. Këtë komponent e kemi futur në ligjin e arsimit, të doktoratave, këtë komponent e kemi futur në sistemin shëndetësor për klinikat dhe shefat e tyre. Por unë jam për një gjë tjetër. Unë jam që ata të jenë vëzhgues, që ata të shohin se si veprojnë shqiptarët, nëse zbatojnë ligjin apo maliqin. Por jo për ta bërë ata vetingun. Për këtë nuk jam. Me këtë është ai, i cili do të mbulojë çdo lidhje të tij me krimin nëpërmjet këtyre akteve. Me këtë është ai, i cili është i gatshëm të shesë çdo gjë vetëm për të shpëtuar nga fitimi i lidhjeve të tij dhe korrupsionit të tij. Me këtë tezë është ai që do të fusë në dorë drejtësinë, por që s’do ta fusë kurrë”!, tha Berisha.

Exit mobile version