Verdikti popullor që ka parakaluar drejtësinë

Nga Preç Zogaj

Në përballjen ende në distancë  me drejtësinë  Sali Berisha nuk po arrin të ndezë një masë kuptimplote  mbështetësish me kushtrimet e  tij.  Dhe  as të  mallëngjejë,  si dikush që  arrin t’i  shndërrojë në empati publike  aksidentet e fatit,  rënien apo  rrezimin  nga piedestali.

Duket qartë se miratimi i veprimeve të  SPAK,  qëndrimi mënjanë   apo keqardhja e heshtur  e shumë prej mbeshtetësve  janë për  ish presidentin dhe ish kryeministrin  verdikti  publik  që ka parakaluar drejtësinë.

Pse kjo? Mirë kundështarët  dhe  qytetarët e pa angazhuar e bejnë veshin e shurdhër me thirrjet për  derdhje në sheshe e mosbindje civile të Berishës! Po mbështetësit e zakonshëm pse janë të mpirë e të  tërhequr si kurrëndonjëherë?

Arsyet janë  shumë  dhe të llojllojshme. Por mund të përmblidhen edhe në një fjalë të vetme. Që është  vetë fjala arsye. Pra arsyet janë arsyeja.

Njerëzit kanë pikpamje, sensiblitete, shije, vizione, histori të ndyshme. Ata marrin anë. Ndodh edhe të fanatizohen  pas kultit të  kryetarit. Por mbetet gjithnjë një  emërues i përbashket  arsyeje në diversitetin e tyre, madje edhe në armiqësitë e tyre. Në thelb ata nuk janë  kukulla, as dele. Sado  që  të dehurve  dhe  mendjeprishurve nga pushteti  u duken të tillë. E bukura e kesaj historie është se sa  më shumë u duken të tillë, aq më shumë fillojnë t’i humbasin.  Sepse, si gjithçka tjetër, edhe fanatizmi dobësohet e zhduket nga teprimi.

Berisha injoron gjithë kontekstin kohor,  kombëtar  e  ndërkombëtar  të reformës në drejtësi që  po kërkon të ngulisë parimin  “ askush mbi ligjin”.  Ai u thotë ndjekësvë të tij se po e heton Rama për hakmarrje politike ngaqë  është tmerruar nga fuqia e Sali  Berishës.

Kemi në historinë  tonë një prededent ku  fuqia  politike në ekspansion  e një force  politike opozitare është bërë  shkas për arrestimin dhe  burgosjen e liderit të saj. Është rasti i kryesocialistit  Fatos  Nano  në vitin 1992. Vetëm tre muaj pas instalimit në pushtet  të Partisë Demokratike me një shumicë dërmuese  deputetësh e votash,  Partia Socialiste  u rrit me mbi njëzet perqind  në zgjedhejt vendore. PD  u zvogëlua  po aq, një  rrezultat  që për kohën e shkurtër në të cilin u shënua do të çorodiste  çdo “laborator” politologjie  të botës. Në fakt, PS-në e  pati rritur  kaq  shumë  dhe kaq shpejt qeverisja e PD-së.  Fatos Nano  u burgos pas një viti, por kjo nuk e pengoi PS dhe opozitën  të fitonte thellë referendumin kushtetues të vitit 1994.

Ku jemi tani? Sali Berisha  ka udhëhequr  në zgjedhjet  vendore të 15 prillit  të këtij viti  humbjen me të thellë që ndonjë opozitë ka rregjistruar në  historinë e zgjedhjeve shqiptare.  Rënia e tij dhe e Rithemelimit që drejton ka vijuar dhe vijon  rënien. E  tregojnë të gjitha sondazhet jo partiake.  Sipas sondazhit të  fundit të  Eduard Zaloshnjës  për televizonin “Report TV” ( Të  përsërisim se Zaloshnja i ka gjetur sistematikisht rrezultatet  e zgjedhjeve në Shqipëri  me një marzh gabimi 2 deri në  3 përqind, çfarë i ka dhënë besueshmërinë që ka sot), në vend të parë në opozitë janë votuesit që nuk janë as me Rithemelimin në vend  të dytë,  as me PD-në zyrtare më vend të tretë. Gjë që fotografon një tabllo të   fragmentimit  dhe përçarjes opozitare ku nuk ka një shef të saj në kuptimin që të ketë mbeshtetjen apo njohjen si  të tillë nga gjithë spektri opozitar.

Për çfarë  të tmerrohet  Edi Rama në  këto kushte, me këtë humbje, rënie dhe përçarje të pashembullt opozitës?  Kush perveç  budallenjve  e beson ketë?  Nëse  huazojnë  fjalën “ i tmerruar ”,  Rama ka arsye të ndihet i tillë për një arsye  tjetër:  “Askush mbi ligjin” po troket përditë në dyert e kabinetit të tij. Le ta stërzmadhojë Berisha  sa të mundet si gogol për nevoja propagandistike. Le ta  bëjë më të madh se SHBA e BE-në! Logjika elementare nuk e përtyp më këtë.

T’i kapëpërcejmë   arsyet e   tjera se përse njerëzit në nuk po derdhen shesheve e rrugëve të Shqipërisë siç i thërret apo i imagjinon ish kryeministri. Të rrimë tek e fundit që është edhe kryesorja:  Njerëzit mezi kanë pritur që drejtësia të guxojë të hetojë e gjykojë zyrtarë dhe ish zyrtarë të sferave të lartë. Ata e kanë  të qartë  dëmin  që do t’i bënin  demokracisë  dhe vetes se tyre  nesë do tu bëheshin barrrikadë hetimit, drejtësisë. Ndaj e  kanë zgjidhur  drejt e thjeshtë:  dejtuesit, cilëdo qofshin, ta bëjnë betejën me drejtësine aty ku bëhet kjo betejë: në gjykatë. Drejtësia  është me katër shkallë  bashkë me Gjykatën e Strasburgut.  Vetë publiku  i lirë është një shkallë e pestë, që  kërkon ndëshkueshmërinë e fajtorëve dhe  mbështet pafajësinë e jo fajtorëve. Në gjykatë. Jo gjetkë. Jo në foltore a sheshe. Nga kjo pikpakje, “shkalla e pestë” ka folur para katër shkallëve të tjera edhe për Berishën.

Exit mobile version