22 prokurorë: Tahiri po pengon hetimet për përgjimet dhe dosjen e Shullazit

Plot 22 prokurori rrethesh, bashkë me Krimet e Rënda ngrenë shqetësimin se po vonohen në shqyrtimin e dosjeve hetimore për shkak të Policisë Shkencore dhe Institutit të Mjekësisë Ligjore, të cilat gjatë ekspertimeve shkaktojnë zvarritje të hetimeve e për pasojë, edhe mbajtje në paraburgim të të dyshuarve për një kohë të gjatë.
Kjo situatë është bërë shkak që disa herë, Prokurori i Përgjithshëm dhe kryeprokurorët e rretheve të kërkojnë zhbllokimin e saj, e cila shikohet e rënduar që prej vitit 2014. Një burim i tha “Top Channel” se, paraqiten problematike ekspertimet kimike të lëndëve narkotike, që vonohen përtej afatit deri në 9 muaj.
Prokuroria e Beratit dhe ajo e Pogradecit, përveç këtij shqetësimi, vijojnë të mos kenë ekspertë topografikë dhe autoteknikë.
Ndërkohë në Prokurorinë më të madhe, në Tiranë, prokurorët po hasin në vështirësi për ekspertimet kompjuterike për vepra të tilla si “mashtrimi kompjuterik”, “ndërhyrja në të dhënat kompjuterike”, “hyrja e paautorizuar kompjuterike” dhe “pornografia”, pasi për pjesën më të madhe të këtyre çështjeve, marrja e këtyre provave është përcaktuese për të arritur në konkluzione hetimore.
Aktualisht një ndër çështjet “pikante” është zbulimi i një aparature në paradhomën e ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri, e cila është përcjellë për ekspertizë pranë Policisë Shkencore, por ende nuk ka një përgjigje, apo ekspertiza ndaj kompjuterave të bllokuar për pajisjen “IMSI Catcher” apo edhe këqyrja e kamerave të sigurisë në rrugët e kryeqytetit për dosjen “Shullazi”.

Laboratori i Kriminalistikës në varësi të Tahirit

Laboratori i Kriminalistikës është në varësi të Ministrisë së Brendshme. Është e kuptueshme se përse ky institucion, i cili drejtohet nga Saje Qorri pengon pikërisht zbardhjen e provave të Prokurorisë për përgjimet dhe dosjen e Shullazit. Në të dy rastet ai është pjesë e konfliktit të interesit. Tahirit nuk i intereson zbardhja e plotë e skandalit të përgjimeve, ndaj ai nuk lejon që të arrihet në përfundime në lidhje me kompjuterat e sekuestruar nga Prokuroria në zyrën e drejtorit të Përgjithshëm të Policisë të rikthyer në detyrë pas pezullimit. Si Tahiri edhe Çako në rastin konkret janë në një konflikt të pastër interesi. Ata janë edhe nën hetim për përgjimet, por edhe duhet të jenë pjesë e hetimit përmes Laboratorit të Kriminalistikës, i cili varet prej tyre.

Si u dogj Laboratori i Kriminalistikës

Ministria po justifikohet për bllokimin që po i bën Prokurorisë për hetimin e përgjimeve dhe të dosjes së Shullazit me alibinë se pajisjet në laborator janë të vjetëruara. Ky është një justifikim për të mos ndihmuar hetimin, por në të njëjtën kohë është edhe një kërkesë për tenderin dhe zhvatjen e radhës nga Tahiri.
Laboratori i Kriminalistikës ka funksionuar me kohë të plotë deri në momentin që banda e Tahirit në mënyrë të qëllimshme i vuri flakën atij më 6 nëntor, ndërsa lajmi u mbajt i fshehtë nga ministria dhe u denoncua nga ish-Kryeministri Berisha në Facebook.
Zjarri i rënë në katin e dytë të godinës së Policisë Shkencore shkrumboi disa raporte të ekspertimeve balistike, bashkë me një sasi kanabisi, në afro dy kuintalë. Prokuroria e Tiranës dhe Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm nisën hetimet për ngjarjen në një nga institucionet që konsiderohet i sigurisë së lartë, pasi dyshimet e tyre mbeten se zjarri ka qenë i qëllimshëm. Hetuesit kanë këqyrur vendngjarjen, ndërsa kanë gjetur disa parregullsi në funksionimin e godinës. Në momentin e rënies së zjarrit nuk funksiononin kamerat e sigurisë, nuk kishte rënë alarmi për zjarrin, apo alarmi për hapjen e dyerve. Dyshimet shtohen më tej edhe për mungesën e rojeve brenda në godinë, ashtu siç e parashikojnë edhe rregulloret e Laboratorit Kriminalistik. Prokuroria ka dyshime se zjarri mund të jetë vënë për fshirjen e provave, ku janë djegur disa raporte të ekspertimeve balistike apo një sasi kanabisi. Së fundmi, Policia Shkencore dorëzoi raportin në Prokurori për çështjen ndaj Armando Prengës, ndërsa burimet nga grupi hetimor për zjarrin nuk përcaktojnë nëse janë djegur apo jo provat për këtë çështje. Për kanabisin, dyshimet janë se mund të jetë djegur mostra të drogës të sekuestruar vitin e kaluar pranë lagunës së Vilunit, në Velipojë, dosje në të cilën është në akuzë ish-deputeti Frroku, që njihet si mik i ngushtë i Tahirit.

Exit mobile version