Kombëtarja shqiptare do të zhvillojë 3 miqësore përpara Euro 2024 ku trajneri Sylvinho do të ketë mundësinë të bëjë përgatitjet e fundit për të ideuar ekipin me 23 lojtarët që do të përfaqësojnë kuqezinjtë në Gjermani.
Ashtu siç u përfol pak ditë më parë, Shqipëria do të luajë 3 miqësore kundër Algjerisë, Afrikës së Jugut dhe Bolivisë. Këtë e konfirmon vetë presidenti i Federatës algjeriane e cila do të jetë mikpritësja e turneut miqësor.
“Algjeria ka pasur privilegjin të caktohet nga FIFA për të organizuar këtë edicionin e parë të këtij turneu ndërkombëtar, i cili do të organizohet nën kujdesin e organizmit ndërkombëtar. Përveç Algjerisë, në turne do të marrin pjesë edhe Bolivia, Shqipëria dhe Afrika e Jugut”, zbuloi presidenti i federatës algjeriane Velid Sadi.
Kreu i futbollit algjerian zbuloi gjithashtu edhe datat kur do të luhet turneu.
“Ky turne ndërkombëtar do të luhet në datat e FIFA-s nga 18 deri më 26 mars, në mesin e muajit të shenjtë të Ramazanit. Gjatë kësaj date të FIFA-s, kombëtaret afrikanë do të jenë aty me fillimin e raundit paraprak të kualifikueseve për “Kupën e Kombeve Afrikane 2025.
Para fillimit të këtij turneu, do të hidhet shorti për të caktuar dy gjysmëfinalet që do të luhen në stadiumet “Miloud-Hadefi” në Oran dhe stadiumin e “19 Majit 1956” në Annaba, ndërsa finalja do të zhvillohet në stadiumin “Nelson-Mandela” në Baraki. Ky turne do të ketë praninë e anëtarëve të rëndësishëm të FIFA-s, dhe ndoshta presidentit të saj Gianni Infantino”, tha Sadi.